nga Leonard Veizi
Ata janë vërtet të urtë, e të thjeshtë gjer në dhimbje. Hera-herës deri në dhimbjen e skajshme. Në madhështi janë gjithashtu.
Duke kaluar nëpër mend këtë sentencë, modifikuar në bazë të vargjeve aq të njohura të Kadaresë, nuk është e vështirë të kuptosh gjithsesi se fati i tyre në vite ka qenë i njëjtë. I njëjtë si atëherë kur Petro Luarasi jepte mësimet shqip nën terror, si atëherë kur Migjeni i dërrmuar nga sëmundja merrte rrugën e gjatë me biçikletë, dhe si më pas në epokën e luftës kundër analfabetizmit. Sot, në mijëvjeçarin e ri, e vetmja përparësi është se për të shkuar deri tek dera e shkollës ekziston mundësia të marrësh një makinë modeste.
Është kjo pjesë e sakrificës njerëzore për të dhënë nga vetja atë që u duhet aq shumë njerëzve: “pak dritë”.
Po, po: “pak dritë”.
Janë mësuesit, të klasave të para dhe të viteve të treta të gjimnazit. Janë ata të parashkollorëve. Pedagogët e universiteteve janë gjithashtu.
Janë mësuesit e fshatit, që presin me autostop “makinat e rastit” për t’u kthyer në strehën e tyre, apo mësuesit e qytetit që nxitojnë për të kapur autobusin e pisët urban, ku shoferi arrogant mbyll dyert elektrike e largohet indiferent nga stacioni duke treguar orën, sepse i vajti orari i lëvizjes dhe dispeçeri ka mundësi t’i vendosi një gjobë të majmë. Në të njëjtën vlerë, në mes të kryeqytetit apo në fshatin më të largët të Republikës, ata janë mësues. Dhe mbeten gjithmonë të njëjtë, të pandryshueshëm njëkohësisht. Idealistë të pandreqshëm, që në jetën e tyre rreken të bëjnë të vetmen gjë: të japin mësim. Të jenë aty midis nxënësve të tyre, që rrjedhin e rrjedhin vazhdimisht si ujët e një lumi të vrullshëm, për të ndryshuar çdo vit.
Janë ata, që vazhdimisht sakrifikojnë nën moton e gjithhershme e të pandryshueshme të një mega-ideje; nxënia e dijes së pafund. Ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë kujtohet rrallë për ta, dikur në 1 shtator dhe në 7 mars. Tani akoma më rrallë, vetëm në 7 mars. 1 shtatori, prej kohësh nuk ekziston më. Është zhvendosur dhe është shndërruar në diçka të pakuptimtë dhe gati ilegale. Nuk e ka më simbolizmin e një dite të veçantë.
Por dhe kjo kujtesë ka diçka të cunguar e paradoksale, madje shumë fyese kur pranohet si e tillë. Është rasti kur prindër e nxënës bashkë, nxitojnë të bëjnë dhuratat e festës, jo më një lule natyrale a një libër prozaik të Saramagos, por një varëse floriri, një Iphone-X apo më shkurt akoma, një zarf me të holla, me të cilën mësuesi kujdestar mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi. Është fabrikimi mostër i prindërve për të ushqyer një korrupsion alarmant dhe i atyre mësuesve që luajnë rolin e viktimës, për ta pranuar gjithsesi “ndihmën sociale” nga parellinjtë e rinj të Shqipërisë, që kanë çuar fëmijët të nxënë në shkollë. Dhe nëse ata mësues që e pranojnë këtë korrupsion të modifikuar, do t’i kthenin mbrapsht dhurata me vlera ekstreme, padyshim madhështia e gjithë korpusit të mësimdhënësve do të shkonte në piedestal.
Askush nuk ka nevojë për një përkrahje të tillë “sociale”, thjesht duhen politika më të drejta në ndarjen e të ardhurave. Por duket se rendi i gjërave nuk të lë shumë për të besuar.
