Nga Xhek London
Duke ecur nëpër rrugët e botës, gjithmonë ndodh që vështrimi të ndalet tek bukuritë dhe shëmtitë, tek pasuria dhe varfëria, tek shkëlqimi dhe mjerimi. Kam parë shoqëri njerëzore të pa zhvilluara dhe sigurisht të tjera të prosperuara.
Kur vizitoj perëndimin nënkuptoj dritën, nënkuptoj se thelbi i shoqërise në fund të fundit është shteti me fytyrë humane, është komuniteti i njerëzve kultivuar mbi bazën e respektit dhe dashurisë së ndërsjellë.
E kundërta ndodh tek vendet e pazhvilluara…humanizmi dhe mëshira janë të zbehta. Në shoqëri të tilla njerzit jetojnë si tufa e demëve të egër në shkretëtirën e qyteteve, ku lindin heronjtë e mbijetesës, që mbi supe mbajnë barrën e harrimit dhe në ballin e rudhur, hijet e pikëllimit.
Në thelb të çdo varfërie është makutëria, zonja e pandëshkuar e shekullit. Brirët e saj janë padrejtësia. Balli i saj është korupsioni. Sytë e saj janë zilia. Veshët e saj janë shurdhëria. Hunda e saj ka nuhatje për diamante. Gjuhë e saj shijon vetëm nektare tepsie, ndërsa të tjerëve ju mbetet kupa e helmet dhe koshi me thërime.
Si qenie e mjere përfundon njeriu, për shkak të braktisjes, prej mungesës së respektit dhe dashurise. Kushdo mund ti shohë nëpër sheshe dhe cepa rugësh si vepra arti të mjerimit, sikur të jenë mbetje të pakallura prej luftrash mizore.
Jam i bindur e dua të them urtësinë e shekujve, se makutëria apo padrejtësia duken insekte para madhështisë së dashurisë! Kur Dielli shuhet, Hëna nuk e zëvëndeson atë.
Dashuria e shkruar nëpër sentenca, poezi, romane apo filma është frymezuese, inspiruese, por dashuria dhe humanizmi i shtetit e shoqërisë mbeten përjetësisht kuruese dhe të lavdërueshme.
Prandaj duhet të ndërtojmë shtetin e së drejtës! Pikërisht këtë nuk kemi aftesi ta bëjmë, nuk kemi shtet diell, ndjehemi nën një shtet dokrash, që për kaq vite ka ofruar abuzime dhe zullume, duke na i bërë jetën stres e gri, për rjedhojë shumë krijesa njerëzore mes nesh i shikon rëndom të duken si krijesa të braktisura.
Kjo na turpëron të gjithëve, ndërsa ata që bëjnë politikë i fajëson aq shumë për turp dhe krim.
Me gjithë zemër do doja një protestë për dashurine në kullën e pendimit! Dashuria është dobësia më fisnike e shpirtit, pa dashuri bota humb kuptimin.
Ndaj ditët na duken njesoj, pa ritem, pa kuptim…kemi humbur dashurine, ajo na ndrit përmes gjithë vuajtjeve, hidhërimeve, dështimeve dhe keqdashjeve.