Duket se mes liderëve opozitarë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ka një përplasje.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha duket se nuk e sheh LSI, si një forcë aleate në frontin opozitar, duke lënë për të kuptuar se mes dy partive të mëdha në opozitë ka një “çarje” të thellë.
Këtë fakt, nuk e ka pranuar në një intervistë që kreu i PD e ka bërë për median italiane “Il fatto quotidiano”, duke u shprehur për LSI, si një “formacion politik”.
Pyetjes së gazetarëve italiane se “të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj”?, Basha i është përgjigjur:
“Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar.
Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh.
Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pista”.
Nën zë, në zyrat e LSI, një deklaratë e tillë e kreut të PD nuk është pritur mirë, sidomos për median ndërkombëtare.
Zyrtarë të LSI thonë se kjo parti është aleate e PD në luftën kundër Edi Ramës dhe jo një formacion politik që i është bashkuar PD.