Që prej nëntorit 2008 në arkivën e Prokurorisë së Përgjithshme qëndron e stivosur një dosje që flet për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës,kundër Lulzim Bashës e dy personave të tjerë. Rruga Durrës-Kukës-Morinë, është çështja më e nxehtë që qëndron në Prokurorinë e Përgjithshme, me statusin e pezulluar, për shkak të një vendimi gjyqësor të marrë nga gjyqtarja besnike e Partisë Demokratike Fatmira Hajdari, e cila vulosi dosjen.
Dosja mund të rihapet vetëm pas një kallëzimi të ri nga ministria e Transporteve ose vetëm pas një indicie që do sjellë prova të reja. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se çështja është e pezulluar, për shkak të vendimin të 15 dhjetorit 2008 të gjykatës së Tiranës që nxirte të pavleshëm aktin e njoftimit të akuzës ndaj Lulzim Bashës.
Dy vendimet gjyqësore
Dosja kundër Lulzim Bashës u pezullua nga prokurori Arben Kraja, fill pas “goditjes” proceduriale që ju bë nga dy vendime të gjykatës së Tiranës. Bëhet fjalë për vendimin e datës 18 nëntor 2008, i marrë nga gjyqtari Sokol Tona, me anë të cilit është vendosur shfuqizimi i vendimit të datës 6 nëntor 2008, të prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me zgjatjen e afatit 1 mujor, që ka të bëjë me procedimin penal Nr.1, viti 2007 kundër Lulzim Bashës e dy zyrtarëve të tjerë. Ky vendim është marrë nga gjyqtari Tona, ndërsa kërkues kanë qënë Armand Teliti dhe Andi Toma, ish-bashkë të pandehur me Lulzim Bashën për çështjen e abuzimit me procedurat për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.
Më pas në 15 dhjetor 2008, një tjetër vendim gjyqësor që i ka dhënë “nokaut” dosjes hetimore është ai i marrë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila në cilësinë e gjyqtares së Apelit vendosi të deklarojë pavlefshmëri të akteve procedural, gjatë hetimeve paraprake si, fletëthirrjen e datës 24 nënëtor 2008 që i ishte bërë nga ana e prokurorisë në drejtim të Lulzim Bashës. Deklarimin e pavlefshëm të aktit të njoftimit të akuzës, të datës 27 nëntor 2008, të prokurorisë si dhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasme të ndërmarra nga prokuroria, që varen nga aktet e deklaruara të pavlefshme, pasi sipas gjykatës të gjitha këto veprime konsiderohen “Nul”.
950 mln euro kosto
Gjigandi amerikan i ndërtimit “Bechtel” dhe partneri i tij turk “Enka” fituan kontratën për të ndërtuar pjesën prej 61 kilometrash për 418 milionë euro.Pavarësisht kësaj, gjatë asaj periudhe kur ministrinë e Tranporteve e drejtonte Lulzim Basha fatura financiare ka filluar të fryhet duke u derdhur përfundimisht 950 milionë euro për rrugën. Kjo është pranuar dhe gjatë një e-maili të rrjedhur nga ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode.
Borxhi i emetimit/ Kredia për Durrës-Kukës u shlye në dhjetor të 2010
Kredia nga “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank” u mor në maj të vitit 2009 dhe u shlye një vit e gjysmë më vonë, në dhjetor të 2010, sapo qeveria arriti të siguronte 300 milionë euro borxh përmes emetimit të eurobondit. Në atë kohë termat e kredisë ishin euribor plus 9.6 për qind. Për shkak se euribori është një instrument i ndryshueshëm, më vonë interesi total i kredisë do të arrinte deri në 13.5 për qind.
Jo zyrtarisht burime nga Ministria e Financave thanë se pranë qeverisë në atë kohë kanë mbërritur oferta më të lira se sa ato dy të përzgjedhura nga ish-qeveria e djathtë çka duket se përbën dhe bazën kryesore të kallëzimit ndaj Bodes dhe Shehut./ Nga Elton Qyno