Do ketë ose jo letërporosi për gjykatën amerikane, e vërteta është se Prokuroria shqiptare ka gjithë të drejtën ligjore e të Zotit për të hapur çështjen, qoftë dhe me “kryesisht”. Precedentin organi i akuzës e ka, pasi bazuar në disa gjysmë përgjime dhe komente të botuara në media, pavarësisht se linin shumë të dëshiruar për saktësinë, mori nën hetim penal ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Për rastin “Gërdeci” të Gjykatës së Floridas, Prokuroria gjen të plotë në versionin anglisht dhe shqip vendimin e plotë me të gjitha arsyetimet dhe dëshmitë, përfshirë dhe Luan Hoxhën, Uidhers dhe vajzën e Trebickës
Shkëlzen Berisha e humbi gjyqin për “Gërdecin” në Florida, të ngritur ndaj botuesve të librit “Qentë e luftës”, Simon & Shuster dhe Guy Lavson, nga të cilët kishte kërkuar 60 milionë dollarë shpërblim për cënim imazhi.
Bashkë me humbjen e gjyqit, djali i ish kryeministrit Berisha do duhet të paguajë dhe 600 mijë USD e shpenzimeve të gjyqit dhe miliona euro për 4 avokatët amerikanë, që mbrojtën akuzën.
Pavarësisht se kostoja totale e këtij gjyqi të shtrenjtë në Florida do t’i kushtojë rrotull 6 milionë dollarë për të gjitha shpenzimet, dëmi më i madh që i është bërë Shkëlzen Berishës me këtë gjyq është se tashmë ai është zyrtarisht aktori kryesor i “Gërdecit”.
Nëse deri më tani është folur vetëm në media që “punishtja” e vdekjes në Gërdec që shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur ishte biznes i Shkëlzenit, pas vendimit të gjykatës së Floridas që la në “fuqi” akuzat e autorëve të librit “Qentë e luftës”, ai është zyrtarisht fajtori kryesor.
Po debatohet shumë nëse Prokuroria shqiptare duhet të kërkojë nga gjykata e Floridës dosjen e plotë të gjyqit për të filluar hetimin penal ndaj Shkëlzen Berishës për tragjedinë e Gërdecit.
Pavarësisht nëse do ketë ose jo letërporosi për gjykatën amerikane, e vërteta është se Prokuroria shqiptare ka gjithë të drejtën ligjore dhe të Zotit për të hapur çështjen, qoftë dhe me “kryesisht”.
Ndaj, pas vendimit të gjykatës së Florida, ku Shkëlzeni s’mbrojti dot veten nga akuzat e faktuara që i ka bërë shtypi i huaj si pronar i biznesit në Gërdec dhe shkaktar i tragjedisë, Prokuroria duhet të kryejë një hetim të thellë, ashtu siç ka bërë gjykata amerikane.
Ajo ka fiksuar në vendim gjithë hetimet që ka bërë shtypi ndërkombëtar për këtë çështje, dëshmitë jo publike të bëra nga personazhe që kanë qenë të përfshirë në këtë histori, por dhe dëshmitë e ish shefit të Shtabit të FA, Luan Hoxha, ish ambasadorit Uidhers, vajzës së Trebickës dhe të gjithë dokumentacionin zyrtar ku implikohet emri i tij. Këto të çojë në gjykatë Prokuroria.
Për më tepër që precedentin për fillimin e një hetimi me “kryesisht” prokuroria shqiptare e ka, pasi bazuar në disa gjysmë përgjime dhe komente të botuara në media, pavarësisht se linin shumë të dëshiruar për saktësinë, mori nën hetim penal ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Ndërsa për “Gërdecin” ka të botuar në versionin anglisht e shqip vendimin e plotë e të arsyetuar të gjykatës së Floridas ku implikohet Shkëlzen Berisha në biznesin e vdekjes, që shkaktoi vdekjen e 26 personave. Ta marrë dhe ta përdorë për hetimin fillestar.