Vrasja e Kosta Trebickës ish biznesmenit me shtetësi amerikane që denoncoi aferën e municioneve të Gërdecit ku ishin përzier Shkelzen Berisha dhe njerëzit tij ka mbetur një mister.
Teksa nesër bëhen plot 10 vite nga shpërthimi shtetëror dhe tragjik i Gërdecit, dhe ku humbën jetën 26 të pafajshëm, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkatërruar gjithçka, tashmë në burg nuk ka asnjë, ndërsa ka mbetur vetëm kujtimi i viktimave.
Por janë shumë ngjarje dhe shumë personazhe që janë ngërthyer në vrasjen e njeriut më misterioz, Kosta Trebickës, gabimi i vetëm i të cilit ishte se këmbënguli fort për të bërë biznes. Pikërisht aty ku “gëlonin ujqërit” e krimit të lidhur me politikën. Madje të involvuar me dashje ose pa dashje gjenden dhe familjarë të Kosta Trebickës, që siç del më vonë në këmbim të heshtjes mësohet se kanë përfituar shuma të mëdha.
Ngjarjet janë tepër të lidhura dhe që mund të shërbejnë për një skenar filmash Thriller. Pavarësisht se “çunat” amerikanë, më kryesori Efraim Diveroli u bënë subjekt i një filmi në Hollivood.
Teksa situata po merrte të tatëpjetën në Shqipëri dhe çështja po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për ta. Sipërmarrësit ishin vendosur kundër njëri-tjetrit dhe po mundoheshin të nxirrnin jashtë loje kundërshtarin. Të dëmtuarit përpiqeshin të fusnin shkopinj nën rrota. Një ndër ta ishte edhe Kosta Trebicka, i cili filloi të zbulonte të fshehtat e falsifikimit të fishekëve kinezë në Shqipëri, për shtypin amerikan.
Hetimet kishin filluar me kohë. Një nga personazhet më enigmatikë, si vetë vdekja e tij, është Kosta Trebicka, i cili pas nxjerrjes jashtë nga pazaret e majme të ambalazhimit të fishekëve, filloi të flasë mbi aferat, për të cilat ishte vetë dëshmitar.
Nuk kaloi shumë dhe Trebicka mbeti i vdekur në një aksident të çuditshëm.
Pasi qe përjashtuar nga puna për ripaketimin e fishekëve, Kosta Trebicka i qe ankuar vazhdimisht Diverolit me telefonata dhe e-maile, duke u përpjekur që t’ia kthente mendjen, ose, të paktën, që ky të paguante vlerën e kutive të kartonit që kishte lënë në aeroport, e cila shkonte në mijëra dollarë.
Duke mos pranuar të përjashtohej gojëmbyllur, Trebicka fillimisht ishte përpjekur t’u krijonte probleme të gjithë njerëzve të përfshirë në trafik dhe që kishin marrë përsipër rishtazi punën e ripaketimit. U kishte thënë punëtorëve të tij se i kishin lënë pa punë për shkak të korrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Nxitjet e Trebickës kishin bërë që punëtorët të protestonin duke djegur goma makine në fshatin prej nga qenë pjesa më e madhe e tyre. Por me kaq kishte mbyllur çdo gjë. E kishte paguar Trebicka, jo punëtorët.
Pas përjashtimit nga kontrata, Trebicka vazhdoi të takohej me Podrizkin në Tiranë, duke thënë se qenë “miq”, duke i fryrë në vesh se do hakmarreje ndaj Ylli Pinarit, duke u përpjekur që ta kapte përsëri punën e ripaketimit.
Trebicka përbënte rrezik për krejt biznesin, sepse e vërteta ishte kokëfortë e kundërthënëse dhe përmbante elemente, që mund dërgonte në burg shumë veta.
Prokurorët në Florida i thanë Trebickës se për çështjen e AEY-së duhej të jepte dëshmi nën betim përpara jurisë së madhe. Trebicka nisi të frikësohej se po e futnin në kurth dhe vijoi bisedat me telefon me Diverolin. Të cilin e regjistroi audio dhe e shpërndau për mediat.
Roli i familjarëve të Berishës në biznesin e Gërdecit, sa vjen e bëhet më i qartë. Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenit përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida.
Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaron se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.
“Më shumë, më shumë, kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafie është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë”, deklaronte ai.
Duke mos e përballuar dot trysninë, më në fund Trebicka vendosi të arratisej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk i tha askujt se po largohej dhe i hipi avionit për në Francë. Qëndroi pak ditë në Paris, pothuajse i fshehur.
