Gjykata e Apelit ka pranuar sot kërkesën për rigjykim të Izet Haxhisë, ish-truproja i ish-kryeministri Sali Berisha i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit.
Apeli ka vendosur të kthejë çështjen për rigjykim në Gjykaten e Shkallës së Parë, çka do të thotë fillim i procesit gjyqësor nga e para për Izet Haxhinë. Procesi do të nisë me një tjetër trupë gjykuese e gjyqtar.
“Prishjen e vendimit nr.318 (316) datë 29.04.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj të pandehurit Izet Haxhia dhe kthimin e akteve për rigjykim në një kolegj tjetër të asaj gjykate”- thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
Izet Haxhia ishte dënuar me 25 vjet burg, por sipas Apelit i është mohuar e drejta për t’u mbrojtur dhe për këtë arsye çmon se vendimi duhet prishur dhe kthyer për rigjykim. Avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolli e konsideroi të drejte vendimin e Apelit.
“Më në fund pas një kohë të gjatë vendoset një e drejtë proceduriale në vendin e duhur. Gjykata në vendimin e sotëm është në përputhje me konventën që do të thotë se është e drejta e cdo të gjykuari të jetë në senacë. Ky është një vendim shumë i drejtë. Ky vendim e rikthen ccështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Hapet e drejta për t’u dëgjuar. Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulante, dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje“, u shpreh avokati.
Në 2006, Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj vitit të kaluar ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar në mungesë për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.