Prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani, ka shpjeguar para Komisionit të Vetingut përplasjet mes ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, pasi e procedoi penalisht për shpërthimin në Gërdec, ku humbën jetën 27 fëmijë, gra dhe burra, u plagosën rreth 300 të tjerë, ndërsa u hodh në erë një fshat i rërë mes Tiranës dhe Durrësit.
Sqarimet e prokurorit Stojani reflektohen në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari, trupë e cila ka vendosur të konfirmojë në detyrë prokurorin pasi ka kaluar me sukses të tre testet e Vetingut, ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Më datë 24.03.2009, Fatmir Mediu kallëzoi prokurorin Stojani për shpërdorim detyre në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mediu ka kallëzuar faktin se më datë 19 mars 2009 ai ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”. Sipas tij, prokurori Sokol Stojani ka komunikuar me SMS me gazetarët që kanë qenë pjesë e panelit të emisionit, ku ka qenë i ftuar edhe Mediu.
Në këto komunikime, sipas Mediut, prokurori u ka sugjeruar gazetarëve pyetje publike. Këtë veprim, Mediu e konsideroi si vepër penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 21.04.2009 vendosi “Mosfillmin e procedimit penal nr. (***), datë 27.03.2009”, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
Shpjegimi i Stojanit
Prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani ka shpjeguar para KPK se kallëzimi i Mediut ishte pjesë e strategjisë së tij dhe shantazhit për të shpëtuar nga përgjegjësia për dosjen Gërdeci. “Ky kallëzim nuk ishte rrufe në qiell të pastër, por pjesë e një strategjie për të dëmtuar kompaktin dhe kredibilitetin publik të grupit të hetimit, nëpërmjet shantazhimit e baltosjes së figurës, apo dhe duke përdorur truke procedurale.
Duke ngritur pretendime -që në fakt nuk mund të konsideroheshin si shkaqe ligjore, – ish-ministri i proceduar penalisht prej nesh synonte të vepronte taktikisht me kërkesa procedurale, që t’i imponohej Prokurorit të Përgjithshëm, por dhe mua si drejtues i hetimeve ndaj tij për të dhënë dorëheqjen nga çështja apo për ta përdorur si shkak ligjor për zëvendësimin tim nga grupi i hetimit dhe mosinformimin e Prokurorit të Përgjithshëm rreth gjendjes së procesit hetimor, me argumentin e konfliktit të interesit”, është shprehur prokurori.
Refuzimi i dorëheqjes
Prokurori Sokol Stojani thotë se ka refuzuar të dorëhiqej nga drejtimi i grupit hetimor për dosjen Gërdeci, ku i pandehur ishte marrë edhe Fatmir Mediu, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes. “Duke i vlerësuar me seriozitet situatat dhe mjetet e përdorura nga ish-ministri etj, duke mbajtur parasysh interesat e mbarëvajtjes së hetimit të çështjes, në mënyrë që të mos cenohej uniteti i grupit pas një dorëheqjeje tjetër, që në thelb do ishte komoditet si për Prokurorin e Përgjithshëm, ashtu dhe për mua personalisht, morëm përsipër përgjegjësitë dhe natyrisht që dhe unë refuzova dorëheqjen, duke i rrëzuar shkaqet për përjashtim si të pabazuara ligjërisht.
Ndërkohë, lidhur me kallëzimin ndaj meje ka vendosur prokurori i çështjes, vendim i cili është tashmë i formës së prerë dhe i pacenueshëm ligjërisht”, ka sqaruar Prokurori.
Konkluzionet e KPK për prokurorin Sokol Stojani
1. Kriteri i pasurisë
Në përfundim, trupi gjykues, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, arrin në përfundimin se: Nga kontrolli i pasurisë ndaj subjektit të rivlerësimit nuk u evidentuan pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht. Ai ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin dhe ka pasur burime financiare të ligjshme e të mjaftueshme.
Pasuria e subjektit të rivlerësimit dhe e personave të lidhur rezulton të jetë e ligjshme, nuk ka deklarim të rremë apo të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Subjekti nuk gjendet në situatë konflikti interesi. Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.
2. Pastërtia e figurës
Nga hetimi administrativ nuk u gjetën elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës. Deklarimet e subjektit të rivlerësimit rezultuan të sakta dhe të vërteta. Trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.
3. Aftësia profesionale
Vlerësimi i aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit u bazua në (i) gjetjet e mësipërme dhe (ii) pas një analize të bërë në përputhje me ligjin nr. 84/2016 “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në kreun II të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në përfundim, relatori i çështjes propozoi për subjektin e rivlerësimit, z. Sokol Stojani: “I aftë”. Trupi gjykues arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale, sipas parashikimit të nenit 59/1, germa “c”, të ligjit nr. 84/2016.