Vetëpërmbajtja që nuk është e përhershme e Presidentit të Republikës, bëhet nganjëherë problem i madh i tij! Një situatë e krijuar sigurisht nga “ceitnotet” e opozitës dhe pasiguria e madhe e saj përballë si drejtësisë dhe një përballje elektorale e humbur qartësisht prej saj, e kanë bërë dhe Presidentin të lakmojë emra që realisht bëjnë për poema ditirambesh të një të majte periferike, por jo për një realitet europian! “Juntë ushtarake” e kujt nëqoftëse Presidenti i zgjedhur nga Partia Socialiste “jep jetën si Allende” në Kili!? “Juntë ushtarake në pushtet” apo me “grusht shteti”!?
Në rastin konkret duket sikur dhe në Shqipëri këtë “juntë” e sponsorizojnë amerikanët si në Kili! Çfarë ishte kjo gjetje e tillë e pa studiuar mirë!? Allende si një dëshmor sigurisht, por si një marksist i cili edhe sikur Pinoçet të mos e rrëzonte dhe vriste kriminalisht në Pallatin Presidencial do të rrëzohej vetë, sepse historia është e qartë me vështirësitë e mëdha që kishte si me parlamentin dhe aleatët e tij! Po pra me partinë Demokratik Kristiane të Kilit të cilët po e thoshin qartë se Alende po atakonte demokracinë në Kili dhe po kthente vendin në një model Kastrist!
Kjo e pa pranueshme për Amerikën dhe demokracinë në përgjithësi! Pastaj kush nuk e dinte se për fitoren e Allendes kishin kontribuar shumë Sovjetikët dhe KGB-ja e tyre!? Edhe kjo e bën emrin e Alendes të papërdorshëm realisht për heroizëm nga ana e presidentit tonë, që është sigurisht një zgjedhje demokratike e jona ose e socialistëve dhe LSI-tëve dhe jo si ndërhyrje (besoj) e rusëve sot!
Është Vasili Mitrokhin si arkivisti më i rëndësishëm i KGB-së që deklaron shuma të mëdha në dollar që Allende ka marrë nga KGB-ja rreth 400.000 për partinë dhe 50.000 direkt për të! Historiani Christopher Andreë mbështet fort tezën se Allende është ndihmuar nga KGB-ja dhe ajo është fakt fitoreje me 39.000 vota në 3 milion, si President i Kilit dhe mbas fitores ish shefi KGB-së Andropov më vonë president i PCUS, i siguroi sërish fonde nga partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik!
Besoj se këto nuk kanë lidhje me Presidentin tonë!? Ka qenë Svyatoslav Kuznetsov njeriu që ka pasur lidhjet mes Allendes dhe KGB-së apo dhe sovjetikëve për pushtetin e Allendes dhe kjo bëri dhe ashpërsimin e madh të amerikanëve në krahun tjetër! SHBA-të e shikonin të vështirë tolerimin e një shteti tjetër super socialist mik i sovjetikëve në Amerikën Jugore! Mirë Kuba e stërtoleruar dhe e fortë në propagandë, por dhe Peronizmi në Argjentinë, kështu që Allende praktikisht e kishte mbushur kupën!
Amerikanët do të mbronin interesat e tyre ekonomike dhe financiare të kërcënuara nga afrimi i madh i Allendes me sovjetikët dhe komunizmin ndërkombëtar në mes të luftës së ftohët! Po çfarë lidhje ka kjo histori me ne! Me Presidentin tonë?! Ekzagjerim i madh dhe gjetje aspak “apropriate” thellësisht teatrale dhe folklorike, sepse Presidenti në Shqipëri nuk është në pozitat e tilla, as i zgjedhur nga populli dhe as një person, që ka bërë manovra mes blloqesh kur deklarohet praktikisht si një filo perëndimor dhe pse akuzat për ndërhyrjen ruse politikisht dhe financiarisht i quan si “rreziku anglo amerikan” i sotëm! Atëhere pse duhet përdorur Allende!?
Vetëm nga frika e 94 votave sikundër thonë disa prej portaleve dhe analistëve! Nga frika e shkarkimit nga një mazhorancë që ka vota për të rrëzuar presidentin e cila sipas tij mund të jetë “Grusht Shteti” dhe nga ku mund të dalë dhe një “Allende” Ballkanik?! Ku? Te Shqipëria anëtare e NATO-s dhe me një këmbë në BE!? Cila është fuqia që do të rrëzojë “Allenden” tonë në presidencë? Sigurisht ishte jo e menduar mirë! Ose ishte e menduar shumë mirë që shumë kush të deduktonte se “nuk është thënë mirë”!
Po, por kush mund të jetë qëllimi i futjes së “Presidenti Allende” në mes të situatës së sotme politike në Shqipëri!? Sigurisht ishte një situatë që shikonte në një anë komunistët dhe në anën tjetër fashistët si ide, por çfarë ka lidhje me ne sot? Allende thotë: jam gati të rezistoj me çdo mjet, edhe me kusht jetën time, në mënyrë që kjo mund të ndërtojë një leksion në histori poshtëruese të atyre që kanë forcën, por jo arsyen! E bukur shumë sigurisht dhe vrasja e tij është një sulm dhe vrasje fashiste, por sot
Kili është demokracia më e madhe e Amerikës Latine dhe vendi më mirë ekonomikisht në rajon! E kjo sigurisht që ka arsyen përveç forcës! Pse duhet të shkojë deri në këtë pikë interpretimi i presidentit tonë në vetësakrifikim të kotë pikërisht si President?! Më e bukura është se Allende thotë: populli duhet të mbrohet, por jo sakrifikohet! E kjo është shumë e rëndësishme përballë një dore sharlatanësh në Shqipëri që kërkojnë me ngulm sakrifikimin e pikërisht popullit për pushtetin e tyre!?
Vetëm për këtë shprehje të Allendes Presidenti jonë nuk duhet ta kishte zgjedhur si model krahasimi (gjithë respektin Allendes) kur thotë: For you to be a Communist or a Socialist is to be totalitarian; for me no.… On the contrary, I think Socialism frees man! E qartë që ai nuk e përmend në rastin pohues komunizmin, por kur i referohet socializmit sovjetik, kubanes dhe padyshushmërisht atij që kemi pasur ne – e ka plotësisht gabim!
Çfarë lidhje ka me kohën e sotme krahasimi me “Presidentin Allende” i vrarë kriminalisht nga një grusht shteti ushtarak dhe nga një juntë fashiste e gjeneralit Pinoçet, pikërisht me ne?! Nuk ka asnjë lidhje! Me kë po e krahason, me cilin gjeneral tonin, cilin shembull të tij, që ka vlerë krahasimi?! Kjo e krahasimit me presidentin Allende ishte një ekzagjerim që në fakt më tepër se do i bëjë përshtypje mazhorancës do të bëjë të nënqeshin ndërkombëtarët! Jo për modelin dhe rastin, por për ekzibicionin e kotë dhe jashtë kontekstit në kohë dhe hapësirën që po përdoret! Ishte me të vërtetë një teprim! /Nga Besi BEKTESHI