Ditën e sotme nga qyteti i Pogradecit, presidenti Ilir Meta deklaroi se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Mirëpo, shkarkimi i Ilir Metës është një temë e cila është dëgjuar edhe më parë, më konkretisht në përplasjet që Meta pati me kryeministrin Edi Rama për çështjen e mosdekretimit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Punëve të Jashtëme.
Kryeministri Edi Rama në një studio televizive i pyetur nëse do ta shkarkonte Ilir Metën nga presidenti, asokohe u përgjigj se e mendon nja opsion të tillë por nuk ka numrin e duhur të votave që kërkon Kushtetuta.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përsa i përket shkarkimit të Presidentit kërkon 2/3 e votave në Parlament përkatësisht 94 vota numër që me zhvillimet e fundit politike duke i arritshëm.
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”,-thuhet në pikën 2 të nenit 90 të Kushtetutës.
Më tej në një pikë më poshte thuhet që: “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Aktualisht në Shqipëri nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese që e bën thuajse të pamundur shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.
Ndërsa, përsa i përket deklaratave të Metës ditën e sotme për një dorëheqje të mundshme, Kushtetuta parashikon në pikën 2 të nenit 91 se posti i kalon përkohësisht kryetarit të Kuvendit.
“Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”,-thuhet në nenin 91 pika 2 të Kushtetutës.