Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht një numër të madh zyrtarësh të lartë për fshehje pasurie. Teksa reforma në drejtësi po avancon, sinjalet janë se pushtetarët kanë filluar të fshehin pasuritë nga frika e ndëshkimeve. Më konkretisht, ILDKP ka bërë kallëzim penal në prokurori për 6 deputetë, një zv/ministër dhe një kryetar bashkie. Emrat e tyre ende nuk dihen, por shifrat janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Të mërkurën ky institucion publikoi raportin për të drejtat e njeriut dhe një rëndësi e madhe i është kushtuar punës së ILDKP.
Në bazë të të dhënave të siguruara nga institucioni i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj, DASH ka bërë me dije se deri në muajin gusht të vitit që lamë pas janë paditur për fshehje pasurie 26 zyrtarë, mes të cilave dhe anëtarë të Parlamentit. “Ligji kërkon që zyrtarët të deklarojnë asetet e tyre pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, i cili ka monitoruar dhe verifikuar deklaratat e pasurisë, duke i bërë transparente për publikun. Ligji autorizon Inspektoratin të gjobisë zyrtarët që nuk zbatojnë rregullat e deklarimit të pasurisë dhe t’i referojnë ata në prokurori.
Inspektorati raportoi se në gusht ka referuar 25 raste të reja për ndjekje, duke përfshirë dhe 6 deputetë, një zv/ ministër, një kryebashkiak, 6 inspektorë Tatimesh, gjashtë zyrtarë të doganave dhe 11 zyrtarë të tjerë, për refuzim të deklarimit dhe fshehje të pasurisë, apo për falsifikim të deklaratave, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion.
Në 2017, Inspektorati gjobiti 296 individë për mosdeklarim pasurie, konflikt interesi apo shkelje të ligjit të mbrojtjes së denoncuesve”, thuhet në raportin e DASH. Pak kohë më parë vetë gazeta publikoi të dhëna mbi kallëzimet e ILDKP, ku ky i fundit pranoi se janë referuar në prokurori raste për zyrtarë të lartë, por pa preferuar të japë shifra dhe të dhëna, kjo në kuadër të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Por DASH ka folur me shifra konkrete, pasi ambasada e SHBA dhe ajo e BE informohen vazhdimisht mbi hetimet për korrupsion, të dënuarit, të kallëzuarit, si dhe për paditë që bëhen ndaj zyrtarëve të lartë. Po ashtu ILDKP bashkëpunon me përfaqësues të OPDAT.
Frika nga reforma në drejtësi
Ajo që bie në sy është se si prokuroria, dhe ILDKP i mbajnë sekret emrat e zyrtarëve të përfshirë në afera. Kjo rrit mundësinë që të gjitha t’ia hedhin pa u lagur nga organi i akuzës, siç ka ndodhur deri më sot. Edhe pse ILDKP ka paditur për vite e vite me radhë shumë deputetë e zyrtarë të lartë, askush nuk është ndëshkuar. Por edhe tani ata duket se gëzojnë një farë mburoje, pasi hetimet ndaj tyre janë sekrete.
Megjithatë raporti i DASH dëshmon se reforma në drejtësi ka trembur shumë emra në politikën shqiptare. SPAK dhe Byroja e Hetimit do të ngrihen shumë shpejt dhe sinjalet janë dhënë se ministra, ish-ministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë do të kalojnë në filtër për pasuritë e tyre. Kjo gjë duket se i ka shqetësuar dhe deputetët e kryebashkiakët, të cilat kanë nisur tentativat për të fshehur pasuritë.
Por një skemë të tillë ndoqën dhe gjyqtarët e prokurorët, pasi në deklaratën e vetingut deklaruan shifra shumë ndryshe nga ato që kishin deklaruar më parë, duke bërë që të shkarkohen. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do bëjë prokuroria, pasi me ngritjen e SPAK shpresat janë se kushdo që nuk justifikon pasurinë do mbajë përgjegjësi para ligjit. /Kliti Topalli