Nga Ardit Rada
Diplomatë, staf teknik, madje edhe shoferë ambasadash që po listohen këto orë si lajm i faqes së parë! Një aradhë nëpunësish të shtetit, me status diplomatik, që do të spostohen, largohen, zëvendësohen etj. Siç ka ndodhur e siç ndodh prej kohëshs që s’mbahen mend në një sistem diplomatik.
Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë qarkullimi i stafit, spostimi i ambasadorëve, diplomatëve e personelit teknik nuk konsiderohet kurrë një lajm me vlerë për dhëmbët e uritur të shtypit, por ja që këto orë po ndodh një fenomen i çuditshëm afishimi emrash, që është joetik për mediat, por edhe për ata që filtrojnë informacioni të tilla banale dhe krejt pa vlerë.
Është e kuptueshme që ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka një ambicje të vetën, në postin e vështirë dhe sfidues që ka marrë në dorë. Dosja me Greqinë, marrëdhëniet rajonale, integrimi, OSBE etj – axhenda diplomatike shqiptare ka shumë të përpjeta në muajt që vijnë dhe Cakaj kërkon të afirmojë profilin e tij nëpër këto shtigje të ngushta ku është i detyruar të shkelë në krye të një institucioni kompleks dhe të ekspozuar së brendshmi dhe së jashtmi.
Por ky afirmim mund të arrihet në secilën nga pikat e mësipërme, e jo në punën mekanike e pse jo edhe banale të lëvizjes së stafit diplomatik, e as në heqje-vëniet e diplomatëve e shoferave nga një përfaqësi në tjetrën. Stafi diplomatik shqiptar është një zgjatim i administratës që ne kemi këtu në Shqipëri.
Si i tillë ai vuan nga të gjitha pasojat dhe mangësitë e gabimet që karakterizojnë nëpunësin e sotëm civil shqiptar. Qasja ndaj përsosmërisë profesionale e integritetit të diplomatit nuk arrihet me lista shkarkimesh, por me punë e përkushtim.
Nëse sot ministria e jashtme afishon lista lëvizjesh, që në një ambjent si ai i diplomacisë janë buka e përditshme, vlen të drejtohet pyetja e thjeshtë: po lajmi ku është?! Çfarë lajmi ka në faktin se ambasadat e konsullatat tona kanë nevojë të përhershme për krehje, zëvendësime, rekrutime e largime nga sistemi?! Pse shitet sot si risi, diçka që është në ADN-në funksionimit të sistemit diplomatik?