Aferat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nën drejtimin e ish-presidentit Bujar Nishani dhe pasardhësit të tij, Ilir Meta do të zbardhen shumë shpejt nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Gazeta tregoi pak ditë më parë sesi KLGJ kishte vendosur të ngrinte një komision për shqyrtimin e 183 ankesave që kishin mbërritur pranë zyrave të këtij organi kundër vendimeve të Inspektoratit të ish-KLD për masat e marra ndaj gjyqtarëve.
Është e ditur tashmë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë për aq kohë sa ekzistoi qe i mbushur me skandale, por favoret më të mëdha ndaj gjyqtarëve janë kryer gjatë kohës kur ky organ drejtohej nga Bujar Nishani dhe Ilir Meta. Nishani futi në drejtësi shumë emra që sot rezultojnë të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa KLD e Metës shpëtoi nga ndëshkimi shumë gjyqtarë që kishin kryer shkelje ligjore. Të gjitha rastet në shkelje të ligjit janë anashkaluar edhe nga Inspektorati i KLD, i cili kishte për detyrë të hetonte punën e gjyqtarëve dhe kur konstatoheshin probleme të merrte masa ndaj tyre.
Për të gjitha herët që Inspektorati i KLD ka vendosur kundër kërkesës së qytetarëve për ankesat e tyre ndaj gjyqtarëve, KLGJ tani ka ngritur një komision për t’i rishqyrtuar këto raste. Të pakënaqur nga puna e inspektorëve të KLD, qytetarët i janë drejtuar KLGJ për të rrëzuar vendimet e tyre. Në mbledhjen e fundit, KLGJ miratoi rregulloren ku përcaktohet sesi do të funksionojë komisioni i përkohshëm i ngritur për ankesat e qytetarëve kundër vendimeve të Inspektoratit të KLD. Ndërsa dje u zbardh rregullorja e plotë.
Detajet e rregullores
Në nenin 4 të rregullores së komisionit të përkohshëm që do të merret me 183 ankesat e qytetarëve kundër Inspektoratit të KLD përcaktohet se kërkesat e depozituara shpërndahen me short për të përcaktuar anëtarin e komisionit që do të jetë relator i dosjes përkatëse.
“Ankesat të cilat janë të depozituara ne protokollin e Këshillit shpërndahen me short, mes anëtareve, i cili përcakton anëtarin që është relator i dosjes përkatëse. Shpërndarja bëhet në prani të të gjithë anëtarëve. Anëtari relator, përgatit relacion informues për ankimin dhe e shpërndan anëtarëve të tjerë të Komisionit së bashku me propozimin përkatës”, thuhet në rregullore.
Neni 8 më tej përcakton sesi do të trajtohen ankesat e qytetarëve. Si fillim do të vëzhgohet nëse Kryeinspektori i KLD e ka arkivuar siç duhet kërkesën e qytetarit kundër një gjyqtari. “Komisioni verifikon nëse arkivimi i ankesës nga Kryeinspektori është bërë në përputhje me nenin 120 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtareve dhe prokuroreve ne RSH” që përcakton se kriteret për pranueshmërinë e ankesës janë:
a. paraqitet në formë të shkruar dhe përmban të dhënat e mëposhtme: gjeneralitetet dhe adresën e ankuesit, si dhe nëse ankuesi kërkon konfidencialitetin e identitetit të tij; përshkrim të rrethanave të faktit që pretendohen të kenë ndodhur; emrin dhe mbiemrin e magjistratit, gjykatën ose prokurorinë, në të cilën magjistrati ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur shkelja e pretenduar; i referohet fakteve që kanë ndodhur brenda afatit të parashkrimit për hetimin disiplinor; nuk përmban elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues;bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur; bëhet ndaj sjelljes së magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur; bëhet ndaj sjelljes së magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji”, shtohet në rregullore.
Pranimi i ankesave
Kur pranohet kërkesa e qytetarit, ajo arkivohet në një regjistër të veçantë dhe lihet në pritje për tu shqyrtuar nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kur të ngrihet. “Në rastin kur Komisioni i Përkohshëm pranon ankimin, pra rrëzon vendimin e dhënë nga Kryeinspektori i ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njoftohen palët dhe çështja regjistrohet në një regjistër të veçantë të krijuar për këtë qëllim, në pritje për t’i kaluar për hetime të mëtejshme Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë sapo ai të ngrihet si institucion”, thuhet në nenin 9. Ankesa e një qytetari nuk pranohet vetëm në rastet kur ajo është paraqitur jashtë afatit ligjor.
“Nëse ankimi kundër vendimit të Kryeinspektorit të ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për arkivimin e ankesës, dhe për mbylljen e hetimit ndaj veprimtarisë gjyqësore të magjistratit, është paraqitur jashtë afatit ligjor, që parashikon neni 121 paragrafi 3 dhe neni 122 paragrafi 5 të ligjit 115/2016, Komisioni vendos mospranimin e ankimit për këtë shkak”, sqarohet më tej në nenin 8 të rregullores. Çdo mbledhje e komisionit të posaçëm të ngritur për të trajtuar ankesat e qytetarëve kundër vendimeve të inspektorëve të KLD do të zbardhet përmes procesverbaleve.
“Kryetari i Komisionit është përgjegjës për të siguruar që administrata të marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që çdo mbledhje e Komisionit të dokumentohet në mënyrë të përshtatshme përmes procesverbalit me përmbledhjen e diskutimeve dhe nëse është e mundur nëpërmjet sistemit audio”, thuhet në rregullore. Ankesat do të shqyrtohen sipas radhës, duke marrë parasysh datën e regjistrimit. /Mimoza Ibra