Platforma e bashkëqeverisjes është faktuar në vijimësi si një instrument për zgjidhjen e problemeve me rillogaritjen e masës së pensioneve.
I tillë ishte edhe rasti i paraqitur sot në takimin javor të Kryeministrit Edi Rama me koordinatorët e bashkëqeverisjes, ku prezantohen rastet e ankesave të qytetarëve që kanë marrë zgjidhje përmes platformës.
Qytetari Fisnik Pula, i është drejtuar dy herë platformës së bashkëqeverisjes duke marrë zgjidhje në të dyja rastet.
Herën e parë, ai iu drejtua platformës për rillogaritjen e masës së pensionit, duke përfituar rritje të pensionit dhe diferencat kreditore në shumën 171.726 lekë.
“Faleminderit që na zgjidhni hallet e mbartuara prej 30 vitesh. Unë jam 73 vjeç dhe kam 60 vite punë prej të cilave 30 vjet në Kinostudio si piktor i filmit artistik dhe pjesën tjetër mekanik në torno, ku kam nisur punë në moshën 13 vjeçare.
8 vjet më parë dola në pension, një pension qesharak prej 90 mijë lekësh të vjetra. Kujt nuk iu drejtova për këtë hall dhe as përgjigje nuk mora, por sapo doli portali iu drejtova menjëherë dhe u befasova me shpejtësinë me të cilën mu përgjigjën”, tha ai.
Po ashtu ai iu drejtua platformës edhe për rillogaritjen e masës së pensionit së bashkëshortes së tij, Mirjana Pula, me argumentin se pensioni ishte minimal dhe jo në përputhje me kontributet e derdhura në vite.
Pas ankesës u konstatua se masa e pensionit duhej rivlerësuar sipas legjislacionit dhe nga kjo Mirjana ka përfituar rritje të masës së pensionit dhe tepricën kreditore përkatëse.
Qytetari iu drejtua platformës në datën 21 shkurt 2019 dhe mori zgjidhje më datë 19 mars 2019.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithçka po bëhet pas mundësisë që na dha sovrani për një mandat pa të tjerë në prehër. “Nuk do të kishte portal që i bënte derman këtij mileti, nëse ankesa do të përlasej me fundin e tepsisë së tyre”, tha Rama.