Kastriot Islami, i cili u la jashtë Kuvendit nga Lulzim Basha, pavarësisht shërbimit që i bëri Sali Berishës, së fundmi shfaqet në rolin e analistit, duke qenë se është në pension politik.
Këtë radhë shkruan se Edi Rama është kthyer në destabilizuesin e rajonit dhe sipas tij, do të ketë një fund të tmerrshëm.
Gjë që në fakt, e përsërit prej disa vitesh, por fundi i Ramës nuk është se po duket gjëkundi.
“Largimi i Edi Ramës është çështje kohe, sepse për shkak të kapjes së shtetit dhe lidhjes me krimin, është një nga gjeneratorët e destablitetit të vendit e të rajonit.
Racionalisht s’ka asnjë mundësi që Rama të mbijetojë këtë radhë, fundin e tij të pashmangshëm e shikojnë të gjithë, shqiptarët dhe partnerët. Fund që do të jetë i tmerrshëm nëse Rama s’tërhiqet në kohën e duhur dhe akoma më i tmerrshëm nëse tenton të mbijetojë duke shtypur revoltën qytetare, duke keqpërdorur policinë dhe duke arrestuar protestuesit.
Qytetarët janë të revoltuar në ekstrem sepse Rama jo vetëm që e siguroi nga zgjedhjet e 2017 ‘timonin dhe tepsinë’ e pushtetit i vetëm duke blerë votat me paratë e korrupsionit dhe përmes kanabisit të kultivuar masivisht në të gjithë vendin, por mbi të gjitha ai duke mos qenë në gjendje të qeverisë qoftë edhe një minutë që kur e drejton qeverinë i vetëm, është tallur me qytetarët, i ka mashtruar ata dhe është sjellë me arrogancë.
Qytetarët janë të revoltuar në ekstrem gjithashtu se kanë kuptuar që keqqeverisja, tallja dhe arroganca e Ramës lidhen edhe me faktin se disa prej ndërkombëtarëve që vazhdojnë të mbështesin Ramën ju intereson vetëm stabiliteti i vendit dhe s’shqetësohen fare për të drejtat themelore të qytetarëve dhe aq më pak për mirëqenien e tyre.
Qytetarët e revoltuar në ekstrem, për të gjitha këto arsye, janë ngritur në protesta masive e të pandalshme për të demonstruar se Rama ka kapur shtetin, ka vjedhur pasuritë kombëtare dhe buxhetin e shtetit, s’respekton të drejtat dhe liritë themelore dhe ka shpërfillur hallet e problemet e tyre. Për rrjedhojë ata janë të bindur se Rama s’garanton më as stabilitet sepse Shqipëria është në prag të një revolte masive popullore për shkak të një zemërimi shpërthyes që deri më sot është shpërhapur përmes emigracionit masiv”, shkruan “Kaçi i zi”, që për PD-në, u kthye në “Kaçin e bardhë”.
“Si përfundim mund të thuhet se tanimë është e qartë për të gjithë, për shqiptarët e revoltuar masivisht por edhe për ndërkombëtarët e qetë se Rama, një drejtues autoritar, i korruptuar dhe i lidhur ngushtë me kriminelët e trafikantët, që ka kapur për fyti shtetin jo vetëm s’ka asnjë lidhje me demokracinë por as nuk garanton as stabilitet për vendin dhe për rajonin. Prandaj për qytetarët e revoltuar, fundi i tij është i pashmangshëm.
Qytetarëve të revoltuar në ekstrem s’ju mjafton vetëm fundi i Ramës për të cilin s’kanë më asnjë dyshim që është çështje ditësh apo javësh, por kërkojnë që fundi i tij të jetë edhe fundi i Sektit të tij që prej rreth më se 20 vjetësh është prezent në politikën shqiptare duke i detyruar shqiptarët të emigrojnë masivisht. Prandaj, ata kërkojnë që ky sekt jo vetëm të shporret, por edhe të ndëshkohet e të shpërbëhet.
Ky Sekt është përgjegjës i zemërimit mbarëqytetar, prandaj do të mbahet mënd si grupimi më i rrezikshëm dhe më i urryer në këto 28 vjet, duke mbetur edhe për disa kohë, deri në shpërbërjen e plotë, i bezdisshëm dhe i neveritshëm në formën e mbetjeve apo metastazave. Prandaj Rama, si kreu i këtij sekti, e ka të pamundur të garantojë stabilitet sepse qytetarët e revoltuar urrejnë.
Ky Sekt, i ideuar dhe drejtuar nga Rama dhe nga një klientelë, përfaqësuese e interesave i) të ish-nomeklaturës së lartë puniste e pinjollëve të saj; ii) të oligarkisë, krimit e banditizmit, dhe iii) të një grupimi nepotik me ‘sjellje perverse’, të patolerueshme për shumicën e shqiptarëve, ka pasur si synim varfërimin e skllavërimin e shumicës së qytetarëve për të paralizuar reagimin qytetar, pra duke i detyruar ose të nënshtrohen ose të emigrojnë. Dhe kjo është një arsyet e thella përse Rama gjeneron destabilitet të pashmangshëm.
Ky Sekt, pa ideologji, pa strategji e pa asnjë program zhvillimi, por thjesht me premtime mashtruese, me ushtrim dhune e kërcënimesh policore, veprime antiligjore e amorale, duke synuar vetëm pasurimin e skajshëm dhe të dyshimtë të një grupi të vogël dhe varfërimin ekstrem të shumicës së shqiptarëve, ka qenë represiv për opozitën dhe të gjithë kundërshtarët, s’ka pasur asnjë lidhje me interesat e shqiptarëve në përgjithësi por as edhe të socialistëve në vecanti, të cilët janë shpërfillur e nëpërkëmbur po ashtu si edhe të tjerët e madje në disa raste edhe më shumë. Prandaj ky sekt është kthyer në një gjenerator i brendshëm destabiliteti.
Së fundmi ky sekt, i drejtuar nga Rama dhe klientela e tij e ngushtë, të maskuar pas retorikës proeuropiane e proeuroatllantike, thjesht për të mbajtur pushtetin dhe rritur pasuritë e tyre të paligjshme, jo vetëm kanë mbajtur vendin larg integrimit në BE por se fundmi janë implikuar në projekte të rrezikshme nacionaliste për sigurinë e stabilitetin e rajonit dhe më gjerë”, vijon më tej Islami.