Asnjë politikan tjetër në historinë e shtetit shqiptar, nuk është përfshirë në aq shumë skandale sa kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Nga 21 janari, vjedhja e 300 milionë dollarëve në Rrugën e Kombit, shitja e detit, si dhe shumë të tjera, Basha mund të kishte përfunduar lehtësisht në b.urg për të gjithë jetën, nëse do të kishte pasur një drejtësi të pavarur.
Protestat e javëve të fundit, si dhe djegia e mandateve, duket se motivohen përsëri nga frika e opozitës për një drejtësi të pavarur.
Këto janë 10 skandalet më të mëdha të liderit të Bashës, skandale nga të cilat ai ka shpëtuar gjithmonë lehtësisht nga hetimet.
1. 21 Janari
21 Janari është ngjarja më e rëndë pas asaj të Gërdecit, në kohën e qeverisë së PD. Më 21 Janar qeveria vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosi me dhjetëra të tjerë. Sërish, Lulzim Basha u akuzua si përgjegjësi kryesor për vrasjet, në cilësinë e ministrit të Brendshëm.
Edhe pse Grada e Republikës varej nga ministri i Brendshëm, Basha dhe komandanti i Gardës, i shpallur i pafajshëm për vrasje, i pasuan përgjegjësinë njëri-tjetrit. Është e qartë që ish-ministri i Brendshëm, ishte i vetmi që mund të kishte autoritetin për të urdhëruar hapjen e zjarrit. Nëse ky ishte një urdhër nga lart apo jo, sepse ligji thekson qartësisht se një urdhër i paligjshëm duhet të refuzohet.
Zhdukja e pamjeve filmike fill pas ngjarjes e bën edhe më të mistershme atë që ndodhi në 21 janar. Gjykata u mor për disa vite me atë ngjarje, por Basha nuk u thirr kurr as si i pandehur dhe as si dëshmitar.
Vrasja me dashje, sipas nenit 76 të Kodit Penal të RSH dënohet deri me 20 vjet heqje lirie. Vrasja e shumëfishtë, në rrethana rënduese, dënohet me burgim të përjetshëm.
2. Skandali me rrugën Durrës-Kukës
9 Tetor 2007: Plas skandali më i madh financiar i qeverisë Berisha me rrugën Durrës-Kukës. Protagonist është sërish Lulzim Basha. Prokuroria filloi hetimet. Dikasteri i Transporteve u vu akuzë.
Procedurat për tenderin në Shqipëri, bazoheshin mbi ligjin anglez. Hetimet e prokurorisë çuan deri në heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës. Sipas KLSH, në raportin e janarit 2008, abuzimi shkon deri në 232 milionë euro.
Firma nis punën pa pasur një projekt konkret. Fatura mbi 1 miliardë euro. Lulzim Basha shkoi para gjykatës, por gjyqi mbyllet për procedurë, me Bashën që refuzon të dalë përpara trupit gjykues me një raport mjekësor.
Sipas Kodit Penal, neni 245, korrupsioni aktiv i punonjësve shtetëror dënohet deri në 5 vjet burg. Njëkohësisht, për shpërdorim detyre, neni 248, dënimi shkon deri në 7 vjet.
3. Skandali me lobimin e huaj
Disa muaj pas zgjedhjeve të vitit 2017, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi disa të dhëna financiare, mbi pagesat që ishin bërë nga Partia Demokratike ose për llogari të saj, në lobues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas provave, të paktën 525 mijë dollarë ishin paguar në një lobues të vetëm (në total 1 mln USD), ndërkohë që në formularin e saj të dorëzuar në KQZ, PD pranonte një shpenzim prej vetëm 25 mijë dollarësh për lobim.
