Filmi “Fije që priten”. Roli i Sami Amenit
Filmi “Fije që priten” me temë nga sigurimi i shtetit, nisi të xhirohej në vitin 1976, me skenar të Neshat Tozaj dhe regji të Muharrem Fejzos e operator Petraq Lubonja. Një agjent i huaj, Sami Ameni zbret në aeroportin e Rinasit dhe menjëherë nis kërkimet për tu vënë në kontakt me një agjent tjetër, Markon, me të cilin kishte bashkëpunuar gjatë luftës për llogari të gjermanëve.
Plani i tyre ishte hedhja në erë e një uzine të rëndësishme. Për këtë duhet të marrin të dhëna nga punonjësja Besa, e cila ka “humbur” disa dokumente dhe ndjehet e kërcënuar. Kinoprovën e bënë në një pjesë të ateliesë së vjetër, ku u improvizua një kafene. Grimiori mjaft i talentuar, Lluka Basha kishte punuar disa ditë rresht, që ta sillte në portretin e duhur dhe të përshtatshëm për rolin. Duhej arritur dhe mosha e personazhit që ishte 55-57 vjeç, ndërkohë që Reshati ishte 34 vjeç.
Iu zgjerua balli dhe u punua goxha dhe me basetat e flokët. U bënë dhe mustaqet e përshtatshme që do i shkonin portretit dhe figurës në tërësi. Dhe kështu u krijua pamja e jashtme, me të çarën në vetull, që e kënaqi dhe regjisorin Muharrem Fejzo që kishte një nuhatje për figurën, meqë ishte edhe piktor dhe skulptor. U bënë kinoprovat, dhe pas ca ditësh iu njoftua që e kishte fituar rolin e Sami Amenit. Kur i vinë në dorë fotografitë, që ishin shkrepur në fotoprovë, i pëlqeu vetja. Dukej me të vërtetë një burrë i veçantë, tërë sqimë dhe me mister brenda dhe shumë pozant. Aq shumë kishte ndryshuar, sa nuk e njihte njeri. Dhe filluan xhirimet në hotel “Dajti”.
Njerëzit kalonin para tij dhe e shikonin me habi e kureshtje tek rrinte poshtë pishave të hotel Dajtit. Ai u buzëqeshte dhe ato çuditeshin, sepse në ato kohë të komunikoje me një të huaj do të thoshte të merreshe “me punë të liga fort”. Ndenji gjatë duke thithur llullën e personazhit, kur i zunë sytë një mikun e tij të mirë që e kish shokë fëminije. I ngul sytë fort nga larg, dhe më pas kur i afrohet i buzëqesh lehtë. Ai u habit. Donte të kthehej edhe një herë ta kundronte po nuk e bëri. Atëherë ai lehtazi i flet paksa me një zë të ndryshuar;
-E Beno, çkemi?
Në moment shoku i tij shtangu. Stopoi hapat dhe priti, duke e vështruar në thellësi të syve.
-Fol or burrë fol! Spo më njeh ë…Po sigurisht kanë kalu shumë vite…
Beni u kthye me nerv, duke e parë deri në ninëzat e syve.
-Çfarë do mor ti! Apo s’ke punë dhe do të më provokosh me sjellje kalamajsh! Ke shku anej dhe do me na shit men! Kujto se ç’jeni bo!…M’shoi atij vendi ku je, e mos e zgjat!
Donte të vazhdonte të zbrazej pa ia bërë syri tërr po Reshati nuk e la dhe i ndërpreu vrullin që kish marrë.
-O Beno po kadal o burrë, kadal! Mos merr kot! Po s’ke faj! Kemi kohë pa u pa.
-Më njef ti mu?
-Po, sigurisht! Pse kot të fola …
Vështrimi i tij u bë më i thellë e i frikur. E zhbiroi të tërin, po prapë si binte në të. E lë dhe për disa çaste me zemrën që i dridhej, dhe e qetësoi
-Jam Reshati o miku im, Reshati…Reshat Arbana…
U çlirua, u lehtësua iu drejtuan gjymtyrët. Nuk i besonte syve, dhe në çast shpërtheu
-Po fol more Shat! Se më çmene! Jo vallahi nuk të njofta! Sma merrte menja se do ishe ti! Çështë more ky qen, thashë me vete! Se ti e di sa punë të mira bëjnë kta të hujt, para hotel “Dajtit”. Të komunikosh me një t’ huj e di ti sa problem është, për më tepër me një nga ata shqiptarët matanë detit. Po luan ndonjë film apo jo?
-Po po, me një film, një film për sigurimin.
-Vallahi sa bukur të paskan rregullu, more qen! Vallahi t’mora për t’ huj!Bukur t’paskan rregullu…edhe mustaqet…
Ndenjën një copë herë së bashku, duke folur për filmin e ri, dhe u ndanë duke qeshur për këtë ngjarje vërtet rastësore dhe kuptimplotë. Gjë e mirë që miku i tij i vjetër, nuk e kish njohur. Pra ngjante me karakterin e duhur.
