Kanë ngelur edhe pak ditë nga protesta e opozitës, ndërsa kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur numërimin mbrapsht. Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Basha zgjodhi një fotografi të flamurit kombëtar në sfond, për të pasqyruar edhe demonstratën e paralajmëruar të 16 marsit. Kreu i PD-së krahas fotos ka shkruar që ka nisur numërimi mbrapsht, ndërsa ka thënë më tej datën dhe orën e protestës.
Po në kuadër të tubimit kundër qeverisë, Basha ka zhvilluar dje një takim në Dibër, ku ka ftuar qytetarët e këtij qarku t’i bashkohen protestës së opozitës. Duke iu referuar skandalit për blerjen e votave në qarkun e Dibrës në zgjedhjet lokale të 2016-ës, Basha u kërkoi dibranëve t’i prijnë kësaj beteje, pasi ishin “kurbani” i parë i Edi Ramës dhe aleancës së tij me krimin e organizuar.
“Dibrës i takon të jetë në krye të kësaj beteje, sepse Dibra ishte kurbani i parë i bashkimit të Edi Ramës me kriminelët, me trafikantët e drogës dhe të vajzave dhe grave. Këtu në Dibër në shtator të 2016 u bë eksperimenti i parë i Edi Ramës me aleancë me krimin. Vendosi të sjellë në krye të vendit, kriminelët për të nënshtruar demokratët dhe për të zhdukur socialistët e Dibrës. Tash dy vjet e gjysmë dibranët e dinë se zot në shtëpitë dhe bizneset e tyre është Edi Rama dhe Ymer Lala, janë horrat dhe kriminelët”, u shpreh Basha. Kreu demokrat tha se në 16 mars qytetarët shqiptarë do të rrëzojnë qeverinë që është e lidhur me krimin dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Më datë 16 mars populli do të bashkohet në një tjetër protestë vendimtare për largimin e pushtetit të krimit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, për t’i rrugë një qeverie që nuk ju dhunon, nuk ju vjedh, nuk ju mashtron, një kryeministri që nuk ju trajton si rrugaç, si klloun, si bastard, por që ka respekt dhe përkulet para jush, punon për ju që të realizojë të gjitha planet dhe premtimet që do të zgjidhin hallet dhe problemet e shqiptarit të thjeshtë”, deklaroi Basha. Kreu demokrat tha se “dosja 184” është fundi politik i Ramës, pasi aty janë shumë emra deputetësh socialist të cilët janë të përfshirë në vjedhje votash.
“Dosja 184 është fundi politik i Edi Ramës dhe bandës së hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafil, Edi Rama, Arben Ahmetaj, Sadri Abazi, Pjerin Ndreu, Paulin Sterkaj, Ulsi Manja, Damian Gjiknuri duke bërë pazare me Ymer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota dhe për të mbushur kutitë e votimit, që të kapnin Bashkinë e Dibrës dhe për të bërë eksperimentin që e vunë në zbatim në 2017”, tha ai.