Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Kastriot Skënderaj, është liruar nga detyra ditën e sotme.
Shkak për këtë, duket se është bërë konflikti i ndodhur ditën e sotme tek “Petro Nini”, mes përmbaruesve dhe policisë së shtetit dhe disa qytetarëve, në aksionin për të liruar një banesë në këtë zonë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili shkruan në “Twitter” se, sipas tij, nuk mjafton që policia të jetë ligjërisht në rregull, por duhet të jetë edhe “me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut”.
“Vendimi i kreut të Policisë së Shtetit për lirimin nga detyra të drejtuesit të Policisë së Tiranës është reagimi i duhur. Nuk mjafton që Policia të jetë ligjërisht në rregull.
Prej saj kërkohet më shumë.
Ajo duhet të jetë dhe me mendje e zemër në lartësinë që e kërkon ndjeshmëria dhe interesi i publikut. Jo si sot, tek rruga e shkollës “Petro Nini”!”, ka shkruar Lleshaj.
Kastriot Skënderaj, i cili mbante këtë post që prej shkurtit të vitit 2008, është zëvendësuar nga Dhimitraq Ziu, i cili mbante postin e zëvendës drejtorit.
Nga ana tjetër zëvendës drejtor i policisë së Tiranës është komanduar Elton Alushi.