“Figura ishte e gjetur nga pamja e jashtme”, mendoi.
Filmi u xhirua në kushte optimale. Patën goxha ndihmë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Një ditë me një makinë “Volvo” në dispozicion udhëton drejt Gjirokastrës. Xhiruan në fillim në Apolloni. Kur shkonin rrugës nga Ballshi për Gjirokastër dy fshatarë, i ngritën dorën për autostop, dhe shoferi u ndal e u foli italisht:
-Do na marrç deri në Tepelenë, o shofer?…
-Che cosa desiderate amico?…
Fshatarët shtangën…Reshati iu duk si i huaj…
-Hiqu more! Hiqu andej! Qenkan të huaj, dreqërit!…
Kur flet për këtë film ndërmend i vjen dhe një episod që është hequr nga filmi. Ishte momenti kur Sami Ameni dhe Klarku, që në film interpretohej nga regjisori dhe njeriu i mrekullueshëm Serafin Fanko, po prisnin në transit momentin e nisjes. Tavolina ishte mbushur me pije të ndryshme, e rregulluar për merak. Në kohën që ai gëzonte, një zë mbas kurrizit të tij e tronditi, e shtangu dhe e bëri të mos e jap veten, por që e shpoi në kokë tej për tej si një thikë e mprehtë.
-Sami Ameni në emër të popullit je i arrestuar!
Tavolina u trondit. Portretet u nxinë nga re shiu. Klarku shqeu sytë nga kjo e papritur. Samiu u mundua të përmbahej, për të kapërcyer këtë moment delikat…
-Gent, çfarë thotë ky zotëria?
Dhe Samiu dialogon me djaloshin që i shoqëronte një copë herë, por fjalët e tij nuk i dëgjonte dhe merr përgjigjen e duhur. Kur çdo gjë ishte e qartë, rrëmben me duar tavolinën plot e përplot, dhe e përmbys me zhurmë, duke shpërthyer plot mllef e thellësisht i tronditur për atë që e priste, pas kësaj thirrje që e njihte mirë shumë…Protestoj…protestoj…
Xhirimi i kësaj skene u pëlqye nga grupi realizues i filmit, por pasi u pa nga ekspertët u vendos që duhej përsëritur. Sepse urdhri i Ministrisë së Brendshme ishte që ai nuk duhet të protestonte, sepse nuk ka ndodhur kurrë të protestojnë, kur kanë dëgjuar thirrjen “Në emër të Popullit, je i arrestuar!” Në të tilla raste kanë mbushur pantallonat. Episodi u përsërit, dhe ai mban mend që në këtë episod, pas kësaj porosie u zëvendësua dhe Robert Ndrenika me Astrit Çermën për çështje biografie. Budallallëqet e kohës. Filmi mbaroi dhe u shfaq me shumë sukses. Për Reshatin, Sami Ameni është realizuar mirë, po nuk e mban si rolin e tij më të mirë. Njerëzit e kanë pëlqyer dhe filmi vazhdon të jepet me sukses. Ndoshta ngaqë ka temën e sigurimit, ka mbetur në memorien e spektatorit shqiptar. Filmat e këtij zhanri janë shumë të suksesshëm në botë, mjafton që të kujtojmë Agjenti 007 dhe James Bond, ai buzëqesh. Paralelizmi me Sean Connery, veçse këtë radhë me një fytyrë tërësisht mesdhetare, nuk është aspak i guximshëm. Reshati është një spiun kurajoz, me gjak e një artist i voltazhit të lartë.
Trilleri psikologjik në atë film ishte situr mirë dhe suspanca që krijohet gjatë traumës është me të vërtetë e veçantë. Është një ngjarje për Shqipërinë komuniste sepse përfaqson në fakt një traumë që pësoi populli shqiptar gjatë regjimit komunist. Të gjithë e dinin që rrjeti i spiunazhit në Shqipëri ishte çështja e ditës dhe armiku lexohej tek çdo njeri. Le më pastaj paniku i diversantëve dhe armiqve të popullit. Filmi në fakt është një emblemë e frikës së çdo shqiptari ndaj të huajve që do “okuponin Shqipërinë’.
Por ishte dhe një risi. Për herë të parë në një film shqiptar pati personazhe të huaj të rafinuar dhe krejt ndryshe nga personazhet shqiptare. Reshati sillte një botë tjetër, atë të perëndimit. Edhe Klarku, interpretuar nga Serafin Fanku, në film miku i tij, kishte një ajër tjetër. Sillnin botën ndryshe me elokuencën, elegancën dhe fashinon e tyre që ishte e paparë. Zhanri i këtij filmi u eksperimentua në Europë në vitet 70-të dhe ishte i mirëpritur si një ngjarje për kinematografinë shqiptare. Për kritikën shqiptare filmi qe një gur themeli sepse kombinonte elementët e aksionit me një histori misterioze që i kishte rrënjët thellë në psikologjinë shqiptare./Konica.al/Arlinda Canaj