Aktori i njohur i “Portokalli”, Gaz Paja, ishte i ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, në Top Channel.
Kohët e fundit ai është vënë në qendër të vëmendjes për angazhimin e tij në politikë dhe jo vetëm, ndaj edhe për shkak të gjithë zhurmës së krijuar në media, Gazi për herë të parë dha përgjigjen e tij në “Ftesë në Pesë”.
“Unë nuk kam asnjë letër të asnjë partie dhe nuk mendoj se do kem ndonjëherë.
Unë thjesht mendoj që ky djali bashkë me skuadrën e tij do hyjnë në histori dhe unë kam qejf të jem pjesë e historisë. Kaq! Pra të ndihmoj në zhvillimin e Tiranës.
Se çfarë thonë pastaj, jo është i politizuar apo jo, kjo nuk është e vërtetë.
Kush do e beson dhe lë të vijë të ndjekë punën time artistike, të cilën e adhuroj dhe për të cilën paguhem, kujt nuk i pëlqen kjo nuk më plas fare”, theksoi ai.
Ai komentoi edhe lajmin për makinën e tij “modeste” parkuar para Teatrit Kombëtar.
“Makina në teatër atë natë ka qenë si çdo natë të provave, që ne aktorët e veprës parkojmë aty.
Pra aty ishte makina e teatrit, ishte makina e Visjanit, ishte makina ime, më duket se edhe e Laurës.
Kështu që ishin dy-tre makina. Këto zonjat apo zotërinjtë që donin të merreshin me makinën time, u morën se ndoshta iu pëlqeu…” tha ndër të tjera Gazi.
Më tej, ai e cilësoi aspak të hijshme situatën e krijuar, ku një pjesë e aktorëve proteston kundër shembjes së godinës, ndërkohë që ai dhe të tjerë janë duke dhënë shfaqje.
E për t’u kthyer te makina e tij që tërhoqi jo pak vëmendje, Gazi zbuloi se i ka kushtuar plot 42 mijë euro, edhe më shumë se çmimi i hamendësuar nëpër media.
“Kam shkuar si gjithë shqiptarët në një koncensionar, kam kërkuar ta marr me këste dhe e kam marrë me këste” tha Gazi, madje tregoi se ende nuk i ka shlyer të gjitha.