Reforma në drejtësi duket se ka futur në panik politikën shqiptare. Por duket qartë se më të shqetësuar janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe funksionarë të PD-LSI. Ky i fundit gjatë një interviste televizive ka sulmuar reformën në drejtësi, ndërsa akuzoi qeverinë se ka eliminuar shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kontekst, Berisha vuri në dukej faktin se kryeministri Edi Rama dhe qeveria që ai drejton është e kryekëput e korruptuar, ndërsa theksoi se shpresën qytetarëve shqiptarë do t’iu rikthejë vetëm Partia Demokratike.
Por Berisha e tregoi qartë se i druhet reformës në drejtësi. “Mediat ndërkombëtare kanë mbështetur fuqishëm opozitën. E kanë mbështetur sepse kanë konstatuar se këtu është një nga 15 qeveritë më të korruptuara të planetit. Kanë konstatuar se këtu është një narkoshtet, në të cilin për të qene ministër i Brendshëm duhet të kesh lidhje me drogën se ndryshe nuk bëhesh dot. Kanë konstatuar në fushë ndërtohet autostrada 1 milion euro kur e financojnë bankat europianë dhe 22 milionë euro kur e financon shteti.
Kanë konstatuar se këtu është shuar Gjykata Kushtetuese, Shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin dhe ndaj nuk ka asnjë diskutim se Destabilizimin më madhor e jep narkoshteti dhe kaktistokracia dhe jo protesta, ajo është për rivendosjen e vlerave dhe shqiptarët do të fitojnë”, deklaroi ai.
Ish-kryeministri distancohet nga rusët
Teksa në arenën ndërkombëtare është hapur një debat, ku vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë alarmin se po rritet ndikimi rus në Ballkan, sidomos në Shqipëri, Berisha është munduar që të distancohet nga kjo çështje. Edhe pse shumë politikanë kanë akuzuar ish-kryeministrin se ai është i lidhur me rusët, gjatë prononcimit të tij, Berisha e hoqi topin nga vetja, duke ia hedhur kryeministrit Edi Rama.
Në këtë kontekst, Berisha nuk e mohoi që ka ndikim rus në Shqipëri, teksa deklaroi se shefi i ekzekutivit shqiptar ka lidhje me rusët dhe jo ai, sikundër trumbetohet. Madje, për të vërtetuar akuzat e tij ndaj Ramës, ish-kryeministri iu referua edhe një interviste të dhënë dy ditë më parë nga ambasadori i Rusisë në vendin tonë, Aleksandër Karpushin. “Padiskutim që Shqipëria dhe çdo vend është e ekspozuar. Kreu i ekzekutivit është i i biri i një njeriut emri i të që ka qarkulluar në dosjen Mitro Kin.
Jo rastësisht e përmendi ambasadori rus Kristaq Ramën, që kishte studiuar për vite të tëra në Akademinë e arteve në Petërsburg. E vërteta është se çfarë kanë rus dhe KKB ndodhet në dosjen e asaj partie. Trashëgimia e shërbime ruse është e tmerrshme mbi atë parti”, u shpreh ai.
Berisha vlerëson Metën
Duke komentuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e cila dje shënoi 10 vjet që ka hyrë në aleancë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se asokohe punoi kundër anëtarësimit të vendit tonë në këtë organizatë. Sipas tij, i vetmi që ka meritë nga e majta sa i takon hyrjes së Shqipërisë në NATO është Presidenti Ilir Meta. “Falë një përpjekje të madhe të reformave të qeverisë PD dhe koalicionit.
Falë mbështetjes së fuqishme të Presidentit Bush dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila themeloi kartën e Adriatikut 3 për të ndihmuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO dhe u dhanë këtyre tre vendeve planin e veprimit. Ditën e marrjes së ftesë Edi Rama kishte dërguar misionarët e vet që mashtronin shqiptarët se ftesa nuk merrej dhe ditën e anëtarësimit organizoi në sheshin “Skënderbej” protestë me portretet të Enver Hoxhës.
Por në këtë 10 vjetor Shqipëria ka një vazhdimësi të atyre arritjeve. Dua ti shpreh nderimin ti, sot Presidentit Meta dhe ish kryeministri Pandeli Majko më vonë në opozitë, dhe ata promotor dhe ata në PS për anëtarësimin e të Shqipërisë në NATO”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha. /Rigels Seliman