Më pas Trebicka kthehet në Shqipëri, ndërkohë që akuzonte fort se kërcënohej nga telefonata anonime. Tashmë ai ishte në armiqësi të hapur me Sali Berishën, familjen e tij dhe të gjithë grupin e të implikuarve në ngritjen dhe funksionimin e punishtës së vdekjes në Gërdec, por dhe trafikun e municioneve drejt vendeve ndërluftuese në Afganistan e më gjërë.
Dhe në kulmin e këtij presioni, kërcënimi për eleminim fizik Kosta Trebicka shkon për gjueti në Korçë. Vetëm fare dhe gjendet i vdekur, në një aksident automobilistik.
Edhe shqiptari më naiv nuk mund ta besonte një gjë të tillë. Pasi nuk bëhej fjalë për një njeri që kishte zbritur nga hëna apo ishte rritur në mes të njerëzve idealistë.
Ai kishte qënë hetues në kohën e komunizmit dhe sëpaku ishte shumë i kujdesshëm. Nuk mund të binte kaq lehtë pre e pasionit për gjuetinë, ndërkohë që ishte kthyer vetë në “gjah” për kundërshtarët. Këtë e kishte thënë më se njëherë. Nuk mund të arrinte deri në atë pikë sa të shkonte për “gjah”.
Ish ministri i Brendshëm Bujar Nishani dërgon njerëzit e Berishës të fshijnë gjurmët?!
Grupi i parë i policëve që ishin nisur nga Korça arriti në vendngjarje rreth orës 15:20. Puna e parë që u bë ishte rrethimi i vendit dhe mbajtja sa më larg e gazetarëve.
Pas pak minutash, në vend mbërritën me helikopterë dy grupe ekspertësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nga Prokuroria e Përgjithshme.
Mes të mbërriturve nga Tirana ishte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj si dhe Tonin Vocaj atë kohë në krye të Drejtorisë së Luftës ndaj Krimeve të Rënda.
U dërguan nga ish ministri i Brendshëm Bujar Nishani, në emër të kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.
Kuliçi e Vocaj shkuan të parët në vendngjarje, si kamikazë të Berishës. Ata me sa duket zhdukën të gjitha provat e munshme dhe përgatitën kufomën për ta paraqitur si aksident. Megjithëse në Korçë i ndjeri Kosta Trebicka kishte mbërritur në “gjueti” i ngrirë.
Në vendngjarje nuk i gjend asnjë pikë gjak. Ai ishte mbytur besohet nga burime të besueshme nga policia më pas. Mbërriti më vonë dhe prokurori Sokol Stojani, i cili mori në dorë dosjen e trafikut të fishekëve, për të cilën kishte dëshmuar Trebicka.
Çështja u mbyll që në gjenezë nga grupi “çiftelia” i përbërë nga Agron Kuliçi dora e fortë e Berishës në polici asokohe, Tonin Vocaj që ishe në krye të krimeve të rënda në polici, të cilët kopsitën ngjarjen. Dhe pas mbylljes së kësaj çështjeje me arkivimin si aksident të Kosta Trebickës, filluan shpërblimet për ata që zhdukën provat.
Drejtues i Parë Tonin Vocaj, u emërua Drejtor i Policisë së Qarkut të kryeqytetit. Vendin e lënë vakant nga Tonin Vocaj në krye të Drejtorisë së Luftës ndaj Krimeve të Rënda e zuri Drejtues i Parë, Nikolin Bala, pjestar tjetër i grupit “Çeftelia”.
Ndërkohë që Agron Kuliçi vijoi të merrte e merrte kompetenca të forta në policinë e shtetit, aq sa Drejtori i atëhershëm Ahmet Premçi dha dorëheqjen, duke mos preferuar të jetë kukull në krye të policisë.
Të gjitha rrugët të çojnë në faktin e Kosta Trebicka ishte vrarë
Nëse thuhet se Kosta Trebicka ka vdekur, pasi i ka shtypur kokën makina gjatë rrokullisjeve, në një pjesë të makinës duhet të ketë patjetër një gjurmë gjaku, në vendin ku një pjesë e mjetit është përplasur me kokën e viktimës.
Pikërisht kjo gjurmë, që është thelbësorja për të ngritur pistën e aksidentit, mungon.
Një burim i besueshëm brenda grupit hetimor i marrë me rastin e vdekjes së dëshmitarit kyç të dosjes “Gërdeci”, ka thënë asokohe se në makinë nuk kishte asnjë gjurmë gjaku.
