Vetëm te ne “bën vaki” që politika mbledh median, gazetarët dhe mban fjalime patetike, marrëzi gënjeshtrash me modelin “si duhet të jetë media” ndërkohë që në pushtet kanë bërë të kundërtën! Akoma më keq kur grupime gazetarësh ftojnë një politikan që të mbajë leksione demokracie për median dhe lirinë e saj pa “jetuar ato orë në lirinë e kritikës dhe mendimit real kritik edhe ndaj atij që ke ftuar”!
“Bashkëbisedimet” me gazetarët dhe mediat që janë “eksperienca deklamim” të doktor Berishës me modelin “flas unë çfarë më merr mëndja” dhe ju dëgjoni e transmetoni në testatat tuaja, janë padyshim butaforia më e madhe e gazetarisë shqiptare! Por dje ishte një tjetër butafori që të bën përshtypje që në titull! Në krye, poshtë kokës së liderit të opozitës ose njërit nga dy politikanët kryesore të politikës shqiptare pra Lulzim Basha (nuk e di në se kishin ftuar Ramën se do të ishte frymëzim i paparë për nesër) shkruhej: Liria e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe interesit publik.
Si fillim me keq ardhje për disa nga njerëzit aty që janë sigurisht të mirë ditur mbi “lirinë e shtypit” nuk duhet të kishin lejuar jo vetëm mbledhjen rreth një politikani, por as sloganin që është gabim! “Liria e medias” (Shtypit) nuk është funksion, por e drejtë! Liria e medias është vetë demokracia dhe jo funksion i saj! Funksion e ka ai politikani që vjen pa turp në një vend ku nuk i takon të jetë! Ku nuk duhet të prijë! Ku nuk është i indikuar të kryesojë dhe të tregojë lidership politik! Një marrëzi e tillë, nuk ka mundësi të ndodhë në vendet demokratike! Nuk ka shanse kreu i opozitës në Gjermani, Francë, Itali, Hollandë, Danimarkë, Suedi, Austri, etj., etj., të jetë kryesues i një tavoline gazetarësh dhe të japë mendime, leksione, premtime politike demokracie për median!
Është akoma më keq se Rama që pastaj në “shoë politik” e sipër të tijin, fillon me “kazan ky dhe kazan ai e, kadri ky, e kadri ai”!? Sepse ai e bën i paftuar dhe jo në vend nderi, leksionin e tij të “kazanëve dhe kadrinjve të medias”! Sepse nuk dua të them se në këtë takim ishin sfera interesi, modele interesi mediatik pranë të djathtës dhe në shërbim të së djathtës, sepse nuk bën të them kështu, por që vetë takimi auto denoncohet se është i tillë, kur përdoret në shërbim të kryetarit të opozitës që mban fjalime moralistike për median!
Media e lirë dhe e drejta e fjalës së lirë janë themele demokracie dhe jo funksione të saj, sikundër do Basha dhe ato që mbase e ftojnë për këtë ide! Në deklaratën universale të drejtave të njeriut thuhet kështu: Kushdo ka të drejtë të opinionit dhe shprehjes, kjo e drejtë përmban dhe lirinë për të mbështetur opinione personale pa interferenca, për të kërkuar, marrë dhe mësuar informacione dhe ide nëpërmjet çfarëdo mjeti informacioni, pavarësisht nga fakti si ai kalon dhe kufijtë! Dakord të dashur kolegë, por kjo i duhet bërë e qartë politikës dhe politikanëve që marrin përsipër të kryesojnë dhe japin leksione medias dhe gazetarëve, duke mos qenë në “konferencë shtypi”! Pra nuk ka lidhje me “funksionin” por me vetë lirinë dhe sigurisht të bijën e saj demokracinë!
Por ne e kemi dhe në Kushtetutë! Ja Neni 15 pika 1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. E fjala e lirë dhe shtypi lirë janë të drejtat universale të njeriut!
Kushtetuta ka nenin: Neni 22 1. Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. Lideri i madh (LB-ja) i PD-së sot, mund ti referohet disi eksperiencave të njeriut prej të cilit ka marrë postin e sotëm, ose Sali Berishës në të dikurshmen e tij si “kryekampion” i rrahjes së gazetarëve, djegieve të gazetave dhe burgosjes së njerëzve të shtypit!
