Të pathënat nga sheshxhirimi, në librin “Tomka and his friends”, përgatitur nga Ilir Keko
“Nëse është e vërtetë një fjalë e mençur se për ata që kanë përjetuar trauma emocionale dhe fizike duhet dyfishi i kohës për ta rimarrë veten, atëherë procesi i shërimit të Shqipërisë sapo ka nisur rrugëtimin e tij.
Filmat e Xhanfise Kekos shërbejnë si një pikë hyrje për në këtë botë. E ku ka rrugë më të mirë për të kuptuar se çfarë kanë përjetuar brezat e humbur të Shqipërisë sesa të hysh në botën e tyre nëpërmjet imazheve që ishin krijuar fillimisht për të folur me ta, pikërisht në mënyrë që të imagjinohej një botë ku gjërat një ditë mund të ishin ndryshe?!”.
Regina Longo, drejtore themeluese e Projektit të Kinemasë Shqiptare (ACP), e ka shumë të qartë përse ia vlen të shpëtohen nga degradimi filmat shqiptarë, e në veçanti ata të regjisores Xhanfize Keko. Edhe pse nuk ishte ndër më të dëmtuarit, ajo zgjodhi të restauronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës filmin “Tomka dhe shokët e tij”, i cili sot shfaqet për publikun në ceremoninë e hapjes së Tirana International Film Festival (TIFF).
Sot, në Kinema Millenium do të shfaqet filmi i restauruar, i cili do të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të filmit 37-vjeçar, i cili do të shoqërohet edhe me promovimin e një libri, që i dedikohet posaçërisht filmit “Tomka dhe shokët e tij”: “Tomka and his friends – Një film artistik i realizuar në vitin 1977 në Shqipërinë komuniste”. Libri, në formatin e një albumi, i ideuar dhe përgatitur nga i biri i regjisores, Ilir Keko dhe kompania e prodhimit dhe distribucionit filmik “Skandal” sjell gjithë procesin e realizimit të filmit, që nga skenari, gjetja e sheshxhirimeve, seleksionimi i aktorëve të vegjël etj. Janë vetë kujtimet e regjisores
Xhanfize Keko në sheshxhirim
Xhanfize Keko, që na e sjellin më të gjallë atmosferën e realizimit të filmit e po aq edhe vetë fëmijët e dikurshëm që tregojnë për të dhe regjisoren, për të cilën jo pa të drejtë regjisori dhe kritiku i filmit, Thomas Logoreci, shkruan: “Në një intervistë kur fliste për Amerikën e viteve ‘50, Martin Skorceze gjen një emër për regjisorët si Xhanfise Keko që u rrëshqisnin rregullave dhe i quante ‘kontrabandistë’, pasi me mënyrën e tyre në veprat e tyre ata fusnin kontrabandë gjëra që i rrëshqisnin sistemit”, do të shprehej Thomas Logoreci, regjisor dhe kritik filmi, iniciator i projektit të restaurimit të filmave shqiptarë”.
I krijuar në vitin 1977 mbi skenarin e Nasho Jorgaqit, regji të Xhanfize Kekos dhe një kast aktorësh të vegjël, “Tomka dhe shokët e tij” ishte një nga filmat e pëlqyer gjatë viteve të diktaturës, por më pas u mbulua nga tisi i harresës, por dhe i anatemuar për shkak të “ideologjizimit”. Sot, ai vjen si homazh i një kohe kur kinemaja ishte shumë e rëndësishme për shtetin, si homazh për regjisoren e vetme të filmit artistik në Shqipëri në ato vite, por edhe si nostalgji për një brez aktorësh fëmijë, pak prej të cilëve u bënë aktorë, ndërsa të tjerët ndoqën rrugët e jetës, dikush mësues, një tjetër historian, farmaciste etj..
Filmi në sytë e të huajve
Përtej asaj çka ne mund të mendojmë sot për të, kineastët e huaj, që kanë mbështetur projektin e shpëtimit, së bashku me ata që kanë pasur rastin ta shohin në Amerikë, Londër etj., kanë parë tek ai film diçka, që ndoshta as vetë Xhanfize Kekos nuk i kishte shkuar ndër mend. “Historia politike e Shqipërisë duket se përmban shembuj të panumërt të “brezave të humbur”.
Ndërsa “Tomka dhe shokët e tij” tregon historinë e njërit prej brezave të humbur të Shqipërisë (fëmijët e saj të periudhës së Luftës së Dytë Botërore), ACP-ja është duke punuar për t’ia bërë të ditur botës rrëfimet me shumë aspekte dhe mënyrën se si kinemaja shqiptare e realiteti ndërthuren në filmat e Xhanfise Kekos”, shton Longo. Pas restaurimit, filmi i Kekos është shfaqur në një sërë kinemash në Londër, ndërsa pritet të shfaqet në Amerikë e Kanada.
