Kryetarja aktuale e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi është shprehur se ndjehet e frikësuar nga situata e krimit që po precipiton frikshëm në këtë qytet.
Voltana e thotë publikisht para ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtuesve të policisë, se ndjen frikë nga bandat e krimit, që tashmë kanë marrë në dorë kryeqendrën e Veriut.
“Ndihem e frikësuar, sapo ka filluar. Nuk duhet t’i lëmë të hanë kokat e tyre. Të bashkëpunojmë për të parandaluar krimin”, ka qënë deklarata tronditëse e Ademit.
Ministri i Brendshëm Lleshaj e ka vlerësuar komunikimin e sinqertë të kryetares së Bashkisë teksa nënvizoi se “krimi nuk është në ato nivele sa të shkaktojë frikë. Bashkë do i kthejmë dinjitetin Shkodrës”.
Ku fjalia e fundit ka qënë përtej përcaktimit të ministrit, teksa ka përcaktuar se kush do të jetë kryetar bashkie dhe katër vitet e ardhshme, pavarësisht se ende nuk dihet nëse PD do hyjë në zgjedhje apo do kandidojë Voltanën. Dhe për më tepër që Rama lufton që ta fitojë Shkodrën.
Por përtej këtij lapsusi politik, Voltana Ademi ka shprehur frikë personalisht për agravimin e situatës, ndërkohë që ka lëshuar mesazhe dhe në drejtim të kreut të policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili në mënyrë skandaloze i ka lënë fjalën në mes, duke ikur nga takimi.
Frika e Voltanës me sa duket vjen nga fakti se kandidatët dhe partitë kur hyjnë në zgjedhje kërkojnë mbështetjen nga të gjitha anët, pra dhe nga krimi dhe të inkriminuarit.
Këtu me sa duket e ka frikën dhe Voltana Ademi, ashtu sikurse të gjithë ata politikanë që e kanë “ngjyer” sadopak me krimin, dhe në këtë luftë të tmerrshme bandash që ka shpërthyer në Shkodër, kur ndjehet i pari kreu i bashkisë i frikësuar, qytetarët janë të tmerruar fare.
Fakti është se në Këshillin Bashkiak të Shkodrës është dhe një nga këshilltarët e djathtë, që ka pasur probleme me Voltana Ademin, në gjysmën e dytë të mandatit të saj si kryetare bashkie.
Pikërisht në një mbledhje të këshillit bashkiak të Shkodrës, gjatë diskutimit të pikës 10 të rendit të ditës “për sistemet e pikëzimit për programet sociale të strehimit” këshilltari i djathtë Mustafa Lici kërkoi që të marrë fjalën por kryetarja e bashkisë Voltana Ademi nuk e lejoi duke ia dhënë fjalën një tjetri.
Në këtë moment kur këshilltari Lici nuk u lejua që të flasë ai u ngrit nga vendi dhe iu drejtua me zë të lartë kryetares së bashkisë duke i thënë se “të jesh e kujdesshme ne mua. Nuk mundesh të na ndalësh fjalën ne dhe as të mos na respektosh. A more vesh moj, as ti dhe as Zoti s’ja ndal fjalën Mustaf Licit. Nuk mund të bësh ti si të duash, a more vesh. Të kesh kujdes me mua”.
Voltana që në atë moment dhe më vonë e ka mbyllur gojën dhe nuk ka folur asnjëherë, ndërkohë që Lici është shprehur më se njëherë në ambiente private dhe publikisht se e kishte ndihmuar Voltana Ademin të mblidhte vota për t’u zgjedhur kryebashkiake.
Ndërkohë që anëtari i djathtë i këshillit bashkiak, një ditë pas vrasjes së Fatos Ferracakut dhe plagosjes së Fatmir Mehajt në Shkodër, është shoqëruar në policia dhe është marrë në pyetje së bashku me djalin e tij Hamza Licin 15-vjeç.
Motori që u gjet i djegur nga policia, dhe që dyshohej si mjeti të cilin e përdorën atentatorët për të ekzekutuar 41 vjeçarin, Mustafa Ferracaku, është gjetur pranë banesës së familjes Lici. Por pas shoqërimit nga policia Mustafa Lici së bashku me personat e tjerë janë lënë të lirë./Pamfleti/