Megjithëse të shkarkuar për korrupsion me detyrën, për paaftësi, mos ndëshkim të eksponentëve të krimit e lidhje me ta, të larguarit do përfitojnë nga 2 paga mujore në dorë ditën e largimit dhe 40% të pagës mujore për 1 vit, ndërsa Adriatik Llalla, Bashkim Dedja e Xhezair Zaganjori, përfitojnë nga 3 paga mujore në dorë dhe nga 50% të pagës për 3 vite
Shteti Shqiptar, që sipas Kushtetutës, ka detyrim të mos pranojë, të mos lejojë e të luftojë abuzimet, krimin dhe korrupsionin në administarën publike e institucione qendrore, në muajin mars 2015, ka miratuar ligj të posaçëm, për të trajtuar me paga nga taksat publike, zyrtarë të cilët shkarkohen nga detyra, për korrupsion dhe lidhje me krimin.
Është Ligji nr. 27/2015, datë 26.3.2015 “Për pensionet shtetërore suplementare dhe trajtimet financiare kalimtare, të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, miratuar nga parlamenti, me vota të pozitës dhe opozitës.
Ky ligj absurd, trajton me pagesa, pas ikjes nga funksionet shtetërore, edhe ata drejtues të lartë e zyrtarë të prokurorive e gjykatave, të cilët “Veting”-u, i shkarkon nga detyra dhe i përjashton nga sistemi i drejtësisë, për abuzime, korrupsion e lidhje me krimin.
Sipas Nenit 1 të këtij ligji, zyrtarëve të Gjykatës Kushteutese, Gjykatës së Lartë, Gjykatave të Apelit dhe Prokurorive të rretheve, u jepet “pagesë kalimtare”, ose më qartë, nga 2 paga mujore në dorë, ditën e shkëputjes së mardhënieve financiare dhe 40% pagë mujore, për 1 vit.
Ndërsa, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala, u jepen nga 3 paga mujore në dorë, ditën e shkëputjes së marrdhënieve financiare dhe 50% pagës mujore, për 3 vite.
Tingëllon absurditet, që shteti e largon nga administrata dhe nga krejt sistemi i drejtësisë, për korrupsion, abuzime e lidhje me botën e krimit, por e përcjell me shpërblime pagash bonus e paga për 1-3 vite.
Kush e kupton, këtë çudi ligjore shqiptare, mbasi sipas logjikës, zyrtari mund të shpërblehet për kontribute e punë të mira në shërbimet ndaj shtetit e qytetarëve, por jo kur vjedh, diskrediton e shkatërron shtetin dhe dëmton interesin publik!/Pamfleti