Sepse akoma më tej, zyrtarët e lartë të administratës shtetërore mendohen mirë kur u bie mundësia të kujtojë këtë shtresë të shoqërisë. Sepse në të gjitha rastet u duhet të kujtojnë, gjithashtu, se janë pikërisht ata më të diskriminuarit e nëpunësve të shtetit, duke qenë më aktivët njëkohësisht.
Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Ndërsa vetë ata, mësuesit, janë gjithmonë në një lëvizje të pandërprerë, për t’u vërtitur në 45 minutat e orës së mësimit me të gjithë kapacitetin e tyre, për të duruar njëkohësisht mes energjisë së pashtershme të dhënies së mendimit të koncentruar dhe një zileje celulari që tringëllon në kulmin e patosit. Më pas tringun e një mesazhi, nëpërmjet postës elektronike, që i vjen një nxënësi të pabindur ku, përveç befasisë acaruese, ju kujton se jeta jashtë mureve të shkollës është më e ashpër nga magjia që i rrethon në folenë e tyre.
Jetojmë kohë me probleme, (kështu ka qenë gjithmonë në fakt), me nxënës më pak të bindur, me djem që tentojnë të mbajnë armë fshehur nën bluzë apo vajza me veshje ekstravagante e që mezi presin të përfundojë ora e “mërzitshme” e historisë së Shqipërisë, për të shkuar turravrap në ‘pub’-in më të afërt. Dhe atje, të çliruar nga bezdia, të kenë mundësi të shfryjnë ndaj mësuesve të tyre “të egër” e kërkues, e të dehen me paratë e prindërve, duke pirë alkool e tymosur nga pak mariuhanë.
Ndërsa ata mësuesit, të urtë e të thjeshtë deri në dhimbje, i drejtohen arkës së financës, për të marrë në sportelin e saj rrogën modeste, me të cilën mbajnë familjen.
Ironia e fatit.
Jetojmë vërtetë kohë të vështira. Por kështu ka qenë gjithmonë, dhe kur luftohej analfabetizmi me aksion të përqendruar, më tej se kaq, kur Migjeni shkonte me biçikletë nëpër shi, për t’u dhënë mësimin e vyer nxënësve të tij, dhe akoma më larg, kur Petro Luarasit i duhej të “vdiste në këmbë”, veç për të hapur një shkollë shqip.
Por jetojmë gjithashtu, kohë reformash të pambaruara. Tranzicion, që ecën pa ditur të ndalet kund. Ndërsa në Drejtoritë Arsimore të Rretheve radha e mësuesve të papunë, që presin të zëvendësojnë qoftë dhe një të sëmurë, rritet çdo ditë. Por rritet çdo ditë dhe numri i analfabetëve, çuditërisht.
Vazhdojmë të jemi vendi i ekstremeve të panumërta.
Por ata vazhdojnë të jenë të thjeshtë. Të urtë janë gjithashtu. Dhe zëri nuk u ndihet. Nuk ndërmarrin greva urie dhe as timpaneve nuk u bien me zhurmë përpara Kryeministrisë. Vetëm se, duket sikur mes asaj qetësie të brishtë dhe fisnikërie për të mos u përballur me një stres të dyfishtë, armata e tyre thotë nën zë: “Na llogarisni edhe ne”.
E mes gjithë kësaj lufte të heshtur a me zë, ata janë atje, përballë 35 apo 40 nxënësve të një klase, që kërkojnë të marrin më të mirën e mundshme, që kërkojnë të përgatiten për t’u hedhur në jetë.
Sot është 7 mars. E ata janë atje, sërish në krye të klasës, mes një gëzimi të ligjshëm, që u jep të drejtën të marrin urime pa fund, apo t’i gëzohen një tufe luleje nga nxënësit e lodhshëm. Ndërsa… presin që nga ministria e Arsimit, si gjithmonë, të vijë një mesazh urimi nëpërmjet valëve televizive, nga zyra e madhe e ministrit të radhës.