Lulzim Basha mbërriti 30 minuta me vonesë para kryeministrisë, në protestën e lajmëruar për të nisur në 11:00. Simpatizantë dhe mbështetës të opozitës kishin mbërritur që herët nga rrethet e tyre përmes autobusëve nën organizimin e PD-së. Pati një takim me aleatët dhe ish-deputetët në selinë e PD-së, prej nga doli nën shoqërinë e bashkëshortes së tij për t’ju bashkuar tubimit.
Pati marshime të gjata para momentit kur shpërtheu e gjitha në dhunë në itinerarin e papritur që demokratët morën nga kryeministria drejt Parlamentit. Por gjatë gjithë kohës, lideri demokrat u pa të shihte telefonin e tij celular.
Komunikime të shumta me mesazhe dhe telefonata. E mbylli protestën shumë më shpejt sesa protestuesit kishin menduar, të cilët siç deklaronin edhe në prononcime për mediat, thonin se do të qëndronin gjatë në shesh, deri në largimin e kryeminsitrit Edi Rama.
Para se protestuesit të tentonin të mësynin në Kuvend duke çarë kordonin e policisë, Basha dhe organizatorët e PD-së, qëndruan përreth 15 minuta pa bërë asnjë veprim dhe lëvizje para Kuvendit. Edhe aty Basha u pa të fliste në telefon.Nuk dihet se më kë ka komunikuar në telefon Lulzim Basha, lideri i opozitës, tashmë jo parlamentare.