Shtyrja e afatit të zhdoganimit të makinave të përdorura si dhe vijimi i importit të mjeteve të prodhuara nga viti 2005 ka hyrë në fuqi, me botimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave në Fletoren Zyrtare. Kështu, të gjithë ata që kanë zhdoganuar makinat e vjetra, numri i të cilave arrin 60 mijë, por që nuk kanë mundur t’i regjistrojnë, do të kenë afat deri më 31 dhjetor për regjistrimin.
Ndërkohë që makinat e vjetra që kanë hyrë në vend, por nuk po arrijnë të zhdoganohen për shkak të mosplotësimit të standardeve të shkarkimit të gazrave, kanë afat deri më 31 dhjetor të kryejnë procedurat. Sipas këtyre ndryshimeve, qytetarët do të kenë mundësi të importojnë makina të prodhuara nga viti 2005. Vendimi i mëparshëm lejonte vetëm importin e makinave të prodhuara nga viti 2009.
Importi i makinave
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, si dhe për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit e kërkesat për disa ndotës në lidhje me të dhe në varësi të kategorizimit të automjeteve, sipas peshës e kohës së përdorimit, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë këto kushte:
Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian; Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian.
Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4.”; Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Qëllimi i vendimit
Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe mjedisit nga shkarkimet e ndotësve të gaztë prej mjeteve motorike dhe lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion, që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete, nëpërmjet përcaktimit të kushteve të importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kushteve për mjetet ekzistuese në qarkullim.
Përdoruesit e automjeteve, vendës ose të huaj, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar t’i përdorin automjetet e tyre në përputhje me kushtet e përcaktuara nga prodhuesi, të pasqyruara në dokumentet dhe instruksionet përkatëse, si dhe të respektojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull, të përcaktuara.
Kontrollit të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull, që shkarkohen nga automjetet rrugore, u nënshtrohen të gjitha automjetet e pajisura me motorë me djegie të brendshme, që përdorin si lëndë djegëse benzinë, naftë dhe gaz të lëngshëm ose natyral, dhe që janë në përdorim nga individë, subjekte fizike dhe juridike. Kontrolli bëhet mbi bazën e normave që përcaktojnë nivelet e lejuara të shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull, në përputhje me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, si dhe për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit dhe kërkesat për disa ndotës në lidhje me të.