Drejtori i London Film School, Ben Gibson, e analizon filmin duke pasur parasysh kohën kur u krijua. “Në rastin e filmit të Xhanfise Kekos ‘Tomka dhe shokët e tij’, problemet e vitit 1977 në regjimin e Enver Hoxhës janë bërë të duken më të shpjegueshme dhe në të njëjtën kohë relativisht më të vogla, sepse kinostudio e Tiranës kishte vendosur realizimin e një filmi në kujtim të luftës së vendit kundër Rajhut të Tretë (shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë luftuar edhe kundër osmanëve, grekëve dhe italianëve).
Ajo që arritën, ishte një film tërheqës, ndonëse bardhë e zi, i bërë shpejt dhe me buxhet të vogël. Një lloj filmi eksperimental i shkruar nga disa bashkëpunëtorë së bashku dhe ku konflikti i hapur nga ana e fëmijëve është baza ku krijohen të gjitha idetë e mira që pasojnë”, thotë ai.
Për regjisorin Marc Cousin, i cili ka pasur rastin të vijë në Shqipëri, të shohë nga afër kushtet në të cilat ruhen filmat shqiptarë dhe u bë një ndër promotorët e projektit për shpëtimin e trashëgimisë kinematografike, “‘Tomka dhe shokët e tij’ të sjell ndërmend ‘Emili dhe detektivët’. Portretet e fëmijëve të filmit përbëjnë edhe arsyen pse unë jam bërë pjesë e projektit të Kinemasë Shqiptare”.
“Xhirimet me qenin e kufirit që kishte marrë medalje”
Rivaliteti mes fëmijëve aktorë dhe frika nga Gofi në kujtimet e regjisores
Xhanfize Keko: Pas çdo dubli, mbaj mend që thosha jo vetëm me vete… ‘Shpëtuam edhe kësaj radhe’
Nga xhirimet e filmit “Tomka dhe shokët e tij”
Në faqet e librit “Tomka and his friends”, ku fotografi të papublikuara më parë e shoqërojnë atë hap pas hapi, tregohen kuriozitete dhe ca “sekrete” nga sheshxhirimet, që nuk i kemi ditur më parë. Aty lexon për zënkat dhe rivalitetin mes fëmijëve apo realizimin e skenës së vështirë për helmimin e Gofit, qenit të gjermanëve. Gofi ishte një qen kufiri, që kishte marrë edhe medalje nga shteti, por që bënte t’u ndalnin zemrat jo vetëm fëmijëve, por dhe të rriturve në sheshxhirim.
Kishte mbërritur ora e fillimit të xhirimeve. Fillimi nuk shkoi keq, sa i takon interpretimit e atmosferës. Por, pa kaluar ende disa ditë, fëmijët u ndanë në dy grupe dhe plasi sherri. Njërin grup, atë ku bënin pjesë më të vegjlit, e kryesonte Enea, ndërsa tjetrin e kryesonte Herioni. Tashmë nuk kishte asnjë dyshim se xhelozia mes këtyre dy fëmijëve që vinin në Berat, pas suksesit në filmat ku kishin interpretuar role kryesore, ishte bërë evidente dhe problematike. Në këtë situatë, m’u desh të ndërhyj për të rivendosur “paqen” mes rivalëve. Por dështova.
Dhjetëditëshi i parë i xhirimeve më bindi se nuk mund t’i vazhdoja ato pa zgjidhur më parë problemin me më problematikun e grupit të fëmijëve, Enean. Duket kisha gabuar me zgjedhjen e tij për rolin e Tomkës, për shkak të diferencës së madhe që kishte me fëmijët e tjerë.
Ai ishte në moshën e adoleshencës dhe psikologjikisht lidhej me shumë vështirësi me grupin e fëmijëve. Ky fëmijë impulsiv e me një temperament krejt të ndryshëm nga të tjerët ishte bërë i padurueshëm, krijonte shqetësime e telashe të mëdha çdo ditë, në xhirim e pas xhirimit. Në këto kushte, pasi e konsultova dhe gjeta mbështetje nga shtabi i filmit, vendosa t’i propozoj drejtorisë së Kinostudios zëvendësimin e tij. E dija se kjo gjë në radhë të parë rëndonte mbi mua, pasi nuk kisha kandidaturë tjetër, por e dija dhe se nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër.
“U nisa zemërthyer dhe erdha në Tiranë. Të parin takova Vaskën, babanë e Eneas, të cilit i tregova shqetësimin dhe vendimin.
Qeni i kufirit që “luante” Gofin
Ndërpreva xhirimet dhe erdha në Tiranë për ta zëvendësuar Enean. Nuk kam rrugë tjetër, edhe pse më pëlqen si aktor…”, e mbylla fjalën time.
