Nga Artur Ajazi
Prej disa muajsh, opozita e Lulzimit dhe Monikës, ka humbur qetësinë, drejtimin e duhur, dhe po ecin konseguentë drejt vetshkatërrimit politik. Duke deklaruar se “ne gjithçka nuk e bëjmë për pushtet, ne nuk duam pushtet, por e bëjmë për popullin, duam t’ja kthejmë pushtetin popullit” ata po mundohen të skalisin tek pakica e ndjekësve të tyre mendimin se “jo gjithçka ka mbaruar”.
Po kush ja ka marrë pushtetin popullit, kur ai ka votuar i lirë dhe ka zgjedhur tashmë qeverisjen e tij. Kush dhe kur e ka patur në “dorën” e tij populli pushtetin, në kohën e Lulzimit, Monikën, apo Doktorit ? Pastaj sikur nuk shkon, të jesh edhe milioner, edhe pronar pallatesh, vilash, biznesesh, fshati turistik, pronar me makinë 100 apo 150 mijë euro, dhe ta quash vehten “popull” kur do ti, kur bie nga pushteti ?
Nuk shkon të jesh edhe ish-pushtetar që ke zhvatur miliona lekë dhe miliona euro, dhe ta quash vehten “popull” gjithmonë kur kërkon pushtet në tavolinë dhe jo me votë. Ajo ç’ka opozita e rrugës pa krye, dhe jo e institucioneve, po bën prej disa muajsh (pas dështimit të manipulimit me protestën e studentëve) fatkeqësisht e ka dobësuar shumë rolin e saj në skenën politike si brënda ashtu edhe jashtë vendit. Takimet e shpeshta të ambasadorëve në SHQUP, si dhe mesazhet e hapura dhe të koduara të ardhura nga Brukseli dhe SHBA, fatkeqsisht kanë rënë deri sot në veshin e shurdhër të Lulzimit dhe Monikës.
E ndërsa kjo e fundit luan me “qarin” , pra mund të shkojë andej-këtej sepse po e shikon se LSI po shkërrmoqet, duket se Lulzimin e ka kapur fort diçka tjetër, që lidhet me politikën e vjetër. Opozitën e sotme në Tiranë, nuk mund ta shpëtojnë as grumbullimet e dhunshme para Kuvendit dhe as ato para Drejtorisë Policisë, duke kërkuar si nëpër filmat e diktaturës “lironi djemtë tanë” edhe kur ata kanë shkelur ligjin. Duke luajtur rolin e “viktimës”, sekretari Lulzim Bashës, “Gazi” nuk mund ti fshihet thirrjeve dhe hetimit policor, kur shkel ligjin, kur dhunon uniformat e shtetit, dhe kur ndërsen “djemtë” e forumeve të hedhin shashka dhe kapsolla në institucionet e shtetit. Por “Gazi” nuk ka faj, sepse aspiron të bëhet edhe ai një ditë “Flamur”, “Mondi”, “Lulzim”, “Monika”, të bëhet edhe ai milioner, si shumica e atyre që kryetari ka sot rreth vehtes.
Si shumica e atyre që luajnë mjaft bukur rolin e të “përvuajturit për popullin”, si shumica e atyre që kanë pasuri miliona euro, dhe që ulen këmbëkryq para Kuvendit duke porositur kamerat ti filmojnë. Duket sa qesharake aq edhe e turpshme, tek shikon milionerët e opozitës, të ndërsejnë turmat e kequshqyera, duke shpresuar në akte dhune, apo edhe viktima, vetëm e vetëm të marrin pushtetin.
Eshtë e neveritshme, tek shikon milionerët e opozitës, tek nxjerrin edhe ndonjë bulë “lot” nga sytë e tyre para kamerave, duke menduar se do t’ju vlejë, për të mbajtur “gjallë turmat” e hutuara, aq sa është tragjikomike kur i dëgjon të shprehen se “ kjo është puna jonë, tani jemi të papunë”. Asnjë prej tyre, nuk është si ata që hedhin gurë dhe shashka mbi policinë, asnjë prej tyre nuk është i uritur sa ata, nuk është i varfër sa ata, ashtu sikurse asnjë prej tyre nuk merr kurajon të falë para dhe pasuri për “popullin fukara”.
Ata thjesht janë mes tyre për pushtet, për pazare, për pasuritë e tyre, madje mandatet i “dogjën” thjesht për hesapin e tyre. Populli ta harrojë se milionerët e llakosur dhe të parfumosur të opozitës, inatçinj deri në qelizë për këdo që qeveris vendin me vote të lirë, e kanë seriozisht gjithçka bëjnë rrugëve, bulevardeve dhe shesheve.
Ata gjithmonë “popullin” e kanë parë nga dritaret e ministrive , makinave, dhe zyrave të partisë, ata gjithmonë popullin e kanë trajtuar si leckë, dele, specie në zhdukje, duke e përbuzur kur janë lart në fron, dhe duke u afruar pranë tyre, kur bien nga pushteti. Për Lulin dhe Monën, shqiptarët tani u bënë “popull”.