Prokuroria është ende nën hetim të kësaj çshtje. Përtej gjithë rëndësisë politike të këtij skandali, me kompaninë fantazmë “Biniatta Trade”, nën pronësi të shtetasve rusë, që kryen pagesat për PD, mashtrimi, si dhe evazioni fiskal, që vjen si rrjedhojë e një deklarimi shumë më të ulët, neni 180-81, dënohet deri në 8 vite heqje lirie.
4. Shitja e detit, Greqisë
Ky skandal identifikohet me emrin e Lulzim Bashës, i cili asokohe mbante postin e Ministrit të Jashtëm dhe ka negociuar në fshehtësi marrëveshjen për shitjen e detit.
Në takimin midis Dora Bakojanis dhe Lulzim Bashës më 20 mars 2008 një nga temat kryesore të bisedimeve ka qenë pikërisht marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar.
Ky fakt u konfirmua nga të dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilluan në përfundim të këtij takimi. Por në faqen zyrtare në internet të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, deklaratat e Bashës dhe Bakojanis janë fshirë.
Ndërkohë, në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke këto deklarata janë botuar të plota. Më pas, kryeministri grek Kostas Karamanlis erdhi në Tiranë, në një takim me krerët më të lartë të shtetit dhe qeverisë, në një vizitë dy ditore. Berisha dhe Karamalis nënshkruan marrëveshjen për “sheltin detar” që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e konsideroi këtë marrëveshje të pavlefshme sepse cënonte integritetin territorial dhe rendin kushtetues, asnjë Gjykatë nuk ndoqi penalisht përgjegjësin e saj. Dorëzimi i territorit, sipas nenit 208 të KP, dënohet me jo më pak se 15 vjet heqje lirie, deri në burg të përjetshëm.
5. Pazaret me Bakojanis, Kushtetuesja konfirmoi fajësinë e Bashës
Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar fajësinë e Bashës sa i takon pazareve me Dora Bakojanis për shitjen e detit. Në datën 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ka hedhur poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, shkeljet janë të shumta. Ato nisin që me mungesën e rolit të Presidentit të Republikës në hartimin e kësaj marrëveshjeje – nuk i ishte kërkuar plotfuqishmëria për negociatorët shqiptar
Një marrëveshje si ajo e lidhur mes Bashës dhe Bakojanis , në këndvështrimin e ligjit mund të përbëjë gjithashtu një shkelje penale, pasi konsiderohet një marrëveshje për dorëzim territori, e parashikuar nga KP, në nenin 210 të tij dhe e dënueshme me 5-10 vjet heqje lirie.
6. Plani Urbanistik i Tiranës
Plani urbanistik i Tiranës, i miratuar në kohën e Bashës si kryetar bashkie, zyrtarizoi procesin e ndërtimit të shumë ndërtesave shumëkatëshe, në zona të ndaluara, përfshi parqe apo kënde lojrash.
Ishte i njëjti plan që parashikonte zgjatjen e Bulevardit të Ri deri në Paskuqan, por që nuk u realizua kurrë gjatë mandatit të Bashës.
Procedurat korruptive, shumë prej të cilave të bërë publike, të dhënies së lejeve të ndërtimit, përbëjnë gjithashtu korrupsion aktiv, e si të tilla do të ishin të dënueshme me 5 vite burgim.
7. Thirrje për dhunë, rrëzim i rendit kushtetues
Në protesat e javëve të fundit, Lulzim Basha, në mënyrë të paprecedent i ka bërë thirrje protestuesve për të goditur forcat e rendit, si dhe për të mësymur institucionet e vendit.
Thirrje të kësaj natyre përbëjnë vepër penale, pasi nxisin rrëzimin e rendit kushtetues përmes akteve të dhunës.
Thirrjet publike për nxitjen e dhunës, sipas nenit 223, dënohen me 3 vite burgim, ndërsa thirrja për kryengritje, sipas nenit 221, dënohet deri në 25 vjet burim ose burgim të përjetshëm.
