Autorët e veprave të rënda penale në Shqipëri, në këtë tranzicion demokratik fasadë, nuk po gjejnë strehë ku të fshihen. E kanë kot që u fshihen organeve të hetimit. Ata kanë bërë aq shumë zullume në këto tre dekada sa nuk arrijnë t`i fshehin kurrën e kurrës. Po presin dosjet në organet e hetimit, ka dëshmitarë okularë që duan t’i rikthehen edhe një herë gjyqeve të zhvilluara sepse padrejtësitë kanë lartësinë e maleve.
Tragjeditë ku kanë humbur dhjetra dhe qindra njerëz të pafajshëm nuk numërohen. Organizatorët e masakrave njerëzore sot bëjnë të paditurin dhe e kalojnë fajin degë më degë. Fajtorët nuk janë anonimë, por i kemi mes nesh. Duan të kalojnë lumin sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Edhe pse kanë kaluar vite, historitë njerëzore, aq shumë të trishta, mbeten prova më e madhe se ata që kanë vrarë, atë që kanë kryer kurthe, që kanë ngritur gracka, që kanë shkatërruar jetët e njerëzve të pafajshëm kanë adresa, kanë emër e mbiemër. Po afron dita që organet e hetimit do mund të çojnë drejtësinë e munguar në vend.
Opozita që drejtohet nga Luli është hedhur në sulm frontal për të rrëzuar nga detyra kryeministrin Edi Rama. Këtë gjë kërkon edhe partiçka e Monës. Duan të rrëzojnë Edi Ramën, sepse e shohin ashiqare si rrezik që nuk e përballojnë dot. Kanë disa muaj që po demonstrojnë forcën e tyre përmes protestave politike që organizojnë. Dhe mirë bëjnë që kërkojnë të drejtat e tyre me rrugë demokratike. Ama me rrugë demokratike, jo të goditen forcat e rendit me gurë. Kjo është praktikë fashiste, demokratike nuk mund të quhet.
As Luli, As Mona nuk e kanë hallin se po shkatërrohet demokracia. Atyre u është fiksuar se Edi Rama po shkatërron lirinë e njerëzve. Por lepuri fle gjetkë. Lidershipi i opozitës përmes protestave që organizon kërkon të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve se është në rrugën e duhur dhe jo mazhoranca, kryeministri Edi Rama. Sipas opozitës së kryedemokratit Luli dhe shoqatës politike të LSI, që drejtohet nga Mona, kjo qeveri ka falimentuar ndaj dhe ka largime masive të të rinjve jashtë shtetit, ka papunësi, vjedhje të taksave të qytetarëve.
Opozita nuk dogji mandatet. Të mandatuarit u dogjën vetë dhe shkakun pse u dogjën duhet t`a kërkojnë tek iniciatori i kësaj nisme, Sali Berisha. Idenë e frymëzuesit shpirtëror të së djathtës e mbështeti edhe majtistja Monika Kryemadhi. Kjo kartë i përvëloi ish deputetët e Parlamentit, por ky nuk është faji i Ramës. Ndërkombëtarët e dhanë këshillën e tyre në mënyrë të përsëritur, po ku dëgjojnë liderët e së djathtës, të cilët i kundërshtuan personalitetet e larta të Bashkimit Europian, këshillën e ambasadorëve të vendeve europiane. Sipas Lulit, ideja e tyre për të djegur mandatet do i çonte në Europë, thua se ka edhe një Europë tjetër, veç asaj që kërkon të integrohet Shqipëria.
Autorët e krimeve masive, njerëzit që kanë vënë pasuri të jashtëligjshme, që kanë bërë kërdinë në këto afro tridhjetë vjet, duan t`i shmangen dënimit të organeve të reja të drejtësisë. I ka zënë tmerri nga SPAK dhe BKH, të cilët pothuajse kanë mbërritur në Shqipëri. Peshqit e mëdhenj që kanë shirë në këtë tranzicion, duket se po u shkurtohet litari. Nuk kanë ku shkojnë. Nuk kanë më mbrojtje ligjore.
Ata që kanë bërë avokatin e tyre janë shkarkuar nga funksionet shtetërore. Ata kanë hallet e tyre, sepse puna nuk ka mbaruar vetëm me largimin nga profesioni i hetuesit, prokurorit, apo gjyqtarit. U vranë katër bijë nënash më 21 janar 2011, tragjedia e Gërdecit, viti ’97 e plot histori, ku janë prishur prova e fshehur krimi shtetëror.
Nuk e duan SPAK-un, nuk e duan BKH. E dinë se do goditen rëndë për krimet që kanë kryer, ndaj dhe organizojnë protesta për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, për t`u thënë ndërkombëtarëve se e drejta është me opozitën. Pse, Edi Rama dhe mazhoranca e sotme i shkaktoi tragjeditë ku kanë humbur jetën mijëra shqiptarë? Të gjithë e duan drejtësinë, flasin për drejtësinë, u qan zemra për barazi dhe paqe, por pak janë ata që i duan njerëzit e drejtë.
Ata që mbrojnë drejtësinë shahen, fyhen, ofendohen, goditen me vezë, me bojë, me çizme grash. Ka një thënie brilante Konfuci: Kur fillon të urresh dikë tregon se të ka mposhtur. Kështu po ndodh me opozitën e Lulit dhe Monës, të cilët nuk kanë kursyer dhunën në protestat që kanë organizuar kohët e fundit.
Koha gjykon më shumë se kushdo tjetër. Ardhja e SPAK-ut nuk vonon. Do ta kemi këtu, mes nesh. Ndoshta është ky stacioni i fundit ku shqiptarët e lodhur, të munduar, të sfilitur do gjejnë drejtësinë që kanë dashur në këto vite, që u ngjajnë shekujve. Kur të ndodhë që të thirren grabitqarët e mëdhenj, të çohen prapa hekurave në qelitë e ftohta, atëherë do bindemi përfundimisht se demokracinë mund t`a mbash peng për ca kohë, por jo për gjithmonë. /Nga Sokrat NDREÇKA