Ekskluzive / Publikohet foto e rrallë e vitit 1961 e Aleksandër Meksit i cili asokohe punonte si inxhinier zbatimi në Hidrocentralin e Ulzës ku ai vendosi që të linte mjekër dhe musteqe. Si mundi Meksi të vinte fshehurazi në Tiranë pas ultimatumit që i dhanë eprorët e tij dhe të realizonte atë foto i veshur si “borgjez” me kostum e papion dhe stampimi i saj në fshehtësi të plotë nga shoku i tij i ngushtë, mjështër fotografie në Kinostudion “Shqipëria e Re”
Aleksandër Gabriel Meksi, ish-kryeministri demokrat që drejtoi për gjashtë vjet me rradhë (1992-1997) kabinetin e parë të qeverisë së dalë nga Partia Demokratike pas zgjedhjeve pluraliste të 22 marsit 1992, sot më 8 mars, mbush plot 80-të vjeç.
Miku i tij i ngushtë, gazetari dhe studjuesi i njohur, kolegu ynë, Dashnor Kaloçi, ka zgjedhur për t’i uruar ditëlindjen me një foto të rrallë, ku Meksi djalosh 22 vjeçar, në vitin 1961, ka pozuar para aparatit fotografik me mustaqe e mjekër dhe i veshur so “borgjez” me kostum dhe papion…?!
Një gjë e rrallë ky fakt dhe kjo foto, pasi dihet se para viteve ’90-të kjo gjë përbënte një herezi dhe ndonëse për shumë nga të rinjtë e atyre viteve ishte një ëndërr, as që mendohej se mund të arrije të kishe një kujtim të tillë. Pasi favoritet e gjata dhe musteqet me mjekërr ishin një “mollë e ndalueme”.
Madje kjo gjë përbënte shumë problem edhe për aktorët e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe teatrove e asaj kohë, të cilët kur duhej të luanin ndonjë rol ku aktori duhej të kishte mjekërr dhe musteqe origjinale, ai paisej me një autorizim të veçantë nga drejtoria e institucionit ku bënte pjesë, ku shënohej dhe koha me data fikse se sa duhet t’i mbante mjekrrën dhe musteqet dhe daljet e tij në publik do të ishin mjaft të kufizuara.
Po si ka mundur djaloshi 22 vjeçar Aleksandër Meksi që në vitin 1961 të linte mjekërr e musteqe dhe të realizonte edhe një foto ku ato janë mjaft të dukëshme?!
Kolegu ynë Kaloçi, tregon se në vitin 1961, teksa Meksi punonte si inxhinier zbatimi në Hidrocentralin e Ulzës, shfrytëzoi rastin të rrinte pa u rruajtur disa kohë, duke u justifikuar se kishte probleme me lëkurën e fytyrës dhe i mbajti ato rreth tre-katër javë, duke bërë vetëm itinerarin nga barka ku banonte në punë dhe anasjelltas. Kjo gjë funksionoi deri sa eprorët e tij në atë vepër të rëndësishme hidro-energjitike i dhanë ultimatum inxhinierit të ri që të mos paraqitej më në punë pa u rruajtur.
Kështu, një pasdite të shtunë, me makina të rastit Meksi erdhi në Tiranë ashtu si vjedhurazi, dhe me jakat e palltos të ngritura që të mos dallohej, (pasi afër shtëpisë së tij te Selvija, ishte “çerdhja” e Sigurimit të Shtetit) mbërriti natën vonë në shtëpinë e tij. Dhe të nesërmen e asaj dite, ai realizoi atë fotografi para derës së shtëpisë së tij, (pronë e familjes së avokatit të njohur, Koço Dilo, të cilët familja e Gabriel Meksit i kishte miq të ngushtë), duke pozuar si aktor kinematografie i veshur me një kostum dhe këmishë të bardhë me papion.
Gjë e cila asokohe dhe gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist konisederohej si “veshje boregjeze” dhe nisur nga ky fakt, as guxonte njeri që të vishej dhe të dilte në publik me papion. Pas shkrepjes së aparatit që fiksoi foton në fjalë, (e cila duket që është e realizuar dhe artistikisht nga një sy dhe dorë mjeshtri), që publikohet sot për herë të parë eksluzivisht për gazetën TemA, Meksi u fut menjëhërë në shtëpi dhe hoqi favoritet e mjekrën, por musteqet i mbajti dhe që nga ajo kohë ai nuk i hoqi më.
Njeriu që realizoi foton, ishte Faruk Basha, shok i ngushtë i Meksit dhe bashkëmoshatar i tij, i cili punonte në Kinostudion “Shqipëria e Re”, si operator dhe mjeshtër i fotografisë. Nisur nga ky fakt, Basha (vite më pas drejtor i fotografisë te disa prej filmave më të njohur shqiptarë, si “Malet me blerim mbuluar”, “Shtigje lufte”, “Flutura në kabinën time” “Në fillim të verës” “Ballada e Kurbinit” etj etj), mundi që ta stamponte atë foto në një prej laboratorëve të Kinostudios, pa i hyrë ferrë në këmbë dhe t’ja jepte shokut të tij, Meksit, me amanet që mos t’ja tregonte as familjes së tij.
Dhe Meksi nuk e preu në besë shokun e ngushtë të fëmijrisë, duke e ruajtur dhe mbajtur të fshehtë për vite me rradhë në shtëpinë e tij dhe kjo është dhe arsyeja që ajo nuk figuron me fotot e tjera në dosjen që Sigurimi i Shtetit pati hapur për Aleksandër Meksin që në fillimin e viteve ’80-të.
Dosje e cila i është dhënë atij personalisht vitin e kaluar nga Autoriteti për Informimin i Dokumentave të ish-Sigurimit të Shtetit, ku një pjesë të atyre dokumenteve janë publikuar nga gazeta Tema prej kolegut tonë Kaloçi, mik i ngushtë i ish-kryemnistrit demokrat, të cilit sot me rastin e 80-të vjetorit të lindjes, ai uron jetë të gjatë/Tema