Këshilltarët demokratë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak në Durrës.
Këshilltarët e djathtë e kanë bojkotuar mbledhjen por këshilltarët e LSI-së, jo vetëm që kanë marrë pjesë por kanë surprizuar me votat pro për miratimin e projektvendimeve të paraqitura nga bashkia.
Kjo mbledhje pritej të ishte edhe “prova e zjarrit” për Kreun e Bashkisë Vangjush Dako i vënë nën akuzë për blerje votash nga opozita në qendër, çështje të cilën e ktheu në kauzë, për të dorëzuar mandatet e deputetëve dhe për të nisur protestat.
Por pjesëmarrja e 13 këshilltarëve të LSI në këshill bëri që të plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 26 anëtarësh për të nisur mbledhjen. Madje nuk pati as debate në mbledhjen e këshillit ku në unanimitet PS e LSI miratuan projektvendimet në mungesë edhe të kreut të bashkisë Vangjush Dako.
Në mbledhje janë miratuar një sërë projektvendimesh shumë të rëndësishme që kanë impakt drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve durrsakë duke nisur nga programet sociale të strehimit, miratimin e buxhetit shtesë të vitit 2019 të bashkisë, miratimin e fondit të bursave, etj.
Disa projektvendime të tjera siç ishte shpërndarja e banesave sociale u shtynë për në mbledhjet e ardhshme sepse duhet shumica e cilësuar prej 3/4 e këshillit.