Kryeprokurorja Arta Marku u është përgjigjur për të parën herë akuzave të lëshuara në drejtim të saj nga eksponentë të PD dhe LSI. Prej më shumë se një viti, shefja e akuzës në vend është kthyer në një tabelë qitjeje nga opozita, sidomos nga LSI. Dje Arta Marku ka zhvilluar një takim me prokurorin e Shkodrës për të bërë analizën vjetore, ku dhe iu përgjigj akuzave të politikës. Kryeprokurorja deklaroi se përfaqësues të ndryshëm politikë, e sulmojnë prokurorinë sa herë cenohen interesat e tyre.
“Ngarkesa për secilin prej jush ka qenë e madhe dhe natyrisht nuk është aspak e lehtë që të arrihen rezultate të duhura. Viti që shkoi ka qenë jo i lehtë pasi për shumë prej jush ka filluar procesi i vetingut. Mund të jeni ndjerë të pasigurt dhe kjo ka ndikuar në punën tuaj. Dhe keni qenë shpesh herë të pamotivuar. Në qendër të çdo konflikti politik ka qenë prokuroria. Politika i ka dhënë vetes të drejtën për të gjykuar çdo çështje që prek interesat e saj pa patur dëshirë dhe vullnet për të lejuar prokurorët të bëjnë punës e tyre.
Të njëjtën gjë ka bërë dhe opinioni publik. Pavarësisht kësaj, ju ja keni dalë të bëni punën tuaj. Kërkoj të jeni më të përgjegjshëm në çdo vendimmarrje. Pavarësi nuk do të thotë kaos. Keni mundësitë që të jepni më të mirën. Procesin e vetingut nuk duhet ta shihni si ndëshkim por si një mënyrë për të rikthyer dinjitetin”, u shpreh Arta Marku.
LSI akuza Arta Markut
LSI është forca politike që ka sulmuar më shumë kryeprokuroren Arta Marku. Ngritja e organeve të reja të drejtësisë ka vënë në panik të gjithë deputetët dhe ish deputetët të cilët janë të lidhur me krimin, ku LSI ka qenë partia më e frikësuar nga reforma në drejtësi. Petrit Vasili ka kërkuar shkarkimin nga detyra të Arta Markut, duke u shprehur se ajo e ka shkelur ligjin qëllimisht dhe duhet të ndiqet penalisht.
“Arta Marku të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht,ndryshe reforma ka vdekur! Shkelja flagrante dhe e qëllimshme e ligjit nga Arta Marku, në rastin e Bujar Sheshit është një skandal i thellë, kritik dhe i pakapërcyeshëm. Përgjegjësia e mbulimit të kësaj çështje dhe e shqyerjes së filtrave ligjore të përcaktuar nga reforma ka vetëm një fajtor Arta Markun prokuroren e përgjithshme.
Shkarkimi i Arta Marku është vija ndarëse: ose për të shpëtuar një reformë në drejtësi të bërë pis që në fillim ose për ta shndërruar përfundimisht drejtësinë në një zgjatim dhe në një mbrojtëse të mazhorancës dhe në funksion të kriminalizimit e korrupsionit ulëritës të saj”, tha Vasili.
PD akuza në drejtim të kryeprokurores
Kryeprokurorja ka qenë në qendër të sulmeve edhe nga PD. Ish deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka kërkuar pak kohë më parë nga Prokuroria e Tiranës të hetojë lidhjet e kryeprokurores së përgjithshme me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama. “Cilat janë lidhjet direkte apo indirekte të Arta Markut me Edi Ramën. Çfarë komunikimesh ka Arta Marku me Engjëll Agaçin dhe si kanë ndikuar ato në shkatërrimin e hetimeve për “Tahirin” dhe zvarritjen e çështjes “Shullazi”.
Çfarë i kanë kërkuar kryeprokurores Fatmir Xhafaj, Ulsi Manja, Ermonela Felaj apo ndonjë deputet tjetër socialist. Hetimet duhet të qartësojnë a ka patur kryeprokurorja kontakte me avokatët apo të dërguar të Emiljano Shullazit. Gjithashtu, është po aq e rëndësishme të hetohet me shpejtësi baza ligjore për çdo emërim, lëvizje, transferim në prokurori, që nga koha kur në krye të saj është Arta Marku”, tha ai. /Elisjeda Kiko