Vrasësi kryesor i shqiptarëve nuk është as duhani, arma apo shkelja e Kodit Rrugor, por vetë cilësia e ajrit.
68 persona në 100 000 banorë në Shqipëri humbin jetën për shkak të ndotjes së ajrit. Një numër i frikshëm në krahasim me vendet e rajonit.
Adrian Jorgji, mjek pneumolog, shprehet: “Djegia e karburantit nga makinat, ndotja e mjedisit si pasojë e grimcave të pluhurit kryesisht nga ndërtimet si dhe një faktor tjetër është djegia pa kriter e mbeturinave”.
Ndërsa një qytetar tregon: “Kam pasur kollë gjithë dimrin dhe mushkëritë i kam copë”.
Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 5 deri në 7 milionë vdekje të parakohshme në vendet në zhvillim ndodhin prej ndotjes së mjedisit. Kjo ka sjellë që dhe kontrollet në spital të shqiptarëve të jenë të shpeshta.
Mjeku Jorgji thekson: “Në të dyja pulmonet që tregoj vihen re dëmtime pulmonare. Ky është një pacient që punon në një zonë naftëmbajtëse dhe tregon për një mushkëri të ngarkuar.
Vjen me ankesa, vështirësi në frymëmarrje, kollë të thatë. Është vetëm 40 vjeç. Dhe kjo shkaktohet nga ndotja, theksoj nuk është duhanpirës apo me sëmundje shoqëruese”.
Mbjellja e pemëve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sërish nuk është efektive, sipas mjekut: “Duke pasur parasysh që këto pemë jetojnë si ne, në ajër të ndotur, në tokë të ndotur, me ujë të ndotur edhe këto pemë do të zhvillohen të sëmura”.
Ndërkohë që disa banorë kanë gjetur zgjidhje me mbulimin e ballkoneve me perde, në mënyrë që ajri i ndotur të mos hyjë teksa hapet dera.