Akoma në Shqipëri “Kongresi i Partisë” është ngjarje e madhe popullore! Nuk është një ngjarje perëndimore, e cila në fakt ka të bëjë me programe, njerëz dhe ide të reja! Është ngjarje tipike folkpolitike e jona, e trashëgimisë tonë politike, e cila ka rëndësi të madhe si mediatike dhe shoqërore, sepse “partitokracia dhe lidershipi i tillë politik” janë emblema të establishmenteve që kanë bërë (vazhdojnë) kalimin e tranzicionit vrastar, absurd dhe të gjatë nga diktatura në demokraci! Kështu e kanë kongresin socialistët kështu dhe demokratët!
Kongreset e tyre janë një themel autokracie, ku autoriteti i partisë është shumë nën atij të liderit dhe një lidershipi të katapultuar nga ai! Rolet e të tjerëve, statutet, demokracia e brendshme janë një butafori, fantazmagori e sëmurë politike!
Gjithsesi e vetmja parti e organizuar dhe politikisht në këmbë në Shqipëri është PS-ja! Të vjen keq, por kështu është! Ajo bënte kongresin dhe nga PD-ja e kishin mendjen te ajo! E kanë mendjen aty, sepse vetë janë rrënuar! Janë dërrmuar nga mungesa e koherencës, nga mungesa e lidershipit politik të qartë mbi ardhjen me alternativë në pushtet, janë të frustuar nga marrëzitë e dualitetit familjar politik mbi partinë Berisha dhe Basha, janë të vetëdenoncuar nga marrëzitë anti perëndimore dhe anti demokraci të brendshme!
Në një anë sulmojnë kongresin e socialistëve dhe brenda tyre “vuajnë” (në fakt nuk e duan) se nuk janë të zot të realizojnë një kuvend të qartë dhe të lirisë e demokracisë, ku fjala e lirë, raporti me demokracinë të bëjnë ligjin! Janë falsë në të gjithë ecurinë e tyre ideore dhe politike deri në marrëzi politike dhe strategjike! Thellë-thellë e dinë se nuk janë shumicë shoqërore në Shqipëri!
Ju vjen inat dhe për të plasur, se një shoqëri e sotme nuk i bën shumicë dhe pse është e zhgënjyer nga Rama dhe Rilindja, e si pasojë dhe nga Partia Socialiste! Në PD-në e sotme po “vlojnë” sepse realisht janë kthyer në “kartona të animuar” të së djathtës shqiptare! I thonë vetes të djathtë dhe gjithë parullat dhe premtimet e tyre janë modele bolshevike frymëzimi për një elektorat të vogël i cili vetëm ankohet dhe shikon zgjidhjet nga forca, nga marrëzia ekonomike dhe ajo politike! Ju vjen të plasin, sepse PS-ja që drejtohet nga Rilindja është e djathta reale në Shqipëri!
Po pra, në modelin e saj arrogant të ekonomisë me stër të pasurit dhe me frymëzimet në biseda kolektive me të varfërit që duan “ledhatime” të cilat pastaj bëhen butafori taksash, tarifash dhe shërbimesh! Një pjesë e të “zgjuarve” të dikurshëm në PD, sot nuk flasin më! Nuk nxjerrin zë për shmangien e boshtit tepër majtas të klikës Berisha dhe Basha në bashkëpunim me LSI-në e Monikës!
Kur në fakt, duhet të mbronin interesat e alternativës së djathtë reale në Shqipëri! Të pronarëve të cilat u sabotuan prej tyre jo vetëm nga 7501-shi, por dhe nga interesat elektorale të Berishës dhe Lulit, të cilët lumpen proletariatin e tyre e krijuan që pikërisht pronarët e vërtetë të shuheshin! Këtë të keqe të madhe kapitalizmit në Shqipëri e ka bërë PD-ja dhe kjo akuzë nuk mund t’i bëhet kaq shumë edhe pse ka edhe ajo faj – ose PS-së!
Mbetën me sytë nga ekrani si Berisha dhe njeriu i bojës me shiringë! Nuk e neglizhojnë dot kongresin e PS-së?! Në fakt “vdesin” për diçka madhështore të organizuar! Dinë vetëm të ulërasin në mediume rrugësh, ose protesta ulëritëse dhe kanë problem me këtë raport që Rama kryen si kostumografi karrigesh, rreshtimesh, rregullash përballë tyre! Për më tepër “nuk kanë mandate”!
Jua ka hedhur dikush, që i ka mësuar të dorëzojnë mandatet, duke i bindur se kështu vijnë më shpejt në pushtet! Në fakt ju ka hequr edhe mbrojtjen e fundit ligjore në demokraci! I ka mësuar të jenë kundër botës së qytetëruar e cila “nuk e honeps” një revolucionarizim të tillë butaforik jashtë institucioneve të demokracisë! I mësoi dikush që të “thyejnë betimin si deputet” duke i bërë tradhtarët e parë të demokracisë me urdhër partie dhe tani quajnë tradhtarë të “kauzës idiote të mandateve” ato individë që kanë përzgjedhur vetë, për ti zëvendësuar në kuvend me anën e listës së po kryetarit të partisë! Po ku mund të ketë më “teknefelë” se sa të tillë politikanë të humbur nga errësimi i syve në mungesë pushteti!
E fundit e “të djathtëve bolshevikë” ose PD-së së sotme është se “kujtojnë” se janë shumica kur shikojnë njerëz të ekzaltuar përpara ekraneve të cilët të mësuar nga budallallëku tridhjetë vjeçar ulërijnë “poshtë ky dhe ik ai, ose kriminel ky dhe mafioz ai”! Kjo i bën “të jenë të sigurtë” se janë shumica dërmuese e qytetarëve të vendit tonë! Në fakt, shumica e shoqërisë nuk i do më! Nuk i honeps më! Nuk do t’ju shikojë as sytë dhe as bojën! E kanë tepruar si dikur në pushtet dhe sot në opozitë! Nuk u rinovuan kurrë, nuk ndërruan elita politike, nuk lejuan mendim të ri, nuk pranuan njëherë të vetme që janë në faj!
Duken nga ideatorët e famshëm që kanë! Njëri prej tyre po shkruante se “Lej Feni ishte me disa fakirë”! Në fakt fakirët, shumica ishin pensionistë! E sigurisht që kështu i quan një model i humbur politik! Por ato janë shumica në këtë vend! Janë shumë dhe nuk emigrojnë! Janë mbi 600.000! E shumica voton për PS-në! Sepse nuk mund të besojnë dot as te doktori, as të holandezi dhe aq më pak te shiringa me bojë! Sepse në thelb e dinë se të tillë “rrumpallë hane” nuk arrijnë kurrë të ndërtojnë shtet! Sepse e dinë qartë, se e gjitha kjo është sepse fillon ajo që kemi pritur te reforma në drejtësi! Fillon mbledhja përfundimtare e lakut si për disa në PD-në e humbur, por dhe te PS-ja e Rilindjes!
“Fakirët” janë shumicë në Shqipëri dhe sa do që janë “fakirë” (sipas një fakiri politik medemek të djathtë) nuk besojnë dot te një i shpallur i djathtë, që bën si bolshevik! Janë të prirur të besojnë në votë, te një i majtë i kahershëm, që bën të djathtin arrogant në Shqipëri! Sa të binden të tillë idiotë politikë në SHQUP, kongreset që nxjerrin “fakirë” në tribunë bëjnë punën e tyre! /Nga Besi BEKTESHI