Deputeti i listës së PD-së, Lefter Maliqi, i mandatuar ditën e djeshme si pjesë e grupit parlamentar të opozitës së re, ka folur në një ekran televiziv për pozicionimin e tij, por dhe një sërë shqetësimesh që e preokupojnë, lidhur me situatën që e sundon PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha.
Ndër të tjera, Maliqi theksoi se konfliktin nuk e ka me PD-në, por me lidershipin e saj drejtues. Për të ilustruar karakterin e interesit të Bashës, Maliqi solli si shëmbull mashtrimin që i kish bërë atij në zgjedhjet e 2017.
Maliqi deklaroi se nga dy vendet e para në listë, sikurse i kishte premtuar, e kishte spostuar në të tretin, duke e zëvendësuar me Astrit Veliajn, i cili sipas deputetit të ri, ka sponsorizuar vizitën e Bashës dhe Mediut në SHBA.
Për hatër të Astrit Veliajt, tha Maliqi, që më parë kishte qenë deputet i Partisë Republikane, e që vendin e dytë në listën e kandidatëve të PD-së në Berat e kishte blerë.
”Në zgjedhjet e 2017, Lulzim Basha më premtoi të më fuste të dytin në listën e kandidatëve të PD-së për Beratin, por edhe për këtë më gënjeu. Në vendin tim vendosi Astrit Veliajn. Për të vetmen arsye se sponsorizoi vizitën e tij dhe të Mediut në SHBA”, shpjegoi Maliqi, duke nxjerrë sekretin e papërmendur deri më sot.