Por në Kushtetutën e Shqipërisë në nenin 23, pika 1 thuhet: E drejta e informimit është e garantuar. 2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore. Vetë lektori i madh i këtij takimi është një nga njerëzit që ka “garantuar” në funksionet e tij të dikurshme zyrtare politike të larta, të drejtën e informimit dhe sidomos marrjen e informacionit për veprimtarinë!
Hahaha as eufemizëm nuk mund të jetë! Lulzim Basha as Prokurorinë e Përgjithshme si ish ministër i Brendshëm, nuk e lejoi të bëjë punën e vetë me 21 janar, jo më të merrte media informacione mbi serverat dhe protokollet e gardës e cila vrau katër civilë të pafajshëm në bulevard! Ky person të kryesojë tavolinë mbi demokracinë dhe median si “medemek funksion i saj”! Po kjo është të ulërish nga deliri që ka zënë jo vetëm lidershipin e PD-së, por dhe një pjesë të atyre që duke parë Ramën arrogant kujtojnë se ky burri është vërtetë i “mirë”!
Cilën transparencë dhe media lejoi Basha për marrëveshjet dhe firmat me Bakojanisin për detin e falur Greqisë!? Pse nuk u çua dikush atje, t’ia thoshte këtë gjë? Po e drejta e informacionit, kur ishte “ndërtuesi i rrugës së Kombit” dhe që nuk qartësohej asgjë në media mbi mungesat e projektit, mbi grabitjen dhe mbi mos mbarimin e punës, mbi shtesat grabitqare te tuneli apo urat e pambaruara, apo rrugët e tjera bërë pa standarte! Ky ishte personi që jepte leksione demokracie dhe e donte median si “funksion i demokracisë së tij”!
Sigurisht! Kur media e lirë, fjala e lirë është kolonë e lirisë dhe demokracisë perëndimore! Ja çfarë thoshte në takim (gjumashi si kryetar bashkie pa asnjë transparencë në punët e tij të asaj kohe) Lulzim Basha: Problemi i sigurisë së gazetarëve, janë nën trysni dhe kërcënime të vazhdueshme për shkak të detyrës, e kam fjalën për kërcënime për jetën nga krimi i organizuar që kanë marrë edhe formën e goditjen me armë. Censura dhe autocensura për shkak të varësisë direkte apo indirekte nga të ardhurat e qeverisë apo pushtetit. Përdorimi i medias për avancimin e interesave ekonomike dhe jo të interesit publik.
Kanë probleme që lidhen me profesionalizmin që kanë cuar me dashje apo pa dashje në braktisjen e medias nga interesi publik, dhe vënien e saj në shërbim të interesave jo publike deri kriminale. Problemi kryesor që në shohim në raport me median është pamundësia apo paaftësia për të pasqyruar probleme të thella të shoqërisë, ekonomisë e politikës. Kjo i kthen në kronikanë sipërfaqësorë, në vend që të luajnë rol të rëndësishëm siç është ai i hulumtimit. Duhet të denoncojë politika, që ta japë media. Na akuzojnë se jemi bërë ne si media, për të plotësuar një boshllëk të lënë prej saj”, theksoi Basha. Ku ka më demagogji se sa kjo!? Të gjitha çfarë tha, kanë qenë edhe kur ai ishte në pushtet!
Deri sa gazetarët dhe media të ulen në një tavolinë me lidershipe të tilla politike për të marrë leksione dhe premtime demokracie që “ata janë kështu dhe ne do ta bëjmë kështu”, aq herë do të deformohet liria e medias dhe do të paragjykohet ajo! Gazetarët mund të pijnë kafe me politikanët, mund të bëjnë dhe xhiro, mund dhe të intervistojnë, por leksione dhe propagandë përballë tyre nga lidershipe të tilla politike, nuk duhet të pranojnë! E ajo e djeshmja ishte pikërisht kështu! /Nga Besi BEKTESHI