Gatishmëria e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për të dhënë dorëheqjen me qëllim zgjidhjen e krizës politike dhe deklarata e tij për vetëvrasje shkaktoi habi, por nxiti edhe reagime. Sipas avokatit Spartak Ngjela, fjalët e kreut të shtetit për mediat tregojnë frikën dhe dëshpërimin që kanë e kanë kapluar atë për shkak të reformës në drejtësi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”.
Ngjela deklaroi se Meta kishte shpresa tek opozita se përmes djegies së mandateve dhe protestave do të shkaktonte trazira duke krijuar një shteg shpëtimi për pushtetarët e korruptuar. Ai shtoi se në këtë moment kur asnjë nga skenarët destabilizues të opozitës nuk po funksionon, në lojë po futet presidenti i cili kërkon të çojë më tej trazirat. “Deklarata e tij tregon që ai është një njeri i dëshpëruar dhe i trembur.
Kjo kuptohet sepse ka patur shpresë që gruaja e tij ose Basha se mund të krijonin përmbysje me dhunë ose destabilizim në Shqipëri. Tani që gjithçka mori fund sepse nuk ka më asnjë forcë popullore që mund t’i përkrahë të korruptuarit, duke qenë gjithashtu një njeri i shënjuar për korrupsion që e di gjithë Shqipëria, mendon i dëshpëruar se mund të krijojë ndonjë efekt destabilizues me dorëheqjen e tij, me ato që thotë, jo do vritem si Alendja, jo do të vras veten”, tha Spartak Ngjela.
Për avokatin, kreu i shtetit është një njeri i zhytur në korrupsion dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Sipas tij, fakti që asnjë qytetar nuk e mbështet për shkak të aferave ku është implikuar dhe thellimi i reformës në drejtësi kanë shkaktuar frikë dhe dëshpërim tek Meta. “Këto janë të gjitha broçkullat e një njeriu të dëshpëruar, i cili nuk i shpëton dot akuzës për korrupsion.
Ky veprim është një dëshpërim i madh i Metës dhe e them edhe një herë më mirë të mos merren me këto budallallëqe sepse nuk ka kapacitet dhe figurë për të krijuar një mbështetje popullore në Shqipëri. E dyta, ka shumë pakënaqësi në lidhje me karakterin korruptiv të tij dhe meqë jep dorëheqjen, le ta japë të bëjë çfarë të dojë”, deklaroi ai.
Frika nga SPAK
Avokati Spartak Ngjela e sheh presidentin Ilir Meta si një ndër emrat e parë që do të vuajë dënimin e bëmave të tij korruptive nga drejtësia e re. Në reagimin për gazetën “SOT”, Ngjela theksoi se deklaratat e tij për dorëheqje dhe për vetëvrasje tregojnë qartazi se ai është i frikësuar nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe po tenton të bëjë çmos që puna e saj të pengohet.
Sipas tij, Meta duhet të përgatisë edhe mbrojtjen ligjore sepse së shpejti do të duhet të përballet me drejtësinë. “Ajo që dua të them unë është që nëse Meta dëshiron të ulë koston e dëmit, duhet të ulet të mendojë më mirë për të gjetur sa më shpejt një avokat sepse akuza do t’i vijë. E mira është që të gjejnë një avokat si ky, ashtu edhe gjithë të tjerët, të ulin koston e dëmit sepse dëmi do t’ju vijë për faktin se janë të korruptuar. Kjo është një bandë e madhe korruptive, të cilën e kapi reforma në drejtësi.
Deri tani e bllokuan zbatimin e kësaj reforme, ju drejtuan shqiptarëve me një mijë thirrje për të shpëtuar demokracinë, gjoja, por nuk bënë dot asgjë”, u shpreh Ngjela. Megjithatë, avokati mendon se asnjë përpjekje e politikanëve të korruptuar nuk mund të prapësojë reformën në drejtësi. Duke iu referuar edhe thirrjes në prokurori sot të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për çështjen e lobimeve ruse, Spartak Ngjela nënvizoi se kjo tregon se ora kur të korruptuarit do të japin llogari ka ardhur dhe asgjë nuk e ndal reformën në drejtësi. /Mimoza Ibra