S.Sh. babai i A.Sh, ish-zv/ministres së LSI në një ministri të rëndësishme, në mandatin e parë të “Qeverisë Rama”, është arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës, pasi ka mashtruar disa qytetarë, duke i shituar dyqanet dhe apartamentet e një pallati, më shumë se dy herë. 66-vjeçari prej dy ditësh mbahet i izoluar në ambjentet e policisë së Tiranës, ndërkohë pritet që ditën e sotme të dalë para gjykatës së kryeqytetit ku do përballet me akuzën e mashtrimit të ngritur nga prokurori Kasem Berberi, i cili do kërkojë në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin.
S.Sh, rezulton të jetë një person me lidhje të forta politike, kryesisht në Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi dhe vajza e tij, A.Sh, nën siglën e LSI ka shërbyer si zv/ministre në një ministri të rëndësishme, ndërsa aktualisht është pedagoge tek universiteti i Tiranës. Mes shumë personave të mashtruar nga S.Sh., janë pronarët e tokës ku është ndërtuar pallati në zonën e “Brakës”, afër prokurorisë së Tiranës është dhe një oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Shqiptarja.com” mëson se oficeri i mashtruar nga S.Sh, është Franko Marko, i cili rezulton se në 25 mars 2019 ka depozituar një kallëzim penal në policinë e Tiranës, duke deklaruar se biznesmeni S.Sh, i ka përvetësuar me anë të mashtrimit shumën prej 75 mijë euro. Sipas deklarimeve të të dëmtuarit në datën 10 dhjetor 2014 dhe në 19 dhjetor 2017 ai i ka dhënë hua pa interes biznesmenit S.Sh, përkatësisht shumat 40 mijë euro dhe 35 mijë euro, për një periudhë një vjeçare, për shkak se S.Sh i ka deklaruar se kishte nevojë për likujditet të punimeve që po kryente tek pallati në zonën e Brakës.
Por pas kalimit të afatit 1 vjeçar, kallëzuesi ka kërkuar kthimin e shumës së eurove të dhënë borxh, por biznesmeni S.Sh, i ka deklaruar se ka qënë në pamundësi për t’ja kthyer shumën e marrë borxh. Në vijim Marko thotë se për shkak se S.Sh nuk i ka kthyer sasinë e eurove, kanë biseduar së bashku dhe rënë dakord që në këmbim të shumës së mësipërme, S.Sh, t’ia kalonte në pronësi një apartament banimi me sipërfaqe 102 metra katror.
Pasi kanë diskutuar dhe rënë dakord, mes Markos dhe S.Sh është lidhur një kontratë noteriale sipas të cilës S.Sh, administrator i kompanisë “A-A Konstruksion”, për shuarjen e detyrimit do t’i kalonte në pronësi dy apartamente banimi me sipërfaqe prej 102 metra katrorë secili, që ndodheshin në pallatin që po ndërtonte kjo shoqëri në rrugën “Haxhi Dalliu”.
Por në vitin 2017 oficeri Franko Marko, ka mësuar prej pronarit të tokës ku ndërtohej pallati se për apartamentin e banimit në katin e dytë, për të cilin kishte lidhur kontratë me biznesmenin S.Sh, dhe ai, si pronar i tokës, kishte kontratë me shtetasin S.Sh.
Nisur nga kjo situatë por edhe pas bisedës që ka bërë me ish-pronarin e truallit, oficeri i policisë Franko Marko, i kanë lindur dyshime se biznesmeni S.Sh e ka mashtruar. Për të verifikuar çdo dyshim Marko ka shkuar dhe ka kryer verifikime pranë hipotekës së Tiranës dhe ka konstatuar se të dy apartamentet e banimit, për të cilat ai kishte lidhur kontratë me biznesmenin S.Sh, ishin shitur nga babai i ish-zv/ministres tek persona të tjerë disa herë.
Ndërkohë mes shumë personave të mashtruar nga S.Sh janë avokatë, pronarët e tokës dhe persona të tjerë që kanë pranuar të lidhën kontrata porosie me këtë biznesmen. Benereta Duro, një nga pronaret e tokës ku është ndërtuar pallati thotë se S.Sh i ka mashtruar dhe prej pesë vitesh nuk kanë marë asnjë gjë, por vetëm kanë humbur pasurinë që kishin në Tiranë. “Na ka mashtruar dhe s’na ka dhënë asnjë gjë.
Momentalisht as qëranë e shtëpisë nuk na e paguan. Këtë gjë e ka bërë vetëm në tre muajt e parë në fillim, sa na bindi për të na nxjerë nga shtëpia dhe asnjë gjë më pas. Tashmë jetojmë me qëra duke shpenzuar nga rrogat tona, ndërsa pronën na e mori ky biznesmen”-thotë për Shqiptarja.com Benereta Duro./Nga Elton Qyno/Shqiptarja.com