Nga Skënder Minxhozi
Pak ditë më parë Besnik Mustafai hidhte një tezë e cila prek thelbin e situatës ku ndodhet sot opozita shqiptare. Ai shprehej se opozitës i duhet një projekt, që të shoqërojë djegien e mandateve. Një plan për të ardhmen, jo vetëm një levizje për të tashmen. Një alternativë për ditën kur eventualisht saga e protestave të kthehet në një telefilm të përsëritur me gjithnjë e më pak njerëz dhe energji.
Apeli për një projekt rezervë ka të bëjë dukshëm me idenë se, vetë dalja nga sistemi politik, përbën një projekt me shumë risk dhe me pak siguri brenda. E ardhmja e PD, reputacioni dhe pesha e saj elektorale janë në pikëpyetje. Ky gjest i fortë ose do të tërheqë nga pas gjithnjë e më shumë përkrahës (e atëhere s’ka nevojë për kalkulim tjetër), duke prodhuar gjithmonë e më shumë presion mbi qeverinë, ose do të bjerë në rutinë dhe do të bjerret gradualisht. Ashtu siç ndodhi dy vjet më parë me Çadrën, e cila sot pranohet gjerësisht, edhe brenda PD, se ishte një operacion që në fund të rrugës prodhoi humbjen më të thellë të PD që nga vitet ’90.
Po mbyllet një muaj që nga dita kur protesta e 16 shkurtit i dha udhë largimit të opozitës nga Kuvendi. Në këtë hark kohor Basha, Kryemadhi dhe Berisha kanë shkaktuar një shkundje të elektoratit të tyre besnik. Por duket se ende nuk kanë mundur të lëvizin nga vendi zgjedhësit që qëndrojnë në mes, elektoratin gri. Në protestat e javëve të fundit nuk është e vështirë të vërehet se, për shembull, Tirana gjysmë-milionëshe nuk ka lëvizur nga vendi. Dikush shprehej me të drejtë këto ditë se kur Edi Rama të shohë baballarë dhe nëna me fëmijë në krah, që dalin në protestë, do të kuptojë se i ka punët keq.
Në vend të kësaj dallge njerëzish, protestat opozitare kanë ofruar “ushqimin” e zakonshëm: militantë të sjellë kryesisht nga rrethet, fjalor agresiv oratorësh dhe përplasje me policinë. Aksioma “protestë paqësore-protestë e madhe, protestë agresive-protestë e vogël” duket se është veçanërisht e vërtetë në këtë rast. Vërshimi i 16 shkurtit, i madh dhe relativisht i paqtë (përveç luftës me derën e Kryeministrisë) ja ka lënë vendin rrethimit agresiv të Kuvendit. Opozita ja doli ta nxjerrë Shqipërinë tek Euroneës dhe BBC, por nuk është se i bëri ndonjë shërbim të madh vetvetes. Paneli i atyre që e kanë kritikuar për dhunën në protestë dhe për daljen nga parlamenti, është sot më imponent se kurrë. Fillon në Uashington dhe mbaron në të gjitha kryeqytetet kryesore të Evropës. Ndërkohë që një pjesë e deputetëve të listave po shkelin edhe firmat që hodhën për të mos pranuar, e po hyjnë në Kuvend.
E këtu del në skenë më i fortë se kurrë shqetësimi i mungesës së një Plani B! Çfarë kanë menduar krerët e opozitës, nëse procesioni i protestave nuk do të sjellë rezultatet që prisnin? Mos të harrojmë se pas dere janë zgjedhjet lokale, e kjo e bën çeshtjen e pushtetit vendor më emergjente sesa ajo e pushtetit qëndror. Para se të rrëzojë Ramën, Basha e Kryemadhi duhet të vendosin ç’do të bëjnë me Voltana Ademin, Xhelal Mziun dhe krerët e tjerë bashkiakë nëpër Shqipëri, të cilët janë në fund të mandatit të tyre.
Më tej akoma, nëse kthehemi tek problemi i negociatave me qeverinë, cili është qëndrimi i opozitës ndaj ftesave tashmë publike të Presidentit e Kryeministrit për të nisur dialogun?! Dhe pasi ky dialog të ketë nisur, çfarë janë të gatshëm të sakrifikojnë nga kërkesat e tyre, për të bërë paqen politike?! Sepse afërmendsh do të ketë lëshime nga dy anët, siç është normale të mendohet.
Për momentin Basha sheh para syve të tij një oborr të mbushur plot përkrahës në selinë e PD dhe duket se ndjehet mirë. E vërteta është se ai grumbull njerëzish është shumë pak, që të mund të përfaqësojë të gjithë shqiptarët. Rama nuk rrëzohet me cikle protestash njëmujore, të cilat zgjasin disa orë e më pas shuhen sikur të mos kenë qenë fare.
Asnjë qeveri nuk bie me kaq pak trysni. Është një mësim që dikur-kryeministri Berisha na e ka mësuar, qoftë dhe me kosto të skajshme njerëzore.
Opozita nuk mund t’i besojë vetëm arsyes së forcës, por duhet të përgatitet edhe për forcën e arsyes. E cila sugjeron se në një betejë kaq komplekse dhe me kaq shumë pengesa, duhet të kesh në dorë jo një, jo dy, por e pakta tre karta rezervë. Çfarë duket se Lulzim Basha nuk i ka në këtë moment. Dhe kjo e bën edhe më të ekspozuar pozitën e tij
dhe fuqinë reale të opozitës për të diktuar në këtë fushë shahu, ku Rama duket më komod dhe i mbuluar nga rreziqet. Sepse ka më shumë se një zgjidhje në tryezë. Mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, mund të hyjë i vetëm në zgjedhjet lokale (në 2017 ndërkombëtarët i dhanë leje të hynte i vetëm në zgjedhjet e përgjithshme), mund të afrojë votimet e përgjithshme diku nga viti 2020 ose mund të propozojë qeveri të përbashkët me opozitën. Sot që flasim opozita nuk duket se ka ide të qarta për asnjërën nga këto alternativa. Është kapur pas hirit të mandateve të djegura, por siç dihet hiri është fundi, jo fillimi. Çadra tregoi se marrja e pushtetit jashte rradhe është një punë e koklavitur.