“Nga këqyrja e mjetit rezultoi se nuk ka asnjë gjurmë gjaku, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë”, u shpreh polici gjyqësor në atë kohë. Element që u zhduk menjëherë nga dosja “Trebicka”.
Ai tha gjithashtu se gjurmët e gjakut kanë qenë të pakta edhe në vendin ku u gjet kufoma. “Kishte vetëm pak gjak poshtë kokës, çka është anormale po të gjykojmë nga dëmtimi”, tha ai.
Ndërkohë që nga vendi i ngjarjes erdhën të tjera detaje, me të cilat u ndërtua një skenë tronditëse: një vrasje me mjete të forta, e ndodhur diku tjetër dhe përpjekje për ta bërë të duket si një aksident, në atë fushë me bar në Kulet e Gjergjevicës.
Kështu, hetuesit kanë arritur të kuptojnë se makina nuk ka qenë duke lëvizur në rrugë përpara se të rrokullisej, por është lëshuar nga pjesa e ngritur e asaj fushe ku u gjet i vdekur Trebicka.
Makina i ka prerë tërthoras rrugën e ka përfunduar në pozicionin ku u gjet, rreth 50 metra larg trupit të Kosta Trebickës. Ndërkohë është konfirmuar se në vendngjarje nuk ka shenja të një ndjekjeje me makinë, çka e bën të palogjikshme një lëvizje të tillë të makinës.
Përpos këtyre konkluzioneve të hetimit, shtohen disa dëshmi nga ata që gjetën të parët trupin e pajetë dhe që thonë se në xhamat e makinës kishte shenja duarsh, sikur dikush ta kishte shtyrë atë. Por ka dhe një dyshim tjetër. Një shpend i vrarë pranë trupit të viktimës krijoi menjëherë përshtypjen e vdekjes së papritur të një njeriu të shkujdesur që kthehej nga gjuetia. Por ekspertët kanë thënë se shpendi ishte një element që e anon peshoren nga aksidenti, përkundrazi.
Shpendi që u gjet pranë Trebickës ishte një shapkë fushe, pra një shpend që nuk gjendet në atë zonë malore ku mendohet se kishte dalë për gjueti Trebicka. Mbetet për t‘u saktësuar nëse shpendi është vrarë me çiften e Kosta Trebickës apo me ndonjë armë tjetër.
Ndërkohë, gjuetarët e zonës shpjeguan në atë kohë se në zonë nuk gjuhet asnjëherë ditën, por natën dhe se askush nuk del i vetëm për të gjuajtur.
Gjithashtu, ata kanë pohuar se nuk e kishin parë kurrë më parë Trebickën të gjuante në këtë vend. Por dhe celulari i Kosta Trebickës ka dhënë shumë detaje për hetuesit e kësaj ngjarjeje, që pak nga pak po zhvishet nga velloja e misterit, duke zbuluar një të vërtetë të frikshme, atë të ekzekutimit të një dëshmitari të rëndësishëm të drejtësisë.
Në celularin e viktimës janë parë disa thirrje të humbura, që janë bërë nga telefoni i gruas së tij. Gruaja e ka telefonuar Kosta Trebickën të paktën një orë përpara se ai të ndërronte jetë dhe ai nuk është përgjigjur.
Këto thirrje të humbura tregojnë gjithashtu se rreth një orë përpara se të vdiste, Trebicka ka qenë disa kilometra larg vendit ku u gjet, pasi në Kulet e Gjergjevicës nuk ka sinjal telefonik.
Ndërkohë që policia në njoftimet mbrojti gjithnjë opsionin e aksidentit me makinë, ndërsa opozita hodhi dyshime për ngjarje jo aksidentale por të organizuar.
Edi Rama, kreu i atëhershëm i opozitës në një prononcim për median hodhi pyetjen nëse është fjala për vrasje të qëllimshme, apo aksident i rastësishëm.
Më i ashpër ishte ish kreu i LSI Ilir Meta që kërkoi largimin e Berishës nga kryeministër. Ndërsa ish Ministri i brendshëm Bujar Nishani tha se ngjarja me urdhër dhe të kryeministrit po hetohet në mënyrë të gjithanshme nga një grup i zgjeruar ekspertësh, prokurorë, mjekë ligjorë, specialistë të kriminalistikës etj.
Bujar Nishani tha se do të duhet të pritet rezultati i hetimeve për të dhënë konkluzione për atë që ka ndodhur me biznesmenin Trebicka.
