Universitetet shqiptare që sot quhen “publike”, nuk kanë dalë akoma nga “partishmëria” e dikurshme politike! Mbase ose sigurisht kanë dalë nga ideologjia, por jo nga politika dhe ndikimi i fortë i partive të saj! Duhej të ishte ndaluar me ligj aktiviteti politik në universitete sikundër ndalohej dikur në kohën e Monarkisë dhe para Monarkisë në shkolla!
Po ndalohej dhe me anën e urdhëresave dhe qarkoreve, organizimet politike në shkolla si organizata dhe forume që kishin studentë dhe nxënës apo dhe mësues! Vetë protesta e studentëve tregoi qartë dhe plotësisht, se si studentët dhe profesoriati ishte i ndarë dhe shpesh haptas i përkulur politikisht! Turpësisht organizimet FRPD, FRESH dhe LRI, vepruan në dëm të pavarësisë dhe lirisë akademike dhe të jetës studentore!
Sabotuan dhe lëvizjen e sinqertë të studentëve, që nuk donin politikë dhe anim të tillë në protestën e tyre! Po kështu dhe një pjesë e stafeve akademike dhe profesoriatet që janë një pjesë e madhe në forumet politike sidomos të PD-së, por dhe PS e LSI! Dje, Rama i cilësoi “sharlatanë” njerëzit e profesoriatit me doktoratura të marra si një marrëzi e tillë në dukurinë më të keqe akademike që kemi sot! Ka të drejtë, por arsyeja është politika! E këto sharlatanë, futen në qeverisje, (edhe te e sotmja) dalin në televizione dhe delirojnë në patetiken e njeriut bosh, që shet mend me doktoraturën e falur ose vjedhur, japin mësim, kanë ministri, drejtori etj., etj!
Në fakt janë sharlatanë, ose hajdutë doktorature, ose prodhim politik i cili pajiset me doktoraturë, si shumë politikanë të cilët nuk lidhin dot dy fjalë njerëzisht dhe në qytetaren e detyruar e mbajnë doktoraturë politike me vete! Padyshim nuk janë të gjithë, sepse kemi profesoriat dhe njerëz të rëndësishëm të akademizmit të nderuar, por ka qartësisht prodhim të shëmtuar titujsh që i ka prodhuar politika e zbatuar me partishmëri në universitete! Prej kohësh kjo marrëzi – jo thjesht tani! Kohët e fundit është bërë përmirësimi dhe pse janë stopuar padrejtësisht doktoraturat, për është bërë një kritikë e ashpër për sasinë dhe cilësinë e tyre!
Po pse ka faj politika dhe pse sëmundja e “doktoraturave të sharlatanëve” është politike!
Sepse prej 20 e disa viteve, universitetet u bënë strofulla ku politika mundohej “por dhe ka emëruar rektorë, dekanë dhe staf punonjës”! Absolutisht si në të gjitha pjesët e tjera të administratës! Zgjedhjet e akademizmit në universitete, janë shëmbëlltyra të zgjedhjeve politike te ne! Edhe lidhja me Ministrinë e Arsimit (e bukura është se kanë pavarësi me paratë e shtetit si buxhet) në raport me stafet dhe titujt është politike! I kanë hapur dhe mbyllur “doktoraturat” si interes politik dhe korruptiv prej kohësh!
Ndalonin njerëzit normalë dhe prosperonin sharlatanët që kishin si lek dhe aftësi politike në lobingjet e ndyra të saj, pikërisht në universitete! U kthyen në fabrika pagesash dhe vjedhje masive si plagjiaturë dhe nganjëherë “copy paste” në mënyrë banale! U krijua “mafia” e titujve, e cila komandonte politikisht nga njëra anë dhe në anën tjetër përfitonte financiarisht! Njerëzit e tillë ishin padyshim emërime dhe prodhim politike nga PD dhe padyshim PS, por aktiviteti idiot i një mënxyre të tillë politike në universitete, mori një “zhvillim katrahurë korruptive” me Sali Berishën dhe shkollë e tij të “lirë” dhe për të gjithë!
Pa le pastaj universitetet private, që ishin marrëzia më e madhe shkollore dhe edukuese te ne! Sot kanë mbetur pa tituj njerëz ekselentë që me format e ndalesat e krijuara nga zgjidhjet dhe aferat politike e korruptive, nuk kanë mundur të marrin titull dhe janë mbushur me tituj hajdutë dhe maskarenj politik si dhe njerëz afër saj (politikës) si afere!
Të tillë zhvillim ka “universiteti me partishmëri” brenda! Ku partia lobon stafe dhe grupe interesi politik! Ku politika vendos me format dhe përmbajtjen e saj rektorin dhe dekanin, por dhe që përkëdhel studentët si politikanë të ardhshëm në tre kusitë e organizuara FRPD, FRESH dhe LRI! Të tillë studentë nuk mësojnë sepse punën do t’ua gjejë partia dhe doktoraturën po ashtu partia!
Do ti “shtyjë” drejt suksesit duke ju krijuar premisa me format e ditura sot! Nuk ka më shumë se sa te ne, pedagogë që marrin pjesë në forume dhe diskutime politike, në demostrata, protesta, në televizione të angazhuar ashpërsisht politikisht! Të tillë njerëz pastaj duan të bëjnë njeriun “inert” politik, në auditoret e universiteteve!? Njeriun e paanshëm politikisht në zgjidhjet dhe reformën universitare! Njeriun që i bindet si ushtar partisë dhe liderit politik të saj dhe që i ka dhe studentët të ndarë me politikat e “FRPD, FRESH dhe LRI”!?
Kjo është apoteoza e universiteteve tona akoma të varura si me strategji dhe reforma, por dhe si individ nga politika e rëndomtë e ditës! Këto universitete kanë prodhuar dhe “doktoratura” të cilat pastaj KM-ja i quan “sharlatanë” dhe që realisht një pjesë e vogël janë! Janë në kurriz të kolegëve të tyre (që akoma dhe pse e meritojnë nuk e kanë marrë dot) që janë penguar me parimet e “partishmërisë” dhe lekëve!
Sharlatanë politikë si fillim dhe pastaj në akademizëm! Sepse ky “sharlatanizëm” i doktoraturave dhe universiteteve politikisht të sëmura, është moment pikërisht politik! E nuk ka, më keq se sa kaq! Ka vetëm një shërim! Largimi i universiteteve nga ndikimi politik, nga afera politike në të, nga pjesëmarrja masive në politikë i studentëve të organizuara në forume që bëjnë propagandën dhe punën e tyre në orë të mësimit!
Të tillë aferë e kanë lejuar stafet të emëruara politikisht nga të cilët kanë dalë forumistë, deputetë, politikanë të nivelit të lartë, këshilltarë bashkiakë, kryetarë bashkie me “doktoraturë”, “Senate” universitare që dalin dhe pse nuk bie në sy nga lëvizjet e politikës jashtë universitetit, pro brenda tij me ndikim të jashtëzakonshëm! E ne presim doktoratura jashtë sharlatanizmit?! Kjo është e pamundur! Sa të jetë prezente politika si model në universitete, gjithmonë ka për të pasur sharlatanë me doktoraturë dhe akoma më shumëse sa kaq! Sigurisht që është turp, por si gjithmonë ne si shoqëri vazhdojmë edhe në këtë rast ta hamë me bukë! /Nga Besi BEKTESHI