I habitur dhe i befasuar, ai më vështroi me vëmendje dhe më tha:
“Nuk e besoja kurrë që pas portretit tënd të fshihej një shpirtkazmë. E merr me mend se ç’mund të ndodhë me djalin tim, po e hoqe nga filmi?”
Pastaj, si u mendua pak, shtoi:
“Mos u nxito ta zëvendësosh. Po dërgoj në Berat gruan me djalin pesëvjeçar dhe ke për të parë që çdo gjë do të shkojë më së miri.
Mendimi i tij m’u duk një zgjidhje e mirë, ndaj pranova.
Atë ditë, çuditërisht, rruga deri në Berat m’u duk tmerrësisht e gjatë, ndoshta edhe se pas çdo kthese më bëhej se dëgjoja fjalët e Vaskës… “E merr me mend se ç’mund të ndodhë me djalin tim po e hoqe nga filmi?!”…
Ditët e mëpasshme treguan se Vaska kishte pasur të drejtë kur më tha të mos nxitohesha. Balerina Tina Papadhopulli kishte qenë një kujdestare e vërtetë. Jo vetëm Enea, por dhe fëmijët e tjerë tashmë i bindeshin asaj plotësisht.
Por problemet me këtë film nuk mbaruan këtu. Sa zgjidha problemet me fëmijët, më lindi problemi me Gofin, qenin e kufirit. Ai ishte një qen i madh e i zi nga të policisë, që e kishim marrë bashkë me instruktorin Orhan për të xhiruar. Më kujtohet se, nga meraku i fëmijëve, sa herë bisedoja me Orhanin në lidhje me sigurinë e qenit, ai pasi më tregonte dëftesën e notave të Gofit në shkollë dhe CV-në e tij, ku shquante që ishte dekoruar nga shteti me medalje për trimëri dhe zgjuarsi në kapjen e keqbërësve, më thoshte si për të mbyllur bisedën.. “e po, kafshë është, nuk ka garanci”… Pas këtyre fjalëve, unë tmerrohesha fare dhe nuk shpresoja se fëmijët, të cilët e kishin shumë frikë atë, do të mund t’i afroheshin ndonjëherë. Gofi kishte një pamje të frikshme.
Ka qenë një ditë e mbushur me ankth ajo kur u xhirua episodi “helmimi i qenit”. Bashkë me fëmijët, për orë të tëra jam dridhur nga frika se mos më ndodhte ndonjë gjë me fëmijët. Pas çdo dubli, mbaj mend që thosha jo vetëm me vete… “Shpëtuam edhe kësaj radhe nga Gofi”… E ndërsa ne bëheshim gati për dublin tjetër, ai vinte vërdallë kampit gjerman pa hundëzën që i vinte zakonisht Orhani, duke i larguar dhjetëra metra kureshtarët e shumtë që, në një kuptim, na pengonin gjatë punës.
Nuk do ta harroj momentin e xhirimit kur fëmijët i japin mishin e helmuar qenit.
… Gofi shikon nga fëmijët që shtynë me shkop drejt tij një copë mishi, largohet dy hapa dhe kthehet përsëri. Qëndron një çast, pastaj ha mishin dhe pasi kthehet të ikë, rrëzohet i helmuar. Ngrihet dhe një herë e rrëzohet për të mos u ngritur më.
Atë ditë, Gofi tregoi se ishte jo vetëm një nxënës shumë i mirë, por dhe një aktor shumë i mirë. Ai interpretoi saktësisht çfarë ishte parashikuar në skenar dhe çfarë i kërkoi instruktori Orhan, se të ishte për regjisoren e filmit, Gofi nuk lëvizte nga vendi, jo më të xhironte.
Por, pavarësisht nga fjalët e mira për talentin e Gofit, më duhet të kujtoj me këtë rast se… Isha në momentet e fundit para fillimit të xhirimit të këtij episodi dhe po bisedoja me instruktorin kur, krejt papritur, dy putra të mëdha e të fuqishme u mbështetën në supet e mia dhe më hodhën dy apo tre metra më tutje. U tremba sa nuk mund ta tregoj, pasi nuk e prisja. Po edhe fëmijët u trembën shumë, veçanërisht Genci, të cilit nuk i iku frika nga portreti atë ditë deri në fund të xhirimit të episodit. Aq shumë u tremb, sa gjatë xhirimit Genci, i cili e kishte atë jo më larg se dy metra, në momentin që Gofi iku, tha një batutë që nuk e kishte në skenar… “Shyqyr që shpëtuam”… mbeti në film, pasi ishte një batutë e thënë shumë sinqerisht nga një fëmijë që nga frika mezi priste të largohej qeni.
(Marrë nga kujtimet e Xhanfize Kekos, në librin “Tomka and his friends” /ALMA MILE