Besueshmëria e publikut tek puna e komisioneve të vetingut ka filluar të lëkundet. Është mbushur një vit nga nisja e punës së organeve të reja të drejtësisë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerëve Publikë dhe deri tani kanë kaluar në sitë afro 100 gjyqtarë dhe prokurorë.
Por vendimet për ta jo gjithmonë kanë qenë brenda pritshmërive. Janë plot 18 vendime konfirmimi të papritura të cilat kanë shkaktuar habi dhe kanë trazuar drejtësinë, por edhe politikën. Në krye të vendimeve të dyshimta qëndrojnë ato për dy krerët e gjykatave më të rëndësishme në vend, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Xhezair Zaganjori dhe Bashkim Dedja u konfirmuan të dy në detyrë nga KPK, pavarësisht problemeve të shumta me pasuritë që ishin listuar gjatë seancës dëgjimore po nga vetë trupa gjykuese e KPK.
Ky vendim ishte i papritur sepse nisur nga gjetjet, të gjithë prisnin që ata të shkarkoheshin nga detyra. Ky “anashkalim” i KPK nuk iu shpëtoi Komisionerëve Publikë, të cilët ankimuan si vendimin për Deden, ashtu edhe për Zaganjorin. Një tjetër vendim i dyshimtë është edhe ai për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Ai momentalisht po vijon betejën në KPA për të mbajtur detyrën e gjyqtarit, por përfundoi pranë organit kolegjial pasi Komisionerët Publikë konstatuan se hetimi i KPK për të nuk kishte qenë i plotë dhe për disa vite Islamaj nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar pasuritë.
Besimi tek KPK u lëkund edhe kur u dha vendimi për konfirmimin në detyrë për gjyqtaren e Tiranës, Alma Brati. Vendimi për të ishte pozitiv pavarësisht se ishin konstatuar mospërputhje mes deklaratash për pasuritë e saj. Këto kontradikta bënë që Komisionerët Publikë ta ankimojnë vendimin për Bratin. Edhe ajo është në pritje të vendimit nga KPA. E njëjta histori është edhe për gjyqtarin tjetër të Tiranës, Astrit Faqolli.
Vendimet e tjera të dyshimta
Të dyshimta janë edhe vendimet që KPK ka dhënë për dy gjyqtarët e Administratives, Gentjan Medja dhe Artur Malaj, gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Nertina Kosova, dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Gentjan Osmani dhe Besnik Muçi; prokurorin e Shkodrës, Arben Dollapak; prokurorin e Elbasanit, Besnik Cani; prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova dhe kryegjyqtaren e Krujës, Alma Kolgjoka.
Të gjithë këta emra janë ankimuar nga Komisionerët sepse është konstatuar se hetimi i KPK për ta nuk ka qenë i plotë, çka e vë në dyshim vendimin e konfirmimit. Emri më i fundit që lëkundi pozitat e KPK është ai i Donika Prelës. Edhe ajo u konfirmua krejt papritur pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, ndërsa pritet që Komisionerët ta ankimojnë. Por deri tani nuk janë lëkundur vetëm pozitat e KPK.
Edhe KPA ka patur një rast, ku është dhënë një vendim i dyshimtë. Bëhet fjalë për Antoneta Sevdarin, e cila u shkarkua nga ky organ, edhe pse KPK e konfirmoi. Ky vendim shkaktoi mjaft debat dhe ngjalli polemika. Nga ekspertë të fushës ai u cilësua si i padrejtë. Ndërkohë, ka edhe nga ato vendime konfirmimi të dhëna nga KPK që kanë ndezur politikën.
Sulmet nga organeve të vetingut nuk kanë munguar asnjëherë, por demokratët e shtuan dozën e akuzave veçanërisht për rastin e Ardian Dvoranit, që drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe për rastin e gjyqtarit të Apelit, Ilir Toska. Vendimet për të dy ata u cilësuan nga demokratët si të ndikuara politikisht. Të gjitha këto raste kanë vënë në dyshim punën e organeve të vetingut, por përfaqësuesit e ONM kanë punuar fort që shkeljet në vendim të jenë sa më të pakta.
Sipas burimeve të gazetës, ekspertët ndërkombëtarë kanë qenë një shtysë shumë e fortë që të mos ketë vendime të dyshimta dhe të mos ketë favore për gjyqtarët dhe prokurorët. Ata u kanë dhënë ultimatum komisionerëve që puna e tyre të jetë ligjore dhe të mos ndikohet nga askush./Mimoza IBRA