Televizioni norvegjez NRK do të realizonte në vitet ’80 dy dokumentare për Shqipërinë, në të cilat konstatohet varfëria e thellë që kishte pllakosur vendin. Dokumentari i parë u realizua në vitin 1982 dhe do të publikohej me titullin “Shqipëria vijon akoma në rrugën e saj”. Dokumentari ka sens kritik e duket se i është “shmangur” propagandës së kohës lidhur me mënyrën e jetesës që bënin shqiptarët në fshat e në qytet.
Në dokumentarin e vitit 1982, gazetari evidenton faktin se në Shqipëri nuk ka ndonjë diferencë mes të pasurve e të varfërve dhe se e gjithë popullsia po jeton njësoj në varfëri.
Po ashtu, evidentohet fakti se në Shqipëri nuk lejohet pasja e një automjeti privat dhe se makineritë e vjetëruara të fabrikave kanë prodhimtari të ulët. Një vëmendje e veçantë i kushtohet dyqaneve ku produktet janë të kufizuara.
Nga ana tjetër, në dokumentar evidentohet fakti se në kampet e punës janë 40 mijë persona, oponentë me pushtetin; fakt i cili mohohet nga zëdhënësit e qeverisë.
Ndërsa evidentohet stili i jetesës së shqiptarëve, në dokumentar gazetari evidenton se “ka kritika publike por pakënaqësia nuk mbizotëron”.
Dokumentari i dytë do të realizohej në tetor të vitit 1988, kur kriza ekonomike kishte arritur kulmin e jetësa e shqiptarëve ishte vështirësuar në maksimum. Dokumentari tenton të hedhë dritë mbi mënyrën sesi të rinjtë e mendojnë të ardhmen e Shqipërisë. Në fakt, pas pak vitesh këta të rinj do të ishin ata të cilët do të ngriheshin në protesta duke kërkuar ndryshimin e regjimit politik dhe ekonomik.
Ky dokumentar ka një dozë kritike më të theksuar se dokumentari i parë. Pamjet filmike u transmetuan në emisionin “DOSJA E” të gazetarit Kreshnik KUÇAJ në Televizionin SCAN.