Deputetët e Parlamentit Europian kanë konfirmuar për herë të dytë qëndrimin e tyre pro liberalizimit të vizave me Kosovën. Vendimi përfundimtar pritet t’i kalojë tanimë Këshillit Europian. Kryeministri i Kosovës, duke e mirëpritur vendimmarrjen e fundit, ka thënë se tejzgjatja e procesit është e padrejtë dhe po dekurajon qytetarët, që vazhdojnë t’u mohohet e drejta për të lëvizur të lirë në Europë.
Parlamenti Europian është shprehur në favor të heqjes së vizave me Kosovën, duke konfirmuar se vendi ka përmbushur të gjitha kërkesat e institucioneve europiane.
Të enjten, propozimit të raportueses për Kosovën, Tanja Fajon, ju përgjigjën pozitivisht 331 europarlamentarë, 126 u shprehën kundër liberalizimit të vizave dhe 12 abstenuan.
Fajon falënderoi kolegët e saj dhe apeloi Këshillin Europian që të veprojë sa më shpejt për ta çliruar nga regjimi i vizave të vetmin vend të izoluar të rajonit.
Një ditë më parë, edhe komisionieri për emigracionin, Dimitris Avramopulos, iu bashkua zyrtares së lartë, duke e cilësuar tejzgjatjen e procesit një padrejtësi që po cenon perspektivën europiane të gjithë Ballkanit.
Vullneti politik i eurodeputetëve, ndërkohë, ka gëzuar Prishtinën, megjithëse aktorët më të fuqishëm sërish presin më shumë.
Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se mohimi i të drejtës për të udhëtuar të lirë në Europë po dekurajon qytetarët e Kosovës.
Haradinaj:”Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.”
Aksesi i Prishtinës në zonën Shengen ishte propozuar fillimisht në shtator të vitit 2016 dhe ishte votuar nga eurodeputetët 2 vite më vonë, por një vendim i Këshillit Europian për të mos e diskutuar çështjen gjatë sezonit dimëror e shtyu vendimmarrjen përfundimtare.
Aprovimi nga Ministrat e vendeve europiane do lejonte qytetarët kosovarë të udhëtonin lirisht në destinacionet e Bashkimit Europian për një periudhë 90-ditore çdo gjashtë muaj për qëllime biznesi, turizmi apo familjare.