Avokati Spartak Ngjela në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se Reforma në Drejtësi do të shkarkojë përfundimisht një klasë politike drejtuese tërësisht të korruptuar dhe injorante, që merret me punët e shtetit. Sipas tij Basha e tha vetë troç ‘sekretin’ e tij. ” Ose na pranoni me gjënë e vjedhur dhe me krimet që kemi bërë, ose do të destabilizojme Shqipërinë.” Ngjela thekson se Basha dje ‘kërcënoi’ Amerikën.
Po ashtu ai në këtë postim ka shkruar se protesta e djeshme e opozitës ishte një dështim i radhës i korrupsionit aktiv dhe pa vlerë fare e një opozite të vetëvrarë.
Postimi i plotë:
Nuk ka rëndësi çfarë bën opozita e dalë jashtë Parlamentit, nuk ka rëndësi aspak se si i përgjigjet maxhoranca kësaj lëvizjeje, e rëndësishme është që politika amerikane të vijojë me këtë parlament të vazhdojë me forcë Reformën në Drejtësi. Ky është sot interësi parësor i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Vetëm Reforma në Drejtësi do ta skartojë përfundimisht një klasë politike drejtuese tërësisht të korruptuar dhe injorante në punët e shtetit.
Të gjitha të tjerat janë orvatje pa fare vlerë.
l.
Asgjë e re nuk ndodhi dje në Tiranë. Protesta e djeshme e opozitës në falimet, ishte dështim i radhës i korrupsionit aktiv.
Janë të mundur të gjithë të korruptuarit, dhe këte e tregoi protesta pa fare vlerë e një opozite tanimë të vetëvrarë.
Gjithçka ishte e ndërtuar nga Berisha dhe Basha për të dalë kundër frymës perëndimorë në Shqipëri, në funksion të reformave. Dje u pa një grup ish-deputetësh të trembur që mendonin të bënin revolucion me gurë. Kërkuan me çdo kusht që të merrnin e të shkatëronin ose godinën e Kryeministrisë, ose atë të Parlamentit. As vetë nuk e dinin se përse i donin këto shkatërrime. Por ndoshta kërkonin ndonjë të vrarë, që t’iu jepej mundësia të bënin një funeral; dhe pastaj funeralin ta kthenin në një kryengritje. Janë, jo vetëm të paaftë, por edhe naivë.
Kurse kulmi i naivitetit arriti kur Lulzim Basha iu drejtua politikës amerikane duke e kërcënuar me destabilizim të Shqipërisë. Domethënë nxori në shesh sekretin e tij. Dhe e dini se cfarë iu tha? Ose na pranoni me gjënë e vjedhur dhe me krimet që kemi bërë, ose do të destabilizojme Shqipërinë. Por politika e lartë sigurisht që ka pyetur: Me se?. Dhe sigurisht që në Uashington kanë qeshtur, sepse Basha i shkretë iu drejtua Uashingtonit me kërcënim, në një kohë kur ushtarët e tij nuk i kishin bërë dot ballë as gazit lotsjellës.
Në fakt kjo që po shohim është një komedi e madhe, por ata që po e luajnë nuk e kuptojnë dot sorrollatjen e tyre qesharake nëpër kallamishte; dhe sigurisht që e gjithë kjo iu ndodh se janë të trembur. Por këtë frikën e tyre e ka parë edhe politika amerikane, dhe sigurisht që kërcënimin Basha për destabilizim të Shqipërisë, e kanë parë ndoshta si efekt të gazit lotsjellës që mund të ketë prekur vetë Bashën, ose ndoshta e kanë parë si rrjedhojë e ndonjë dehjeje me raki për të marrë forcë.
ll.
E gjithë kjo që po shohim është një tentativë e dëshpëruar e Sali Berishes për t’i dale përpra rrezikut që po iu vjen. Por, nëse e sheh me pak vëmendje e konstaton se të gjithë liderët e ish opozitës janë pa ide. Pa një program. Dhe pa verb.
Politika është verb, por jo për militantët, por për ata të tjerët që duan ndryshim cilësor. E gjithë kjo do të thotë që duhet të kesh ide të qarta që njërëzit do t’i përkrahin se janë në interës të tyre. Kjo është politika moderne. Kurse shqiptarët po shohin se këta që po protestojnë janë krejtësisht pa një program, se nuk kanë ide. Pikërisht kjo i dobëson edhe më në përpjekjen që po bëjnë për t’i shpëtuar akuzës antikorrupsion.
Pse me Lulzim Bashën do ta sjellë ndryshimin cilësor Partia Demokratike? E pra, duhet një ndryshin cilësor në Shqipëri, dhe me një individ pa asnjë ide, që sokëllin më shumë nga frika sesa nga arsyeja, sigurisht se është e pamundur që të mundësh të bësh diçka. Në anën tjetër, tani kuptohet që, Basha dhe tabori i Berishës, nuk janë kundër kryeminstrit Rama, ai është vetëm tymi, ata janë ngritur kundër politikës amerikane reformuese të Shqipërisë. Dje, ishte vetë dështimi i protestës të cilën krerët e kishin paraparë si kryengritrje, që e detyroi Bashën që në dëshpërim te “kërcënonte” Amerikën me destabilizimin e Shqipërisë.
E pra, a mund të merren dot këto si akte seriozë të një politike e cila mund të pushtojë e të rrokë të gjithë vemendjen dhe qëllimin e shqiptarëve? Kjo është një pamundësi absolute. Por çfarë do të pritet të ndodhë me këtë opozitë të vetësfumuar dhe të këtij Parlamenti që tani nuk ka brenda tij më forca antireformë?
Asgje e veçantë: Parlamenti i drejtuar nga politika amerikane, por edhe ajo gjermane, do të vijojë me shpejtësi të kryejë të gjithë bazën ligjore kushtetuese që i duhet Reformës në Drejtësi, kurse të gjithë të korruptuarëve do të vijojë t’iu shtohet frika kundrejt akuzës antikorruposion.