Presidenti Ilir Meta, që shpesh herë është konsideruar si i afërt me influencat ruse në Tiranë, gjatë një dalje të tij publike këtë të hënë, i ka konsideruar qesharake akuzat për ndikimin rus në zhvillimet e fundit politike.
“Nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale përfaqësimi, që janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha Meta në deklaratën e tij.
Në fakt, më shumë se politikanët dhe media shqiptare, për rrezikun rus në Ballkan raportojnë Perëndimorët.
Ndoshta presidenti nuk e ka lexuar, por vetëm pak ditë më parë, komandanti i trupave amerikane për Europën tha se Rusia po financon parti radikale në Ballkan, që të minojnë qeveritë aktuale.
Gjenerali Curtis Scaparrotti akuzon Moskën se po financon parti politike në Ballkan për të penguar integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian dhe NATO.
“Ata bëjnë përpjekje për të minuar çdo përparim drejt integrimeve Euro-Atlantike, BE, NATO, etj.
Këtë e bëjnë kryesisht përmes dizinformimit, e bëjnë duke financuar dhe mbështetur parti radikale.
Ata jo domosdoshmërisht përcaktojnë se cilin krah mbajnë.
Rëndësi ka që të minojnë qeverinë aktuale në çdo hap të hedhur përpara. Shohim që ky aktivitet është shtuar gjatë 6 apo 8 muajve të fundit në Ballkan”.
Gjatë një raportimi përpara anëtarëve të Komisionit të Shërbimeve Ushtarake të Dhomës së Ulët të Kongresit Amerikan, gjenerali Scaparrotti paralajmëroi se rusët mund të organizojnë akte dhune në Maqedoninë e Veriut para anëtarësimit të plotë në NATO.
“Hyrja e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO besoj se janë të papranueshme për Rusinë.
Besoj se ata vazhdimisht do të përpiqen të ndërhyjnë në Maqedoninë e Veriut siç bënë me Malin e Zi”.
Moska e ka shprehur hapur qëndrimin kundër anëtarësimit në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ka mohuar përfshirjen në tentativën për grusht shteti në Mal të Zi që u zbulua tetorin e vitit 2016.
Disa ditë më parë, edhe kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk ngriti shqetësimin se Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e disa vendeve europiane, përfshirë këtu edhe rastin Brexit.