Nga Flogert Muça
Partia Demokratike, e cila lindi në 11 dhjetor të vitit 1990 nga protesta studentore nën thirrjen ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ është sot paradoksalisht në shtratin e vdekjes, prej protestave të Lulzim Bashës.
Pavarsisht peripecive, ulje-ngritjeve që ka pësuar në 29 vitet e saj, PD-ja nuk ka qenë asnjëherë në nivelet e sotme sa i përket përçarjes, numrave dhe mungesës së lidershipit.
Po si ka ecur Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës, që nga dita kur iu dhurua drejtimi i saj deri sot që e ka nxjerrë partinë e studentëve të 1990-ës në rrugë, pa asnjë plan se cili do të jetë destinacioni?
Lulzim Basha mori derjtimin e Partisë Demokratike në një garë të kontestuar me të ndjerin Sokol Olldashi në 23 korrik të 2013-ës, pas humbjes së thellë të Berishës në 23 qershor të po këtij viti.
Lulzim Basha i cili vinte me një CV të ngjeshur si pushtetar (Ministër Transportesh, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm në vitet 2005-2011 dhe kryebashkiak i Tiranës nga 2011 deri në 2015) mori drejtimin e PD-së, ku edhe pse mes shumë kontestimesh për procesin e zgjedhjeve brenda partisë, arriti që të vazhdonte në krye me mbështetjen e Berishës.
Në zgjedhjet e para (lokalet e 2015) si kryetar partie Basha humbi thellë, duke filluar nga bashkia ku ishte vetë kryetar, ajo e Tiranës. Ai arriti që të marrë vetëm 15 nga 61 bashki në vend, duke treguar kështu dobësinë e tij si lider, paaftësinë e tij për të bashkuar dhe frymëzuar demokratët. Pa folur pastaj për të mbjellë shpresë tek elektorati i pavendosur (gri).
Duke parë rezultatin katastrofik për PD-në, shumë eksponentë më influencë në PD dhe themelues të saj, kërkuan që Lulzim Basha të largohej nga drejtimi i partisë, por me disa manovra teknike ai ia doli që të nxirrte nga loja figurat emblemë të partisë, duke afruar pranë vetes disa personazhe amatorë politik që i bindeshin.
Kjo natyrisht që e dëmtoi edhe më tej Partinë Demokrarike, e cila vazhdonte përçarjen dhe shkatërrimin nga Lulzim Basha, i cili me anë të disa mashave politike të sapoafruara në parti, sulmonte figurat emblemë të PD-së, duke nisur nga themelues të saj e deri tek ata që kishin dhënë kontribut të rëndësishëm në të.
Por, sondazhet në prag të zgjedhjeve të përgjitshme në 2017 tregonin se PD-ja e Bashës ishte në shifrat më të ulta që nga krijimi i saj. Për këtë arsye, ai ngriti një çadër në Bulevard, duke kërkuar pushtet në këmbim të hyrjes në zgjedhje, duke pretenduar se duke i patur të gjitha në dorë do të mund të rritej. Dhe e mori. Edi Rama i dha Lulzim Bashës ministritë që ai kërkoi, drejtoritë më të mëdha në vend, zëvendës-kryeministrin që do merrej më mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sëbashku më ministrin e Brendshëm, kreun e KQZ dhe Avokatin e Popullit.
Praktikisht Lulzim Basha mori të gjithë qeverinë në 2017-tën dhe hyri në zgjedhje i favorizuar.
Por, rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit të 2017-ës tregoi se PD-ja thjeshtë nuk e donte Lulzim Bashën.
Ai ishte që nga dita e parë si mish i huaj në trupin e Partisë Demokratike. Një humbje e tillë e Bashës pasi kishte përjashtuar të gjithë ata që kishin krijuar PD-në dhe mbajtur në këmbë atë (me përjashtim të Berishës) ishte dëshmia e fortë se ai duhet të largohej, por jo, qëllimi i tij për ta shkatërruar përfundimisht këtë parti nuk ishte arritur plotësisht.
Sot, afro dy vjet pasi ka humbur zgjedhjet, Lulzim Basha ka nxjerrë PD-në nga jeta parlamentare dhe po tenton ta nxjerrë nga sistemi politik duke mos pranuar të hyjë në zgjedhjet lokale. Njëlloj si në 2017-ën kërkon pushtet në tavolinë.
Protestat e tij të cilat janë totalisht në dëm të reformave dhe integrimit të vendit në BE, janë dora e fundit që Basha po i jep shkatërrimit final të PD-së, e cila lindi nga protesta e studentëve dhe po ‘vdes’ nga protestat e Lulzim Bashës. Sot ka kundër mbi 75% të shqiptarëve sipas sondazheve. Mirwpo, Basha duke mos patur PD-në në krahun e tij, po tenton ti vërë flakën vendit dhe partisë më të madhe opozitare për qëllimi tërësisht personale.
Kjo është fatkeqësia e PD-së sot e njëkohësisht edhe e Shqipërisë.
Një person i vetëm që shihet si mish i huaj në trupin e partisë që i kanë dhënë për ta drejtuar, për interesa të tijat po tenton të shkatërrojë partinë dhe djegë vendin.