Prej javësh opozita joparlamentare e cila vendosi të djegë mandatet, proteston dhe bën thirrje të vazhdueshme për largimin e kryeminitrit Edi Rama. Nga njëra protestë në tjetrën numri i protestuesve dhe orët e tubimit kanë ardhur duke u tkurrur.
Largimi i kryeministrit Edi Rama ishte ‘njoftuar’ nga liderët e opozitës që në datën 16 Mars, por duket se edhe vetë ata e kanë parë të arsyeshme të ndërrojë kauzën e protestës duke përdorur terma ekstremistë.
Në protestën e sotme lideri demokrat bënte thirrje për liri dhe demokraci ose VDEKJE, teksa i drejtohej kryeministrit Edi Rama se i ka ditët e numëruara në karrigen e drejtimit të vendit.
“Tek kongresi kërcënoi me luftë popullin e vet, artistët me shembjen e teatrit, me monumenteve të kulturës, thirri mendjes se ti në atë karrige i ke orët e numëruara, populli do të përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë. Liri a vdekje, demokraci a vdekje”, deklaroi Basha.
Më herët, në datë 7 Shkurt, 9 ditë para protestës së parë të opozitës së bashkuar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se ishte kamikaze që të marrë me vete Edi Ramën për të zhbllokuar vendin. “O do iki Edi Rama, o do iki Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi! Do bëhem kamikaze me dëshirën më të madhe, pasi jam e gatshme të marr me vete Edi Ramën që të zhbllokoj Shqipërinë”, shprehej Kryemadhi.
Në të njëjtën linjë me ta edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta bëri deklaratën e fortë në datë 21 Mars kur foli nga Pogradeci, referuar krizës politike ku ndodhet vendi, pasi opozita dogji mandatet dhe ka zbritur në rrugë duke kërkuar largimin e qeverisë Rama me protesta, disa prej të cilave janë shoqëruar me incidente.
Për të dalë nga kjo situatë, Meta u shpreh se është i gatshëm të sakrifikojë jetën e tij duke u vetëvrarë në mënyrë që vendi të dalë nga kriza politike, që sipas tij mund të thellohet edhe më tej.