Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lëkundur dje pozitat e presidentit Ilir Meta. Deri më sot kreu i shtetit ka sfiduar disa herë qeverinë, madje duke interpretuar Kushtetutën sipas bindjeve të tij, duke qenë se shkarkimi i tij ishte mision i pamundur. Kur ndodhi përplasja me Gent Cakën, kryeministri Rama akuzoi Metën se ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën.
Madje socialistët në atë kohë kërkonin shkarkimin e tij, por mungesa e numrave në sallën e Parlamentit e bënin imun kreun e shtetit. LSI dhe deputetët e Bashës dhe Berishës në sallë do të rrëzonin çdo lloj nisme të tillë, e për këtë arsye Meta nisi të sfidonte hapur qeverinë. Por dje situata ka ndryshuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dha mandatin e deputetit Ligoraq Karamelos dhe Alban Zenelit, duke e çuar në 94 numrin e deputetëve në sallë.
PS ka 80 deputetë bashkë me Tom Doshin dhe anëtarët e PDIU, 11 emra të rinj kanë marrë mandatet e deputetit së fundmi, ndërkohë që refuzuan dorëheqjet Rudina Hajdari, Lefter Koka e Myslym Murrizi. Pra janë 94 vota në Kuvend, të cilat mundësojnë që të zhvillohen disa reforma të rëndësishme në vend. Shumë emra të rinj kanë dhënë dakordësinë se do votojnë nismat e mazhorancës, ndërkohë që në ditët në vijim do futen dhe emra të tjerë. Me shumë gjasë pritet që në Parlament të shkojë në 140 numri i deputetëve, pavarësisht presioneve që Basha e Kryemadhi ushtrojnë ndaj kandidatëve në lista. Por një gjë e tillë rëndon më shumë pozita e presidentit Meta.
Deri më sot shkarkimi i tij ishte i pamundur, jo vetëm për shkak të votave në Parlament, por dhe për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Por situata tani ka ndryshuar. Kushtetuesja për pak javë ngrihet, ndërsa Meta nuk ka më asnjë siguri se deputetët e rinj që kanë hyrë aty nuk do japin votën për shkarkimin e tij. Sipas burimeve, Presidenti është alarmuar ditët e fundit pasi e di se nuk mund të sfidojë dot hapur qeverinë siç bënte dikur. Tani “imuniteti” i tij përballë nismave të shkarkimit ka rënë dhe është më lehtë i cenueshëm.
Shkarkimi i Presidentit
Në nenin 90 të Kushtetutës janë përcaktuar procedurat që ndiqen për shkarkimin e presidentit. “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, thuhet aty. Gjykata Kushtetuese pritet që brenda prillit të zyrtarizohet, ndërsa numri i deputetëve në Parlament do rritet dita në ditë. Kjo tregon qartë se nëse PS ndërmerr ndonjë nismë për ta shkarkuar Ilir Metën, kjo gjë mund të arrihet fare lehtë. Sinjalet janë se kjo e ka trembur presidentin, i cili është shfaqur shumë i rezervuar në qëndrimet e tij dhe madje ka preferuar të qëndrojë jashtë kësaj situate.
Ndryshimi i Kushtetutës
Me arritjen e 94 deputetëve në Parlament, hapet mundësia për të ndryshuar jo vetëm Kodet, por dhe Kushtetutën. PS ka në plan të ndryshojë Kodin Zgjedhor në kuadër të reformës zgjedhor dhe nëse shihet e nevojshme mund të ndërhyhet dhe në Kushtetutë. Po ashtu, edhe për çështje të tjera një gjë e tillë është e mundur. Pra djegia e mandateve duket se ishte një strategji jo shumë e duhur nga opozita, pasi po i jep më shumë pushtet mazhorancës me deputetët e rinj. /Kliti Topalli