“Të gjitha veprimet hetimore po kryhen nën drejtimin e prokurorit të rrethit gjyqësor Korçë. Në dispozicion të prokurorisë së rrethit janë vënë ekspertë të të gjitha fushave për të kryer ekspertizën e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për të konkluduar në përfundim mbi mekanizmin e ndodhjes së saj.
Në dispozicion të grupit hetimor janë vënë dhe dëshmitarët që kanë dijeni dhe tregojnë rrethanat e hetimit të kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit vazhdon intensivisht veprimet hetimore, procedurale të kësaj çështjeje.
Me marrjen e njoftimit mbi këtë ngjarje, është njoftuar kryeministri, i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejtë, të plotë e të gjithanshëm të kësaj çështjeje. Me daljen e konkluzioneve të ekspertëve të përfshirë, ato do të bëhen të ditura zyrtarisht”, deklaroi Nishani.
Pra flet ministri në emër të prokurorëve dhe zbaton urdhërin e kryeministrit për hetim të gjithanshëm. Një nonsens.
Gruaja Bujar Nishanit, Odeta dhe ajo e Kosta Trebickës, Brunilda ortake në biznes
Kosta Trebicka u largua nga kjo botë duke lënë pas një denoncim ndaj familjes Berisha por dhe duke marrë të vërtetat e ndarjes nga kjo botë me vete.
Ai kishte hyrë në “radarin” vdekjeprurës të familjes Berisha. Trebicka denoncoi shumicën e trafikut të municioneve dhe pastaj tentoi deri në fund të jetës së tij të bënte biznes me dëshminë e tij mbi njerëzit që kishin thirrur Diverolin në një apartament në Tiranë dhe i kishin bërë presion të largonte Trebickën. Mes tyre Shkelzen Berisha.
Ndërkohë që ai po përpiqej të menaxhonte një sekret që të vret, familja Berisha nisi të marrë me të mirë bizneset e tij duke përfshirë gruan e tij Brunilda Trebicka në një biznes universiteti me gruan e ish-Ministrit të Brendshëm, më pas president Bujar Nishani.
Ka qënë Bujar Nishani asokohe Ministër i Brendshëm që vrapoi ta ngushëllonte i pari partneren e gruas së tij pasi u mor vesh se burri i saj ishte vrarë.
I ndjeri Trebicka iku duke e marrë të vërtetën me vete, duke vepruar si një njeri i zakonshëm që tundohej nga ideja e rimarrjes së këtij biznesi përmes mbështetjes politike. Por aty ishin ujqërit. Që nuk kursyen 26 jetë të pafajshme dhe plagosën 300 të tjerë, jo më të mos eleminonin Kosta Trebickën.
Odeta Nishani dhe Brunilda Trebicka ishin në ortakëri me Salvatore Messina, një profesor doktor nga Siçilia e Italisë. I cili vuri në zbatim një projekt evropian, për ndërtimin “Universitetit Europian për Turizëm”, në Shqipëri.
Fondacioni është hapur që para shumë vitesh dhe përgjatë gjithë kësaj kohe kishte funksionuar si shkollë e lartë jo publike. Brunilda Trebicka, së bashku me profesorin Italian Salvatore Messina, Odeta Nishanin, gruan e Presidentit Bujar Nishani, kanë qenë të parë që kanë themeluar këtë fondacion, ku secili ka dhënë vullnetarisht nga 50 mijë euro.
Madje gruaja e Nishanit ka qënë ajo që në fillimet e para ka qënë më tepër aktive, ku së bashku me profesorin Salvatore Messina, kanë takuar Bujar Nishanin atë kohë ministër i Brendshëm, për vënien në zbatim të këtij projekti.
Më 2010 profesor Messina konstaton se kanë filluar të vidhen para. Vjedhjen prej 188 985 euro, e ka nxjerrë nga një ekspert kontabël, por diferenca në minus sipas ekspertëve ishte 125 euro.
Prokuroria vijoi hetimet për këtë çështje. Por jo vetëm u mbyll çështja por dhe universiteti, që rezultoi një mashtrim i madh. Odeta dhe Brunilda vijuan bashkëpunimin në biznes, ndërkohë që Bujar Nishani ashtu sikurse ata që zhdukën provat në polici që u ngritën në detyrë, mori postin e jetës.
Sali Berisha në mënyrë të prapritur e bëri president. Nuk është çudi që ta bëjë dhe kryetar PD. Shërbimi në shumicën e rasteve shpërblehet.