Nga Alfred Peza
Opozita shqiptare në përpjekjet e saj për të rrëzuar mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet skenarit të djegies së mandateve të deputetëve dhe daljes nga sistemi Parlamentar, në fakt ka provokuar të kundërtën. Ka nxjerrë në dritë të diellit, problemet më të mëdha që ajo vetë ka Brenda gjirit të vet.
Ndaj, duke dashur të tregojë forcën, opozita ka ekspozuar publikisht si kurrë më parë, dobësinë e saj. Duke dashur që të tregojë pathyeshmërinë e vet përballë mazhorancës, opozita ka dëshmuar pafuqinë e vet të fshehur deri dje. Duke dashur që të godasi sistemin në zemër, shigjeta me helm ka shkuar drejt e në “Thembrën” e saj të “Akilit”.
Ka të paktën tri element thelbësorë që e bëjnë PD, LSI dhe aleatët e tyre, që të duken jo vetëm të pafuqisëhm por edhe të dalin krejtësisht zbuluar në qëllimet e tyre të vërteta, në raport me ato të afishuara.
Së pari, opozita ka gjetur emrin e Edi Ramës si “Gozhdën” e tyre të “Nastradinit” për të varur xhaketën e djegies së mandateve “en block” dhe daljes nga sistemi. Ky nuk mund të jetë një shkak I qenësishëm politik, në një demokraci funksionale, në një shtet me pushtete të ndara dhe me institucione kushtetutese, por një sebep I madh.
Duke e paraqitur këtë kërkesë që,- është një çështje e brendshme e PS e cila si fituese e zgjedhjeve të 2017, ka të drejtën që të zgjedhi kryeministrin,- si të vetmen alternativë të aksionit të tyre politik, opozita rrethrrotullohet çdo ditë rreth bishtit të vet. Kjo e shton akoma më shumë dyshimin popullor rreth qëllimit të saj të vërtetë.
Së dyti, vetë liderët e opozitës, drejtuesit, mbështetësit, përkrahësit e saj por edhe gazetarët, analistët, opinionistët që e mbështesin akisionin e tyre, janë shprehur se me protesta, askush nuk mund të kthehet në pushtet në Shqipëri.
Pyetja që shtrohet është: Nëse këtë e dini edhe ju pa kaq mirë sa të gjithë të tjerët, atëherë përse opozita doli nga Parlamenti, kur protestat mund të vazhdonin edhe duke qenë ajo brenda në sallë? Përse i vetmi mjet që i ka mbetur opozitës sonë, është vetëm protesta dhe vetëm protesta përpara Parlamentit?!
Së treti, meqë nga hetimet e Prokurorisë, del në skenë një kompani me emrin “Biniatta Trade LP” për një pagesë prej 150 mijë USD, ndërkohë që ka kontraktuar 950 mijë USD shërbime, pse nuk I del kush për zot tani nga opozita? Përse këto para nga parajsat fiskale dhe nga kompani guckë me pronarë rusë, janë lëvruar tani që Shqipëria pritej të mertë në qershor datën e çeljes së negociatave me BE?
Ka ndonjë ngjashmëri ky skenar më komplotin e para pak kohëve në Malin e Zi dhe në Maqedoni, pikërisht në Parlament, e pikërisht kundër projektit të këtyre dy shteteve për anëtarësimin në NATO?
Këto dhe pyetje të tjera, me sa duket drejtësia shqiptare në bashkëpunim me autoritetet amerikane, janë duke punuar për ti dhënë përgjigje sa më parë. A kanë lidhje të gjitha këto, me aksionin e fundit opozitar për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Kjo mbetet të vërtetohet. E sigurtë është që herët ose vonë, e vërteta do të dalë në shesh dhe përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave si këto, mund të sqarojnë shumëçka.