Për mediat greke, Lulzim Basha është kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Ndërkohë që Tirana vlon nga protestat, mediat e vendit fqinj i kanë kushtuar një sërë artikujsh kreut të Partisë Demokratike, duke e cilësuar si njeriun tek i cili duhet të investojë Athina zyrtare.
Teksa akuzojnë kryeministrin Edi Rama së refuzon të angazhohet në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Greqinë, gazetarët greke kanë kthyer sytë nga lideri i opozitës, për të cilin thonë se shihet në Athinë si personi i duhur për bisedime lidhur me çështjet dypalëshe.
Një sërë portalesh greke si “NewPost.gr”, “Kostanx.gr” apo Fonkas.gr” kanë publikuar disa shkrime për zotin Basha., të cilin e konsiderojnë edhe si një aleat të minoritetit grek.
Portali i njohur grek, “NewPost.gr”, i ka kushtuar një shkrim analitik, duke intervistuar edhe kryetarin e Degës së Omonias në Himarë, Fredi Belerin, i cili shprehet se kreu i PD-së është i vetmi që mund të luftojë krimin e organizuar në vendin tonë.
“Gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm, marrëdhëniet greko-shqiptare arritën nivelin më të lartë të 29 viteve të fundit, ndërsa në të njëjtën kohë ishte një mbështetje e madhe për pakicën greke” thotë ai.
“Basha do të ndërtojë një Shqipëri që do të eliminojë krimin e organizuar nga jeta politike dhe zgjedhjet do të pasqyrojë vullnetin e popullit shqiptar. Ai do të jetë me siguri kryeministri i ardhshëm i vendit”, thotë Beleri.
Ndërkohë portali “Fonkas.spot” e krahason situatën politike në vendin tonë me klimën që mbizotëronte para rrëzimit të ish-diktatorit Enver Hoxha, duke theksuar se kryeministri Rama po përballet me skandale pas skandalesh.
“Kudo, ankesat, përplasjet dhe skandalet e errëta duket se e kanë vënë kryeministrin Edi Rama në vorbullën e ciklonit”, shkruan portali grek. “Artisti, i cili ka pasuar Sali Berishën, është përgjegjës për një sërë çështjesh që e lidhin atë me mafien e trafikimit të drogës, ndërkohë që Shqipëria që ai ka ndërtuar është cilësuat nga shumë njerëz si “Kolumbia e Evropës “. I ballafaquar me protestat masive të opozitës, Rama ka zëvendësuar deputetët të cilët kanë dhënë dorëheqjen. Ndërkohë Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar janë duke u përpjekur që të ndërhyjnë politikisht, duke kërkuar stabilitet në vendin fqinj”, thekson “Fonklas”.
Nga ana tjetër, portali “NewPost.gr” shkruan se zhvillimet politike në vendin tonë po monitorohen nga afër nga Athina, e cila sipas medias greke kërkon një marrëdhënie produktive me Shqipërinë për ta bërë atë “aleaten” e saj në Bashkim Europian dhe mbi të gjitha të minoritetit grek. Por sipas gazetarëve grekë, cështja e pronave të minoritetit grek në Himarë ka shkatërruar këtë klimë bashkëpunimi.
“Vitet e fundit qeveria e Athinës, sidomos nën ministrin e Jashtëm Kotzias, ka investuar shumë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Por megjithatë, një sërë lëvizjesh të ndërmarra nga Rama rënduan klimën politike.
Vendimi i Shqipërisë për të marrë tokat e grekëve në Himarë nën pretekstin e transformimit të qytetit, ka provokuar Athinën, ndërsa vetë grekët vërejnë se qëllimi i qeverisë ishte vjedhja e tokave për t’ia dhënë atë miqve dhe mbështetësve personalë të kryeministrit Edi Rama. Kjo është një lëvizje agresive ndaj pakicës greke që ka prekur marrëdhëniet mes dy vende, të cilat u përkeqësuan më tej me vdekjen e Konstandin Kaçifas më 28 tetor”, shkruan portali grek.
“NewPost.gr” e cilëson Bashën si aleatin më të madh të Athinës në Tiranë, duke pretenduar se ai e ngriti çështjen e tokave në Himarë edhe në një takim me eurodeputetët.
“Për komunitetin grek dhe për më tepër për Greqinë – Basha – i cili po udhëheq demonstratat në Tiranë është një aleat mjaft i dobishëm. Vetëm pak ditë më parë, në një takim me eurodeputetët, ai denoncoi shkeljet e të drejtave të anëtarëve të minoritetit grek nga regjimi i Edi Ramës. Lulzim Basha u tha eurodeputetëve se Rama ka shkatërruar qindra shtëpi dhe kisha të pakicës greke në Shqipëri”.
Deklarata e Bashës tronditi eurodeputet, të cilët kërkuar shpjegime në takimin me deputetët e qeverisë”, pretendon portali grek, sipas të cilit “Lulzim Basha është një politikan i magjepsur nga parimet dhe idealet e Bashkimit Europian”.
Më tej portali grek paraqet CV-në e shefit të opozitës, me theks në periudhën kur Basha ishte ministër dhe kur sipas Newpost, kishte një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushtë dhe produktive me shefen e atëhershme të diplomacisë greke, Dora Bakojanis, e cila është motra e kryetarit të sotëm të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.
Portali grek thotë se për shumëkënd, Lulzim Basha pritet të jetë kryeministri i ri i Shqipërisë pas zgjedhjeve të ardhshme. Në të njëjtën kohë, edhe Greqia po shkon drejt ndryshimit të qeverisë, sipas gjithë sondazheve që kanë dalë në dritë, shton Newpost, që njihet dhe për orientimin pro partisë më të madhe opozitare greke.
“Duke synuar edhe votat e shqiptarëve që kanë marrë nënshtetësinë, por edhe të minoritarëve grekë që gjithashtu kanë me shumicë të drejtë vote, Demokracia e Re do t’i shtojë dhe marrëdhëniet e mira rajonale profilit të vet. Si një qeveri e cila do të zhbllokojë negociatat me Tiranën dhe duke lënë të kuptohet se në tryezën e bisedimeve preferon të kishte “aleatët e vet ideologjikë, pra demokratët e Lulzim Bashës”.