8. 7 pasaportat e dyshimta
Lulzim Basha ka shtetësi të dyfishtë, por fakti më i çuditshëm është përdorimi i shtatë pasaportave, shumë prej të cilave në të njëjtën kohë. Të dhënat e TIMS tregojnë se Basha ka përdorur tri pasaporta të zakonshme dhe katër diplomatike.
Shtatë pasaportat janë lëshuar gjatë periudhës kohore 13 dhjetor 1995 dhe 10 maj 2010. Nga analizimi i këtyre të dhënave rezulton se këto pasaporta janë përdorur nga zoti Basha, madje njëra prej tyre edhe për blerjen e shtëpisë në Hollandë.
Për periudhën 4 gusht 1997 deri më 4 gusht të vitit 2002, Lulzim Basha ka disponuar dhe ka përdorur njëherësh dy pasaporta. Për periudhën 29 maj 2002 deri më datën 4 gusht 2002, Lulzim Basha ka disponuar tri pasaporta kurse për periudhën 10 tetor 2003 deri më 10 tetor 2008, Basha ka disponuar 4 pasaporta, tri nder të cilat diplomatike.
Për periudhën 10 tetor e në vijim, Basha disponoi tri pasaporta diplomatike. “Në pasaportën e z. Basha që është përdorur për blerjen e shtëpisë në vitin 2001 ndodhen dy vula shtyrje të afatit të përdorimit. Basha pretendon se ka bërë dy herë shtyrje afati në vitin 2001 e 2002, por në sistem këto dy shtyrje nuk ekzistojnë. Ai kurrë nuk ka dhënë një sqarim për këtë çështje.
Disponimi i më shumë se dy pasaportave në të njëjtën kohë është vepër penale, e dënueshme, sipas KP, neni 110/c, deri në 5 vite heqje lirie.
9. Reprezaljet në administratë
Lulzim Basha, disa ditë pasi u kurorëzua si kryebashkiak i Tiranës, bëri kërdinë në administratë. Basha shkatërroi me shpejtësi një administratë profesionale dhe me përvojë 10-vjeçare në Bashkinë e Tiranës. Basha angazhoi edhe Florenc Hoxhën, i cili rrahu gratë që nuk pranuan të largoheshin.
Ndërkaq, pas mbajtjes peng me forcë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shkarkoi stafin e Këshillit Bashkiak dhe nisi emërimet e reja.
Përveçse çështje administrative, një sjellje e tillë përbën edhe shkelje penale, në këndvështrimin e nenit 164 të KP, për shpërdorimin e kompetencave dhe është e dënueshme deri me 5 vite heqje lirie.
10. Mashtrimet/aferat si kryebashkiak
Basha mashtroi për 30 mijë vende pune, zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe të hekurudhës nga lagjet e banuara, ndërtimin e tramvajin Kinostudio-Kombinat, kalimin e kompetencave tek minibashkitë për dhënia e lejeve për ndërtime të vogla, hipotekimi e të gjitha apartamenteve deri më 15 nëntor 2011, uljen e taksave nga 2-5 herë, heqje e 60 taksave, financimin e stazhit për ata që mbarojnë universitetin nga Bashkia, ndërtimin e parqeve të vogla dhe qendrave argëtuese, ndërtimin e një parku tjetër të madh për Tiranën, kartën e studentit, zhvillimi të 14 qendrave urbane dytësore, heqje nga rruga të fëmijëve që lypin etj.
Në shumë prej premtimeve të pambajtura është konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv, e dënueshme deri në 5 vite heqje lirie.
Për të gjitha këto, në një shtet me gjykata të pavarura, Basha do të kishte rrezikuar të paktën 3 dënime të përjetshme ose në total 180 vite burgim.
Për këtë arsye, lideri i opozitës është personi numër një i interesuar që reforma në drejtësi të mos realizohet, e bojkoti i Parlamentit, si dhe protestat e dhunshme, bëjnë pikërisht këtë, vonojnë zbatimin e kësaj reforme.