Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima i ka bërë thirrje Partisë Demokratike, që t’i bashkohet partisë së tij për parimet kryesore, që ajo manifeston në përditshmëri.
Duke përshëndetur deklaratën e lëshuar dje nga Basha për mjetet që zgjidhin krizën politike dhe anulimin e marrëveshjes me Ramën për Kodin Zgjedhor, Kokëdhima shtoi se kjo është nismë pozitive, por nuk mjafton me kaq.
Pasi sipas tij, kandidatët në zgjedhje duhet të dalin nga vota e popullit dhe jo thjesht ky i fundit të luajë rolin e propozuesit, por atë të vendimmarrësit.
Deklarata e Kokëdhimës:
Lulzim Basha prezantoi dje një formulë për zgjidhjen e krizës politike, duke filluar nga anulimi i marrëveshjes më të madhe Rama-Berisha për sistemin zgjedhor. Për herë të parë, Basha foli për një formulë që zbeh kompetencat e kryetarëve të partive.
Unë e përshëndes këtë deklaratë, edhe pse është e pamjaftueshme. Ai duhet të deklarohet prerazi e përfundimisht për barazinë e zgjedhjeve dhe për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Këtë që premton sërish Basha përpara shqiptarëve, unë ia kërkova zyrtarisht që në janar 2017, kur i bëra thirrje që të pranonte krimet elektorale që kishte bërë PD në të shkuarën dhe t’i bashkohej projektit të ZGJIDHJA që kandidatët për deputetë të zgjidhen nga populli përmes sistemit të primareve.
I thashë kreut të PD-së se ka vetëm një rrugë për t’i kthyer të drejtat popullit sovran. Populli duhet të zgjedhë me votë dhe jo thjesht të propozojë.
Kandidatët në zgjedhje duhet të dalin nga populli. Çdo ligjërim tjetër është kohë e humbur.
Midis fjalëve dhe veprave, deri më sot z. Basha ka zgjedhur që të bëjë vetëm fjalë.
Është koha që t’ua imponojmë primaret kryetarëve që i kanë kthyer partitë në çifligje të tyre!